Titujt e mediave rozë nuk mund të kenë qenë transparentë në sytë e koreografit të njohur Albi Nako dhe, pa dyshim, edhe të Alba Hoxhës, balerina e trupës së baletit në Tv Klan, e cila, për një kohë të gjatë është përfolur për një raport të ngushtë me Albin.
Edhe pse asnjëri prej të dyve nuk e ka pranuar publikisht raportin më shumë se miqësor, lajmet nuk kanë ndalur, madje, i fundit për ta, guxonte të shkonte deri edhe te një ndarje e mundshme e koreografit me balerinën, e cila, me gjasë, kishte ardhur për shkak të mosaprovimit të prindërve.
Lajmet kanë pasuar njëri-tjetrin nëpër portale, edhe pse Albi dhe Alba nuk konfirmuan, as mohuan ndonjërin në veçanti. Të dy merren me projektet e tyre, në balet dhe jashtë tij, ndaj edhe refuzojnë të rrëmbejnë vëmendjen e publikut për raportin e tyre personal.
Albi ishte i ftuar në "Rudina" për të folur për akademinë gjigante me emrin e tij, e cila do të hapet së shpejti, si edhe për të sqaruar një herë e mirë të gjithë kureshtarët për raportet e tij private.
Pas pyetjes së Rudinës për lajmet e fundit që kanë qarkualluar në portale, madje edhe për një ndarje të mundshme të tij me Alba Hoxhën, Albi tha se gjithçka është fryrë në media është mjaft qesharake:
"Gjithmonë mes nesh ka pasur një raport korrekt profesional, korrekt miqësor", – tha Albi duke shtuar se një fuqi portalesh aluduan për"ndarje" mes tyre, sepse ata vendosën të mos e ndiqnin më njëri-tjetrin në Instagram: "Ishte një pakt që bëmë me Albën, të mos e ndiqnim më njëri-tjetrin në Instagram, sepse i merrnim fansat", – tha ai me të qeshur.
Një prej arsyeve të ndarjes, e komentuar këto ditë, ishte mosaprovimi nga ana e prindërve për këtë raport. Për këtë, Albi tha se është qesharake: "Ajo arsyeja për mosaprovimin e prindërve ishte qesharake.
Kuptohet, për mua nuk mund të vendosin prindërit, sepse në moshën që jam, unë mund të isha prind vetë…", – tha koreografi duke dashur ta mbyllë këtë çështje, për t’u fokusuar te projektet e tij profesionale: "Jemi miq të mirë, bashkëpunëtorë të mirë dhe pjesa tjetër nuk mendoj se duhet të marrë vëmendje më shumë se kaq" – e mbylli Nako duke konfirmuar se Albën ai do ta angazhojë, si gjithmonë, në projektet e reja në Tv Klan.