Rrëfimi i Sharon Stone për sëmundjen nga e cila humbi gjithçka dhe për pak sa nuk ia mori jetën

Mediale Vip

Rrëfimi i Sharon Stone për sëmundjen nga e cila humbi gjithçka dhe për pak sa nuk ia mori jetën

Më: 20 korrik 2019 Në ora: 23:15
Sharon Stone

Duke folur në një mbrëmje humanitare kushtuar shëndetit të trurit femëror në Los Angeles, Sharon Stone ka rrëfyer se Hollyëoodi ka qenë i pamëshirshëm ndaj saj para 18 vitesh kur kishte përjetuar goditje të rëndë në tru.

Aktorja e famshme amerikane duke kujtuar përvojën personale, ka thënë se kjo gjendje është shumë e rrezikshme dhe për t’u shëruar nevojitet kohë e gjatë.

“Më janë dashur shtatë vite që të vi në vete. Nëntë ditë kam pasur gjakderdhje në tru”, citon Variety fjalët e 61-vjeçares.

“Kam duruar çnjerëzi dhe shëmti nga koleget e mia e deri në gjykatën që vendosi për kujdestarinë ndaj djemve të mi”, ka treguar Stone, e cila asokohe u shkurorëzua nga gazetari Phil Bronstein.

Në atë kohë, Sharon ishte aktorja më e kërkuar për filma, mirëpo për shkak të sëmundjes e humbi atë status.

“Në atë kohë isha aktorja më e kërkuar. Përpiqesha të funksionoj normalisht, të punoj, ndërsa më pas ngrita hipotekë të re në shtëpinë ku jetoja. Humba gjithçka që kisha. Pastaj e humba edhe statusin që e kisha në Hollywood”, ka rrëfyer ajo.

Stone i ka këshilluar të tjerët që të jenë të vëmendshëm nëse përjetojnë një gjendje të ngjashme.

“Nëse ju dhemb shumë koka, duhet të shkoni në spital. Unë jam lajmëruar te mjekët në spital në ditën e tretë pas goditjes në tru”.

“Shumica e njerëzve vdesin në atë periudhë, kisha shanse vetëm një për qind për të mbijetuar nga operacioni. Rreth një muaj nuk e kanë ditur nëse do të mbijetoja. Nuk e kam pasur idenë se kam qenë në gjendje aq të rëndë, derisa kam lexuar në gazeta”, ka thënë aktorja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat