Alex Seitaj: Si u bë hit klipi ku parodizoj politikën shqiptare

Mediale Vip

Alex Seitaj: Si u bë hit klipi ku parodizoj politikën shqiptare

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 13:57
Alex Seitaj

E vetmja gjë që i bashkon është shtalartësia, pasi me gruan zemërgur Vezire, këngëtarin dhe aktorin që u jep rëndësi ndjenjave, Alex Seitaj, nuk e lidh asgjë. Ka krijuar një karakter të plotfuqishëm si karikaturë aseksuale në spektaklin e humorit “Portokalli”, e cila me vetëbesimin që e karakterizon ka publikuar klipin “NMPT”, një parodi plot ofendime për politikën shqiptare e gjithçka tjetër që nuk shkon mirë në këtë vend. Për hit-in e momentit dhe dyzimin Alex-Vezire, artisti flet në këtë intervistë ndryshe për “Panorama Plus”.

Vezire hyn në tregun e muzikës si emër i përveçëm me klipin e saj me titull “NMPT”. Çfarë fshihet pas titullit të kësaj parodie?

Parodia “NMPT” është ajo që në anglisht do të quhej “SHADE”, pra një këndvështrim shumë sarkastik i ngjarjeve që po ndodhin në Shqipëri. Ashtu si shumica e parodive të Vezires, pavarësisht dozës së madhe të groteskut, shoqërohet gjithmonë nga një ndjesi pozitiviteti. Duke thumbuar apo goditur probleme të shoqërisë, por pa e vrarë mendjen shumë.

Në vargjet e tua, ti bën ofendime publike drejtuar nga politikanët e deri te të papunët që shajnë në internet. Ti thua se nuk të plas, por a është kjo zgjidhja?

Koncepti “nuk më plas” është shumë relativ në këtë parodi. Pasi edhe pse kjo gjë shprehet qartë, problematikat nxiren një nga një dhe goditjet vijnë njëra pas tjetrës. Si çdo copëz arti, edhe kjo parodi në qendër ka reflektimin. Në fund të fundit, Vezires, një personazhi fiktiv, mbase edhe “nuk i plas”, por publikut, dëgjuesit, madje dhe mua performuesit, kjo gjë na bën të mendojmë. Sepse dashur padashur Vezirja ka nënvizuar një nga një disa problematika reale për të cilat të gjithëve “na plas”.

Me grimin e rënduar, tashmë je identifikuar si një grua e vërtetë e skenës. Sa është mosha e personazhit tënd, dhe a je frymëzuar nga një person real në Shqipëri?

Vezirja është një Frankenshtain personalitetesh. Imazhi është shumë i frymëzuar nga aktoret e viteve ’40 në Hollywood, që në shumicën e rasteve ish-in gra pompoze të mbushura me sharm dhe madhështi, e që në privatësi kishin jetë tërësisht të shkatërruara. Imazhi glamuroz i Vezires është një fasadë që fsheh personalitetin e saj gjakatar, disa herë edhe brutal. Por, nga ana tjetër, nga një person që nuk ka frikë asgjë dhe askënd dalin të vërteta të thëna troç, përsa i përket realitetit që na rrethon. Edhe pse ka shumë “shqiptarllëk” brenda Vezires, nuk jam frymëzuar nga një personalitet real shqiptar, pasi shpeshherë më janë dukur tepër të mërzitshëm.

Në “Portokalli” bie ne sy për shtatlartësinë dhe prezencën e veçantë. Të vjen mirë që je bërë më shumë VIP si Vezire, sesa si Alex?

Kjo është disi e komplikuar. Vezirja nuk është i vetmi rol që kam luajtur. Fakti që shumë njerëz më identifikojnë me këtë personazh nuk më bezdis. Por gjithmonë kam dashur të vë vija ndarëse mes meje dhe të gjithë personazheve që kam luajtur. Dhe këtë gjë e bën çdo aktor profesionist. Edhe pse do të më pëlqente që Alex të kishte të njëjtën audiencë që ka Vezirja, është pakti që kam bërë që në fillim kur zgjodha të isha aktor. Dhe është pjesë e profesionit që publiku të njohë më mirë personazhin se aktorin.

Nëse do të flisnim për Alex vs Vezire, ku ndryshojnë dhe ku takohen bashkë?

Alex nuk do të shprehej kurrë aq lirshëm sa Vezirja. Vetëbesimi që ka ajo e kalon vetëbesimin që unë kam. Pastaj, në fund të fundit, Vezirja është një grua zemërgur që ndjek një logjikë të ftohtë. Kurse unë jam më tepër shpirtëror dhe nuk nguroj të bëj atë që ndjej.

Në shumë numra je kombinuar çift me aktorë të njohur të “Portokalli”. Ç’do të veçoje nga dueti me Gaz Pajën, apo numri si motra e Flor Binajt?

Numri me Gazin ishte një gjetje brilante. Bashkimi i një kryevepre të Michael Jackson me polifoninë shqiptare ishte gjenial. Dhe mënyra se si ky bashkim erdhi muzikalisht ishte akoma me surprizues. Shpeshherë mbetemi në klishenë që, nëse është parodi për humor, s’ka rëndësi ana muzikore. Por kjo gjë nuk ka ndodhur me këtë numër. Ashtu si nuk ndodhi dhe me numrin e fundit me Veziren dhe Ludmillën (Flor Binaj). Teksti komik, por një performancë e kuruar dhe shumë profesionale. Ishte bukur të shihnim se si publiku kalonte midis së qeshurës komike dhe më pas emocionohej nga performanca.

Nëse kthehemi te parodia jote, duket se ke mbajtur një qëndrim për situatën politiko-sociale të momentit. Çfarë komenti do bëje për momentin që po kalon Shqipëria?

Është një situatë e vështirë. Dhe është absurde ta them këtë duke qenë se kjo situatë ka gati një dekadë që po vazhdon. Më duket si një piramidë, që dalëngadalë po i vjen fundi dhe një Zot e di çdo të ndodhë kur të arrijmë në atë pikë. Askush nuk është i kënaqur me mënyrën se si gjërat po shkojnë në Shqipëri, dhe prapë të gjithë gjendemi të pafuqishëm për të bërë diçka. Mendoj se tani të gjithë e kanë pranuar, fatkeqësisht, këtë fakt dhe e kemi lënë veten të lirë që dallgët që na qeverisin, të na hedhin e të na përplasin ku të duan.

Si Alex ke konkurruar në “Kënga Magjike”, po si Vezire, sa e mundur është të garosh në ndonjë festival?

Kjo është disi e komplikuar. Vezirja mbetet personazh dhe nëse shkojmë me logjikën e personazhit, nëse Vezirja konkurron në një kompeticion dhe nuk fiton gjë, me shumë mundësi do i vërë zjarrin skenës. Mendoj që më tepër se konkurs, performanca e Vezires duhet të jetë e mirëmenduar dhe e inskenuar. Ashtu si çdo performancë e saj.

Të jetosh nën lëkurën e një personazhi të seksit tjetër, të dëmton nga ana psikologjike apo të shëron?

Absolutisht jo. Çdo personazh ka lodhjen e vet. Por Vezirja më ka ndihmuar që të vlerësoj komoditetin e të qenurit mashkull, por gjithashtu edhe të kuptoj peripecitë që kalojnë femrat këto ditë. Edhe pse Vezirja është femër, fizikisht, unë nuk do e quaja tamam femër. Ajo është një karikaturë femre, e mbivizatuar. Tamam, tamam është një personazh i atyre filmave vizatimorë me asnjë tipar normal njerëzor. Asnjë femër nuk bën makiazhin e Vezires, vesh gjërat ekstravagante që Vezirja vesh, apo të vendosë 7 kurora me lule në kokë, duke menduar që është normale. Kjo është e bukura e këtij personazhi, është shumë larg meshkujve, por edhe femrave. Mendoj që Vezirja futet në kategorinë: “Një klloun me stil dhe klas”.

Cila do të ishte partnerja ideale për Alex dhe partneri ideal për Veziren?

Mua më tërheq shumë mënyra se si njerëzit mendojnë, botëkuptimi i tyre dhe sensi i humorit. Nuk kam frikë të ndjek zemrën nëse rreh për dikë. Ndërsa Vezirja është tjetër lloj “kafshe”. Deri diku, Veziren e kam menduar si një qenie aseksuale, që nuk e tërheq askush. Të vetmet gjëra që e tërheqin atë është pushteti dhe pasuria, dhe në këtë pikë nuk kam asgjë të përbashkët me personazhin që luaj.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat