Rrëfehet “Miss Trans Kosova”, Fenix: Nuk e prisja kurorën e Miss-it, s’e vras mendjen për paragjykimet

Mediale Vip

Rrëfehet “Miss Trans Kosova”, Fenix: Nuk e prisja kurorën e Miss-it, s’e vras mendjen për paragjykimet

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 20:34
Miss Trans Kosova Fenix

“Gjithmonë kam arritur të ofroj diçka të bukur dhe të re, aq sa t’i bëj performueset e tjera të kopjojnë dhe të performojnë me ato këngë, që dikur unë i kam performuar”.

Kështu pohon ‘djaloshi’ që ka fituar kurorën e më së bukurës në evenimentin e bukurisë Miss Trans Kosova e që vjen në një intervistë për “Panorama Plus”.

Çfarë ndjesie është të mbash titullin “Miss Trans Kosova”?

Ndjenjë e përzier, por e mirë, mendoj se çdokush do ta dëshironte ta ketë këtë ndjenjë, por jo të gjithë me patjetër mund ta përjetojnë.

A kishte konkurrencë dhe a e keni pritur që do ta rrëmbenit ju kurorën e më së bukurës?

Duke u bazuar se ishte hera e parë që organizohet një event i tillë në Kosovë, konkurrenca ishte e fortë dhe të them të drejtën, nuk e kam pritur, thjesht e kam menduar që do jem deri në Top 3, por që do jem unë ‘Miss Trans Kosova’ s’e kam prit, por falënderoj anëtarët e jurisë, publikun dhe pjesëmarrëset që më vlerësuan dhe më votuan dhe bënë që të jem ‘Miss Trans Kosova’ për herë të parë në shtetin tonë.

A ka ndryshuar diçka nga jeta jote pas pjesëmarrjes në këtë event?

Nuk është që kam bërë ndryshime të mëdha, sepse edhe para se të isha ‘Miss Trans Kosova’ kisha suksese të tjera, por normal që me këtë titull është më ndryshe. Isha më në qendër të vëmendjes dhe përgjegjësia ishte më e madhe se si do prezantohem në vendet ku isha e ftuar, sepse doja që vendi im jo vetëm ta ketë një Miss të bukur, por edhe të mençur, sepse personalisht mendoj se vetëm bukuria e jashtme nuk mjafton. 

Ju, përveç që njiheni si ‘Miss Trans Kosova’, merreni edhe me performanca në vende të ndryshme, sa e keni të vështirë t’i aranzhoni të gjitha vetë?

Aspak nuk është e lehtë, por me vullnet të mirë, duke e dashur këtë punë, gjithmonë ia del me sukses çdokush. Thjesht duhet ta kesh idenë se çka don dhe si do dukesh. Hapi i parë që unë bëj është përzgjedhja e këngës, me të cilën do performoj dhe pastaj duke u bazuar te kënga, krijohet stili dhe nga stili krijohen lëvizjet skenike. Deri më tani, asnjëherë nuk kam bërë prova rreth performancave, por gjithmonë kam arritur të ofroj diçka të bukur dhe të re, aq sa t’i bëj përformueset e tjera të kopjojnë dhe performojnë me ato këngë, që dikur unë i kam kam performuar (hahaha) ndjenjë e mirë edhe kjo.

Duke klikuar në faqen tënde zyrtare në “Instagram”, ajo që bie në sy dukshëm është stili tejet provokativ, ju pëlqen ky stil apo vetëm pse është ‘In’?

Që të dyja nga pak, mendoj se nuk përdor veshje të tepruara. Gjithmonë mundohem të dukem bukur, sepse kur je e veshur mirë, ti së pari e respekton veten, pastaj të tjerët. Veshja thjesht është një pasqyrë, apo pasaportë identifikuese për syrin e të tjerëve.

Si është një ditë e zakonshme për Fenix-in?

Zgjohem në mëngjes herët, përgatitem dhe nisem për në punë, por gjithmonë pa pirë kafen e mëngjesit nuk e bëj asnjë hap. Jam tip që nuk i planifikoj gjërat, thjesht i lë që të rrjedhin vetë, çdo gjë le të jetë spontane.

Përpos komplimenteve, a përballeni me thashetheme, si i prisni ato?

Pse, keni dëgjuar diçka aa?! Besoj që e kuptuat që nuk merrem me këto gjëra, thjesht kush ka kohë që nga jeta tyre të harxhojë kohë nga koha vet, le të merret me jetën time. Derisa ata merren me mua, unë po e shikoj jetën time, pse jo, marketing falas. Çfarë do pritet nga ti në një afat të shkurtër kohor? E ceka më lart se nuk i planifikoj gjërat, çdo gjë le të rrjedhë vetë me kohën.

Pse keni vendosur të quheni Fenix?

Më pëlqen si emër dhe kuptimi saj, për ata që e dinë se çfarë do thotë Fenix.

Cili është mesazhi juaj?

Mesazhi im është: Jetoje jetën ashtu si ti ndihesh, mos e mbyll veten duke shkelur dëshirat e tua, asgjë nuk është e pamundur, vetëm me vullnet të mirë dhe energji pozitive, çdo gjë bëhet e arritshme.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat