“Mbretëreshat Teuta” mblidhen në Prishtinë, shkëlqen Flora Suldashi

Mediale Vip

“Mbretëreshat Teuta” mblidhen në Prishtinë, shkëlqen Flora Suldashi

Nga: G.B Më: 18 tetor 2019 Në ora: 14:44
Manifestimi “Ditët e mbretëreshës Teutë në Prishtinë 2019”

“Ti nuk je vetëm” kushtuar grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë 1999 ishte slogani i manifestimit të 16 tetorit, që mblodhi në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë gra nga të gjitha trojet shqiptare dhe të vendeve tjera, për të shënuar “Ditët e mbretëreshës Teutë në Prishtinë 2019”.

Në kuadër të këtyre ditëve, u shënuar 15 vjetori i klubit të femrave shqiptare të Kroacisë dhe 3 vjetori i themelimit të klubit ndërkombëtar “Mbretëresha Teutë”, me drejtoreshë Shenida Bilalli që është regjisore në Kroaci.

Lidhur me ngjarjen, dizajnerja shqiptare e njohur në Evropë me krijimet e saj, që jeton dhe vepron në Gjermani, Flora Suldashi, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se këto aktivitete janë të rëndësishme dhe uron që të kenë jehonë të madhe dhe që “Ditët e Teutës” të shndërrohen në traditë.

Image

“E falënderoj zonjën Shenida Bilalli për ftesën dhe pranimin tim në Bordin "Mbretëresha Teutë" gjithashtu falënderoj zonjën Flora Nikolla për ftesën për ekspozitën e Albanian Excelence "121 jetë suksesi". Këto aktivitete i konsideroj shumë të rëndësishme dhe uroj që të kenë jehonë edhe më të madhe, të dëshmojmë se posedojmë vlera të larta intelektuale, njerëzore, artistike etj. Të zgjojmë Antiken nga gjumi si mision i organizatës Mbretëresha Teutë dhe "Ditë e Teutës" të shndërrohen në traditë që sjell antikën në modernen, që lartëson dhe sjell në dritë figurën e madhërishme të Mbretëreshës Teutë, të ndriçojmë faktet që jemi populli autokton dhe më i lashtë në Ballkan”, ka thënë Suldashi.

Ajo ka falënderuar Feride Rushitin dhe Vasfije Krasniqin për punën që kanë bërë, duke ngritur zërin në përmasa ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës.

“Po ashtu në emër të organizatës "Mbretëresha Teutë" falënderoj zonjën Feride Rushiti dhe Vasfije Godman për punën e tyre të palodhshme nën moton "Bëhu zëri im" të cilat ngritën zërin në përmasa ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës. Një respekt të lartë për zonjën Brunilda Paskali, që me prezencën e saj i dha peshë institucionale kësaj ngjarje. Falënderojmë edhe zonjën Maria Pacolli që gjeti kohë të jetë prezent në këtë ngjarje. Aktivitetet e "Mbretëresha Teutë" do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke thurur takime kulturore por edhe diplomatike e mbretërore”, është shprehur Flora për “Bota sot”.

Image

E derisa ngjarja ishte kushtuar femrave të dhunuara gjatë luftës, Vasfije Krasniqi Goodman u nderua me çmimin “Mbretëresha Teutë” ambasadore e guximit, si një heroinë që i tregoi botës tmerrin që ka përjetuar gjatë luftës nga serbët, të cilët e kanë dhunuar.

Derisa duartrokitjet për të nuk ndaleshin, ajo tha se do të jetë ajo personi për të cilin Serbia do të paguajë për krimet që ka bërë në Kosovë, duke shtuar se këtë herë ka ardhur me gëzim në Kosovë, pasi përveç saj, tmerrin e përjetuar gjatë luftës e ka rrëfyer edhe Shyhrete Tahiri.

“Qëllimi im ka qenë që duke dal të flas publikisht, t’i jap kurajo edhe grave e burrave tjerë për të pasur lirinë në familje për të folur por edhe të kërkojnë drejtësi. Nuk jam unë e vetmja, tashmë e kemi edhe një heroinë tjetër, Shyhrete Tahiri. Këtë herë në Kosovë kam ardhur me një gëzim të madh, sepse nuk doja të jem e vetmja që kam folur. Unë e kam një mesazh për familjarët dhe të gjithë meshkujt shqiptarë, mëso i thuaj vetit shqiptar e patriot, nëse krimet që i ka bërë Serbia, dhunimet i fshihni, nuk na leni të flasim. Dy gjëra që do t’i them për drejtësinë, mbështetja që ma jepni ju dhe mbështetja që ju ua jepni tjerëve. Unë do të jem ajo që Serbia do të dënohet për krejt krimet që i ka bërë në Kosovë”, u shpreh Vasfije Krasniqi-Goodman para të pranishmëve.

E organizatorja e gjithë eventit, regjisorja e njohur në Kroaci, themeluese e klubit ndërkombëtar “Mbretëresha Teutë”, Shenida Bilalli, tregoi se 30 vite më parë ajo kishte lënë Kosovën, por që asnjëherë nuk kishte harruar vendlindjen, derisa si regjisore e njohur në botë, kudo ku kishte shkuar, kishte bërë thirrje që të mos ketë luftëra, sepse kishte frikë për Kosovën.

“Para 30 vite  i kam lënë prindërit, e kam lënë Prishtinën, kam shkuar, më janë hapur dyer të mëdha në Kroaci, kam qenë regjisore nr.1 por në asnjë moment nuk e kam harruar popullin tim të vuajtur, asnjë moment nuk kam mundur të shkoj nëpër tepiha të kuq si regjisore të talentuar, duke e parë vuajtjen e popullit tim. Kam kaluar luftën në Kroaci, në Bosnjë, gjithmonë me frikën se çfarë do të ndodhë me Kosovën. Kam bërë filma, kam shkuar nëpër botë, në krejt botën kam bërë apel ‘ndalni luftërat’, vetëm që të mos përsëritet ajo që ka ndodh në Kroaci dhe në Bosnje. Ndodhi çka ndodhi, viktima janë shumë edhe në Kroaci edhe në Bosnje, por në Kosovë ishte tmerr, edhe ajo çka është më e keqja, e kam ditur se ata nuk do të kenë mëshirë për femrën shqiptare. Për atë, unë të gjitha gjërat po i shikoj, po i përcjell”, ka thënë ajo.

Image

Derisa Bilalli ngreh lart femrën shqiptare e cila thotë se duhet të mbrohet, flet për gratë e dhunuara të cilat duhet të përkrahje, ato që kanë folur të vazhdojnë përpara, e ato që nuk kanë folur të flasin dhe të tregojnë atë që ju ka ndodhur.

“Mendoj se femra shqiptare e ka vendin numër një, ajo duhet të mbrohet, sepse ajo e ka mbrojt vendin e saj, ka qenë e vetme dhe është dhunuar. Unë pse e kam bërë këtë “Ti nuk je vetëm”. Të gjitha gratë kanë një luftë të posaçme, luftë me veten, luftë me burrin, me rrethin, luftë me shtetin që nuk i ka kuptuar. Për atë ne sonte duhet të jemi të vetëdijshëm dhe me i ndihmu. Këto që kanë folur t’i përkrahim dhe të shkojmë përpara, por edhe ato që nuk kanë folur t’i kapim për duar dhe t’i ndihmojmë. Për atë kam thënë që nuk je vetëm dhe në emër të të gjitha grave nga bota, kemi prej 20 vendeve që kanë ardhur sonte, të gjitha Teutat janë mbledhur dhe po ju përkrahin dhe do t’ju kapin duar që janë me ju”, ka vazhduar më tej.

Ajo tregon se si i kanë thënë se femra shqiptare është e prapambetur, por ajo u ka përmendur Mbretëreshën Teutë, të cilët shqiptarët e kanë pasur, që ka qenë e guximshme, por është tradhtuar dhe e kanë dënuar duke dashur ta dhunojnë, andaj thotë se për këtë dhe këto ditë quhen “Ditët e Mbretëreshës Teuta””.

“Të gjithë po thonë që femra shqiptare është e prapambetur, unë nuk ju them nuk është, pse? Unë si regjisore ju them që jam shqiptare, na e kemi pasur Mbretëreshën kur se ka pasur askush, statusin e femrës më të lartë e kemi pasur, Mbretëreshë, por ne kemi pasur një propagandë shumë të mëdha. Ndërsa tani ne kemi shtetin tonë dhe duhet t’i tregojmë vlerat tona që i kemi. Mbretëresha Teuta duhet të përmendet, ka qenë e fuqishme, por kanë thënë gjëra të këqija për të. Por ajo ka qenë një mbretëreshë e cila ka pasur edhe shtetin, edhe monedhën edhe ushtrinë. Ka kundërshtuar shumë shtete të fuqishme, Greqinë dhe Romën, ata nuk e kanë falur sepse ka qenë femër dhe e kanë dënuar shumë keq. Fati i Teutës është shumë i dhimbshëm, e kanë tradhtuar, e ka humbur mbretërinë, e ka humbur dashurinë, pro romakët kanë dashur edhe ta dhunojnë. Për atë unë këtë natë e kam emëruar “Ditët e Mbretëreshës Teuta””, ka thënë Shenida Bilalli.

Image

Në lidhje me manifestimin dhe temën e tij, foli edhe këshilltarja e presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, Brunilda Paskali, e cila shprehu përkrahjen për zonjat, derisa kërkoi që të gjithë t’i përkrahim dhe t’ua lehtësojmë gjithë dhimbjen me dashuri, sepse kanë nevojë ta kapërcejnë këtë situatë të rëndë.

““Ditët e Mbretëreshës Teutë” kanë arritur në Prishtinë dhe shpresoj që këto ditë të na mbërrijnë edhe në Tiranë. Ndërkohë dhe vet tema është shumë kuptim për të gjitha ne. Natyrisht dhimbja që këto zonja kanë kaluar në ato vite, ne vetëm mund ta mendojmë, të gjendemi pranë tyre me shpirtin tonë dhe t’ua lehtësojmë duke u shprehur dashuri. Por nga ana tjetër është me rëndësi që këto zonja të marrin një vlerësim moral edhe më të lartë sepse kanë nevojë të kapërcejnë një situatë të rëndë, që nuk ia urojmë asnjeri. Dhe unë dua të shpreh personalisht përkrahjen time për këtë kauzë, kam punuar edhe në Shqipëri për të përçuar zërin e këtyre zonjave dhe kemi mbledhur firma për këto zonja. “Ti nuk je vetëm”, kjo është e rëndësishme. Është shumë e rëndësishme që të jemi bashkë”, u shpreh Paskali.

Çmimi “Mbretëresha Teutë” iu nda edhe Feride Rushitit, Brunilda Paskalit, Flora Nikollës, Sanije Gashit, Ramize Murtezi-Shalës, Shyhrete Tahiri-Sylejmani.

Përpos për fjalimet dhe punën e madhe të tyre, zonjat e pranishme atë mbrëmje, ishin përkujdesur edhe për pamjen e tyre, që secila dukej më bukur se tjetra.

Dizajnerja Flora Suldashi shkëlqeu me paraqitjen, e veshur në të zeza, përplot stil, derisa dhe njihet për veshje të panumërta që ka bërë për shumë figura të njohura shqiptare e përtej trojeve shqiptare.

Për fotografitë e këtij eventi u përkujdes fotografi i talentuar Endrit Hoti, duke nxjerr në pah mjaft bukur të gjitha paraqitjet gjatë eventit kulturor-artistik.  

Gjatë eventit pati valle e këngë nga këngëtarë e grupe valltarësh, duke e bërë mbrëmjen edhe më magjike.

E krejt në fund ishte dhe ekspozita “121 jetë suksesi në 121 foto” nga Albanian Excellence, në mesin e të cilave bën pjesë edhe Flora Suldashi.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat