Kastro Zizo: 35-vjetori më gjeti si burrë gjithë eksperienca. Strategjia ime sekrete për të rrëmbyer votat për kryetar bashkie

Mediale Vip

Kastro Zizo: 35-vjetori më gjeti si burrë gjithë eksperienca. Strategjia ime sekrete për të rrëmbyer votat për kryetar bashkie

Më: 28 maj 2019 Në ora: 21:49
Kastro Zizo

Dy martesa, dy fëmijë e 1001 net si te kënga e tij “Sonata e gjumit”, deri në festën e 35-vjetorit. Nga emri i lindjes, Klevis Bega ka kaluar shumë eksperienca si Kastro Zizo, artisti që me të njëjtin pasion bëhet pjesë e politikës. Për strategjinë e tij personale për të rrëmbyer votat që do e ulin në karrigen e kryetarit të Bashkisë së Përmetit, netët në televizion me të ftuarit e veçantë, divorcin nga alkooli dhe filozofinë për dashurinë e vërtetë, Kastro flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

35-vjetori të gjeti burrë me shumë eksperienca, apo djalë që ende ka pasiguritë e veta për t’u ndierë plotësisht burrë?

Një burrë me eksperienca, por një djalë i brishtë ende, që s’do të pranojë apo dojë të rritet.

Në këtë ditë shkrove një status, ku thuhej: “Në këtë 35-vjetor të lindjes sime sapo u bëra një YLL. Një Yll prej vërteti ama… jam vetëm 175 vite dritë larg për çdo gëzim e hidhërim!” Për çfarë bëhej fjalë?

Për ata që më duan dhe më urrejnë, më kanë shumë kollaj për të më gjetur, pështyrë apo dhënë një frymë dashurie duke parë qiellin natën vonë…

Mund të themi se je ylli i “Late night show”, programit tënd të orës së vonë, ku fton personazhe të njohur për t’i intervistuar. Ka ndodhur që me ndonjë nga vajzat në studio ke rënë në dashuri gjatë bisedave televizive?

(Qesh) Jooo… Këtë s’e kam bërë kur kam qenë i ri, e jo më tani në “pleqëri”. Unë jam shumë profesional në punën time.

Në konkurrencë me moderatorët e tjerë të orëve të vona, cilin do të përmendje si më të fortin?

Nuk kam rival në atë që bëj. Një Kastro Zizo ka bota… Nëse nuk do isha, do të duhej të më shpiknin! Përveç emrit të emisionit që është standard ndërkombëtar, çdo pjesë e imja në atë emision është superorigjinale, ndryshe nga disa formate apo moderatorë që janë si një “puzzle” me copa të huazuara nga të mundin. Megjithatë, kam respekt për të gjithë ata që punojnë!

Nga muzika, kinemaja dhe televizioni, kur kujton se ke prekur fundin apo që ke përjetuar delirin e vërtetë?

Ndoshta me muzikën… Por çdo gjë që kam bërë e kam bërë me plot dashuri, por ashtu kalimthi.

Deklarove se do të hidhje kandidaturën për kryetar Bashkie i Përmetit. Çfarë atraksioni mund të ndërtoje në atë qytet për të joshur turistët?

Unë jam me moton: Hani, pini dhe këndoni! Në atë vend të bukur vetëm këtë mund të bësh!

Të bësh fushatë politike për të rrëmbyer votat e një qyteti tjetër, ndërsa vetë jeton në metropol mbase nuk është e thjeshtë. Si mund t’ua mbushësh mendjen atyre të ta japin votën?

Kur të vijë momenti, do t’ju tregoj strategjinë time!

Të jetosh qetë, pasi ke abuzuar me alkoolin është një mision i mundur?

Shumë e mundur. Ndoshta nga gjërat më të mira që duhet të bëjë një njeri.

Në emisionin që bën nuk ka munguar as monologu yt për marrëdhëniet homoseksuale. Ti beson tek dashuria brenda të njëjtit seks?

Unë besoj dhe në dashurinë e një njeriu me një pulë. Secili të dashurojë këdo që i dashurohet, pavarësisht seksit, racës, llojit gjitar, shpend butak apo zvarranik. Mjafton të jetë dashuri e sinqertë dhe pa intriga.

Një natë e vonë si mbyllet për ty, dhe një mëngjes i vonë si nis për Kastron?

Një natë e vonë mbyllet me gjumë. Një mëngjes i vonë fillon me gjumë, por vazhdon me përkëdhelje dite!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat