Alketa u përgjigjet polemikave që kanë paraprirë Festivalin: Këtu bebja vdes pa lindur

Mediale Vip

Alketa u përgjigjet polemikave që kanë paraprirë Festivalin: Këtu bebja vdes pa lindur

Më: 16 dhjetor 2019 Në ora: 06:42
Alketa Vejsiu

Ashtu siç ndodh shpesh me festivalet apo me ngjarjet e tjera të mëdha, edhe edicioni i 58-të i Festivalit të Këngës është shoqëruar me polemika. Ende pa nisur, ende pa u publikuar këngët apo pa u bërë i ditur asnjë detaj, të shumtë qenë skeptikët, njerëzit që filluan të aludonin dhe ata që kanë kontestuar.

E ftuar në emisionin “Java” në Radio Televizionin Shqiptar, në një diskutim me Preç Zogajn dhe Lorenc Vangjelin, Alketa Vejsiu u ndal pak te këto polemika që e kanë shoqëruar Festivalin ende pa nisur.

“Dua të qëndroj pak te polemika. Unë jam shumë e hapur dhe e shikoj botën në një vizion shumë demokratik. Të gjithë le të flasin dhe të thonë atë që mendojnë. Por nuk mund të aludosh, në qoftë se nuk je i mbështetur në fakte dhe në prova. Ti nuk mund të aludosh dhe të fyesh ndërgjegjen artistike të tre njerëzve, të cilëve u është besuar të jenë në juri. T’i kontestosh në mënyrë kaq të dhunshme dhe kaq joetike publikisht.

Ndodh diçka interesante, fenomen për të cilin mediat duhet të flasin, këtu bebja vdes pa lindur. Domethënë është në fazë embrionale një projekt, fillojnë dhe i bien, në mënyrë shumë të dhunshme. Nuk e kursejnë fare artistin, atë njeri që e bën këtë punë duke vendosur shpirtin.

Unë ju siguroj që nuk ka pasur asnjë lloj tendence dhe asnjë lloj mundësie për të pasur abuzime me financat dhe me buxhetin e këtij festivali. Nëse dikush ndër paraardhësit e ka bërë dhe është krijuar ky lloj opinioni, unë nuk di të them, por për këtë vit të jenë të gjithë të qartë. Duke filluar nga unë e para, që kam lënë pagën time, që e kam thënë në çdo media, e për të vazhduar me të gjithë të tjerët. Këtu kemi vendosur shpirtin dhe pasionin”, - është shprehur Alketa.

Këtë vit në Festival janë 20 këngë pjesëmarrëse, të cilat mund t’i dëgjoni në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube. Ndërsa në datat 19, 20 dhe 21 dhjetor do të mund t’i dëgjoni live në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat