Rita Ora: Jam krenare që jam pjesë e këtij kombi, kam nderin të mbështes të rinjtë e vendit tonë

Mediale Vip

Rita Ora: Jam krenare që jam pjesë e këtij kombi, kam nderin të mbështes të rinjtë e vendit tonë

Më: 10 prill 2019 Në ora: 17:06
Rita Ora

Gjatë panelit në kuadër të ngjarjes “Activate Talks” të UNICEF-it, këngëtarja Ora është paraqitur në skenë, nga ku u shpreh e lumtur që gjendet mes të rinjve të vendit nga ajo vjen, duke ofruar mbështetje për të rinjtë, për çka tha se ndihet krenare.

Ndonëse me famë botërore, Rita Ora u tregua modeste kur para të pranishmëve e nisi fjalën e saj duke thënë: “Jam Rita”, teksa bëri një foto të përbashkët me audiencën në sallë.

Ora: Kam nderin të mbështes të rinjtë e vendit tonë

“Kam kënaqësinë që jam këtu. Jam në Kosovë qe dy ditë. Kam pasur një udhëtim të mrekullueshëm për dy ditë me UNICEF-in. Programi Up-Shift dhe gjithë atë që ka bërë UNICEF e kam përjetuar dhe kam parë se sa e mrekullueshme është, duke parë edhe rezultatet. Kam pasur një kohë të mirë për të mësuar për të rinjtë e Kosovës dhe të kuptoj që të ju ndihmojë dhe të bëjë gjithë çfarë është e mundshme që t’iu inspirojë dhe të mbështes kulturën dhe të rinjtë e sotëm. Jam shumë e nderuar që jam këtu dhe të mbështes të ju mbështes të gjithë ata që ndihmojnë UNICEF-in dhe jam e nderuar të mbështes të rinjtë e vendit tonë”, tha Rita Ora.

|

Në kuadër të kësaj ngjarje vjetore të UNICEF-it, shumë të rinj prezantuan projektet që kanë realizuar në kuadër të programit Up-shift. Ndërsa për të inspiruar të rinjtë, aty u mbajt edhe një panel diskutimi me ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se dëshirojnë të shohin se të rinjtë udhëheqin me vendin.

Për të motivuar ata se mund të bëjnë ndryshime, Apostolova kujtoi se edhe vetë vjen nga një shtet që dikur nuk ishte i zhvilluar, duke thënë se ishin pikërisht studentët ata që bënë revolucionin.

Ajo pati edhe disa porosi për të rinjtë e vendit, të cilët përveç shkollimit, sipas saj, vëmendje të madhe duhet t’i kushtojnë ruajtjes së ambientit.

Apostolova: Ruajeni mjedisin, ndryshe rrezikoni ta humbisni natyrën

“BE-ja është një mike e Kosovës dhe gjithherë do të jetë ashtu. Sepse e thash, Kosova është Evropë. Arsimi për ne do të jetë prioriteti ynë kryesor sepse jeni popullatë e re dhe meritoni arsim më cilësor. Prioritet tjetër është sundimi i ligjit, dhe këtu na duhet mbështetja juaj. Dëshirojmë që të shohim lidership me persona që zgjedhën në bazë të meritave, që të udhëheqin këtë vend drejt rrugëtimit evropian. Po ashtu, dëshirojmë që të shohim një Kosovë të qëndrueshme në aspektin mjedisor, lumenj e male që i ruani, sepse, nëse ju të rinjtë nëse nuk i ruani këto, atëherë shumë shpejt nuk do të gëzoni këtë natyrë”, u shpreh ajo.

Ambasadori austriak, Gernot Pfandler, u shpreh se vendi i tij është e përkushtuar për një arsimim sa më cilësor në Kosovë. Ai porositi të rinjtë e vendit që të zhvillojnë mendimin kritik, në mënyrë që të mos pranojnë gjërat e gatshme që dikush ua shërben.

Pfandler: Arsimi, prioriteti kryesor i Austrisë në Kosovë

“Arsimi është një nga prioritetet më të mëdha të bashkëpunimit zhvillimor në Kosovë. Ne kemi zgjedhur këtë qëllimisht, pasi mendojmë që popullata e re në Kosovë meriton arsimimin më të mirë të mundshëm. Dhe, ne nuk kemi aq shumë buxhet dhe kështu nuk investojmë në infrastrukturë, megjithatë ne bëjmë përmirësimin e arsimimit në Kosovë, në mënyrë që t’iu japim të rinjve mundësinë që të zhvillojnë vendin e tyre”, tha ai.

Ndryshe, “Active Talks” është një ngjarje vjetore që mbledh më shumë se 400 të rinj nga e gjithë Kosova, ekspertë, përfaqësues të institucioneve dhe inovatorë të rinj, për të diskutuar dhe treguar përvojat e tyre në ndryshimin e shoqërisë për të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat