Përlotet në emision, Tefta kujton ditën e fundit me Françesk Radin: Më mungon shumë

Mediale Vip

Përlotet në emision, Tefta kujton ditën e fundit me Françesk Radin: Më mungon shumë

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 06:22
Tefta dhe Françesk Radi

Një natë dedikuar Françesk Radit, artistit të madh që guxoi me muzikën e tij. Kjo ishte tema e kësaj të mërkure në Soiree me Jonida Shehun në Top Channel.

Bashkëshortja e tij Tefta Radi u shfaq në ekran pas shumë kohësh dhe arsyeja ka qenë Franko, për të kujtuar artistin e famshëm që bëri revolucion në muzikën shqiptare.

Sigurisht që kjo mbrëmje do të kishte edhe lot, përpos historive interesante dhe muzikës së tij të paharrueshme. Tefta nuk ka mundur dot që t’i ndalte lotët e saj për Françesk Radin teksa është shprehur se i mungon shumë.

“Më mungon shumë, së pari Franko”, tha Tefta.
“Takon shumë miq të Frankos në rrugët e Tiranës të paktën kur vjen në Tiranë për punët e tua?”, e ka pyetur Jonida Shehu.

“Takoj miqtë e Frankos që më rrinë shumë afër, takoj kolegët e mi, por Franko më mungon shumë”, ka treguar ajo e përlotur.
Më tej ajo është pyetur se si ishte dita e fundit me Françesk Radin.

“Dita e fundit me Frankon ishte si një nga ditët tona të zakonshme, mjaft e lumtur. Ishte e dielë, më kishte ardhur vëllai nga Australia, ishim në Petrelë në një zonë të bukur, drekuam me miqtë tanë, me Mark Lulin dhe bashkëshorten e tij. Ishte një ditë plot humor, plot batuta, sepse një nga të veçantat e Frankos ishte humori i tij, buzëqeshja e tij e ëmbël dhe humori me batuta që të bënte të flakje tej çdo lloj nervozizmi.

Ishte një ditë e zakonshme, sepse të gjitha ditët tona ishin të bukura. U kthyem në shtëpi rreth orës 6. Pas gjysëm ore pushimi u fut në studion e tij. U ul për të punuar. Ishte duke përgatitur 5-6 këngë para se të largoheshim për në Australi në një recital që do t’i realizonte tek Alban Dudushi me tenorin Kastriot Tusha. Ishin këngë të zgjedhura, këngë të bukura, napoletane, për t’i patur si kujtim dy miq.

Kishim dy ditë që kishim filluar provat. Ndodhi ajo çudia që ndodhi. Punoi dy orë e gjysëm. Nga ora 9 u ulëm për të parë një koncert në Rai në Arena di Verona, bëhej me gratë artiste italiane me Loredana Bertè etj. dhe të gjithë fondet do të kalonin për gratë e dhunuara.

Ishte koncert brilant. U kënaqëm dhe rreth orës 12-12:30 sa mbaroi koncerti dhe nga ora 1 ramë për të fjetur dhe Franko ra në një gjumë dhe nuk u ngrit më”, ka treguar Tefta Radi mjaft e emocionuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat