Klinton Zeqiraj: Personazhet shqiptarë vihen në siklet kur flasin për seksin

Mediale Vip

Klinton Zeqiraj: Personazhet shqiptarë vihen në siklet kur flasin për seksin

Më: 19 prill 2019 Në ora: 14:19
Klinton Zeqiraj

Nuk e ka për herë të parë të punojë në televizion, por si kunjaxhiu që vë në siklet personazhet e njohur të showbiz-it me intervistat e tij e pa veten në rrjetet sociale si djali i memeve. I dashuruar pas ekranit, Klinton Zeqiraj thotë se tani po bën punën që pëlqen shumë, për të intervistuar të famshmit në evente, larg klisheve. Për “Panorama Plus” ai tregon se çfarë bëri ndryshe nga prezantuesit e tjerë që u shndërrua në personazhin e memeve virale në rrjetet sociale.

Si ndihesh në punën tënde të re, kur tashmë të njohin si thumbuesi i VIP-ave?

Realisht, ndihem shumë mirë, pasi e bëj me dëshirë dhe pasion. Por ajo që më bën më shumë të lumtur janë mesazhet dhe urimet e shumta, që marr gjatë ditës nga njerëz të ndryshëm, por edhe nga vetë personazhet publikë. Kjo është ndjenja më e veçantë kur ndihesh i vlerësuar dhe gjej rastin t’i falënderoj të gjithë ata që më ndjekin vazhdimisht dhe nuk i kursejnë komentet e tyre.

Deri tani ka pasur ndonjë reagim të keq prej personazheve të njohur?

Reagim të keq? Hmmm! Ka nga ata personazhe, që vihen në siklet me pyetjet e mia, pasi unë ua lëshoj thumbin pa i pyetur shumë (qesh) dhe në këto raste nuk reagojnë fort mirë. Ose kur më shohin nëpër evente, frikësohen se thonë: Obobo, ç’pyetje do na bëjë tani!” Ka dhe nga ata personazhe, të cilët janë shumë pa komplekse e të çiltër dhe flasin hapur për çdo gjë. Këta janë kryesisht aktorët dhe këngëtarët.

Nga vajzat apo djemtë e njohur, cilët do të veçoje si më mendjehapur?

Graciano Tagani, për shembull, është një personazh pa komplekse dhe flet hapur për çdo gjë, po ashtu Olti Curri, Niko Komani, të cilët më erdhën tani në mendje. Ndërsa, sa u përket vajzave, ka plot, si balerina Isida Mollaymeri, Arinda Gjoni, Albërie Hadërgjonaj, Ronela Hajati, Lei Kraja, etj. më janë dukur shumë pa komplekse kur i kam ngacmuar me pyetjet.

Në pak kohë u shndërrove në djalin e memeve virale. I kujton rastet?

Që në puntatën e parë të “Thumb” u bëra “meme” me interpretimin e këngëtarëve, për shembull kur imitova Encën me këngën “Rendez Vouz”, te pjesa kur ajo derdh qumështin. Më pas, kishin nxjerrë pastaj meme mua dhe Encën dhe thonin kush e ka bërë më mirë. Virale fare u bë dhe me balerinën Isida Mollaymeri, kur i thashë të ta lëpij pak, (në këtë rast e kisha fjalën për fytyrën).

Madje, u mbushën dhe portalet me atë kërkesë që i bëra Isidës (qesh). Dhe te ditëlindja e Gracianos, aty kishin kapur shumë pjesë nga eventi dhe i kishin bërë meme. Ka pasur shumë, në fakt, sa më thoshin nuk hap dot “Instagram”-in se vetëm ti më del. Së fundmi, ka qenë dhe rasti kur vesha takat dhe fundin te Tregu Çam dhe ngacmoja qytetarët.

Si reagojnë njerëzit kur të shohin?

Tek emisioni “Thumb” bëj fiks atë që dua dhe njerëzit tashmë më njohin dhe më pëlqejnë për origjinalitetin, që unë jam dhe përcjell tek ta. Ka shumë nga ata që më pyesin: Po si këndon në rrugë, ashtu me të madhe, nuk ke turp?! Bravo për guximin më thonë! Epo boll kemi parë gjëra klishe nëpër ekrane, është koha dhe momenti që njerëzit të shohin situata prej vërteti dhe të argëtohen.

Komenti më i keq që ke lexuar për veten?

I keq s’besoj se mund të jetë, por kur më quajnë ndonjëherë mendjemadh. Gjë që s’është në karakterin tim, por kështu u dukem në pamje të parë, sigurisht jo të gjithëve.

Je i informuar mirë për jetën private të personazheve të njohur në mënyrë që t’i kapësh mat apo t’i nxjerrësh zbuluar?

Jam disi i informuar, por dihet që VIP-at tanë vështirë se flasin për jetën e tyre private, pasi janë të prirur më shumë të mbajnë sekret. Por unë si një superkunj që jam, s’me rrihet pa ua nxjerrë ndonjë gjë dhe pa u lëshuar pak atë thumbin tim (Qesh). Kështu që, edhe nëse nuk jam i mirinformuar ua qëndis aty për aty të gjitha. Personazhet shqiptarë më shumë në siklet vihen kur flasim për seksin!

Nga takimet me ta ke kuptuar se jeta e tyre është më e bukur se ajo e “Instagram”-it, apo e kundërta?

Jo, jo, kot namin kanë. Në “Instagram” secili e shet veten sikur bën një jetë mondane dhe luksi, por jo gjithçka që duket nga jashtë është ashtu!

Pak ditë më parë postove foto me një vajzë që u komentua si e dashura jote. Ka ndryshuar diçka në jetën tënde?

Ajo është një mikesha ime modele, asgjë më shumë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat