Çfarë do të thotë që Meghan dhe Harry do të krijojnë financat e tyre të pavarura?

Mediale Vip

Çfarë do të thotë që Meghan dhe Harry do të krijojnë financat e tyre të pavarura?

Më: 11 janar 2020 Në ora: 19:58
Meghan, Harry

Kambana ra dhe atë e dëgjoi e gjithë bota! Kryelajmi i mediave britanike, që "zaptoi" bindshëm faqet e para të tabloideve më të lexuar atje, por edhe në të gjithë median rozë digjitale dhe kronikat e lajmeve ishte pikërisht vendimi i Dukës dhe Dukeshës së Sussex për t'u larguar nga titujt Royal dhe gjithë angazhimet që përfaqëson statusi mbretëror. Arsyeja? Meghan Markle dhe Harry kanë vendosur që të provojnë veten e tyre duke jetuar të pavaruar nga pallati dhe familja mbretërore, duke krijuar vetë financat e tyre.  

Në një deklaratë të befasishme, ata njoftuan se: "synojnë të tërhiqen prapa si 'anëtarë të Familjes Mbretërore" dhe synojnë të "bëhen të pavarur financiarisht", duke e ndarë kohën e tyre midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Amerikës së Veriut. Ata madje duket se po përgatiten për jetën e punës duke praktikuar zhargonin e zyrës, teksa shpjeguan se kjo ishte zgjedhja e tyre për kalimin në një model të ri pune.

Për Pallatin Mbretëror kjo ishte "bomba"! Marrja e një vendimi të tillë pa u këshilluar me askënd, tha Penny Junor, zëdhënësi i familjes mbretërore është "përtej të çuditshmes". "Do të jetë shumë më e vështirë sesa ata e mendojnë", tha Tina Brown, autore e librit "Diana Chronicles". Biografi mbretëror Robert Hardman u ankua se "monarkitë nuk bëjnë role të reja progresive, sepse kjo ka të bëjë me vazhdimësinë dhe stabilitetin", duke e quajtur deklaratën e tyre " thjesht jo shumë profesionale”.

Në realitet, abëtarët e familjes mbretërore nuk duhet të befasohen kaq shumë. Është e qartë prej kohësh që çifti ka qenë i pakënaqur me qendrën e vëmendjes. Tetorin e kaluar, ata vendosën të padisin "Maily of Sunday" për publikimin e një letre që Markle i kishte dërguar babait të saj. Në atë kohë, Harry e krahasoi mbulimin e shtypit të ngjashëm me atë të nënës së tij, Princeshës Diana, vdekja e së cilës në një aksident automobilistik shpesh fajësohet për shkak të paparacëve që po ndiqnin automjetin.

Menjëherë pas kësaj, çifti u shfaq në një dokumentar ku zbuloi luftën e Meghan Markle në qendër të vëmendjes së mediave, në të cilën ajo pranoi se nuk ishte "në të vërtetë mirë" dhe ndjehej e prekshme si nënë.

Në të njëjtin dokumentar, Harry pranoi se ishte rritur larg nga vëllai i tij, William, duke thënë se: "ne jemi me siguri në rrugë të ndryshme" dhe ai gjithashtu ka qenë prej kohësh i hapur për përpjekjet e tij për shëndetin mendor pasi Princesha Diana vdiq.

Ndërsa histeria se si duhet të sillen mbretërit dhe nuk duhet të sillen është pak e turpshme, ekziston një pyetje e ligjshme se sa progresiv mund të jetë ky vendim për çiftin dhe çfarë do të thotë "financa të pavarura" si kontekst kur zbatohet për njerëzit e pasur që përpiqen të themelojnë tashmë "markën" e tyre, me jetën e re.

Qëllimet e tyre janë pak të paqarta. Ata duan të "punojnë për t'u bërë të pavarur financiarisht". Deri më tani, ata kanë qenë "të ndaluar të fitojnë të ardhura nga çfarëdo lloj forme", por statusi i tyre i ri do t'i lejojë ata të kenë punë me orar të plotë. Është e pamundur që ata të dërgojnë CV-të, ndërsa vazhdimisht bëjnë dush dhe hekurosin këmishën e punës që do të veshin të nesërmen. Ata kanë thënë se dëshirojnë të përqëndrohen në fillimin dhe drejtimin e një "entiteti të ri bamirës", i cili është një referencë për bamirësinë Sussex Royal të ngritur në qershorin e kaluar.

Megjithatë, si mundet që kjo sipërmarrje bamirësie apo filantropike që ata synojnë të bëjnë në mënyrë të pavarur nga familja mbretërore, të jetë me të vërtetë e pavarur, të paktën për Harry-n? Profili dhe pasuria e tij u ndërtuan të gjitha nga statusi i tij mbretëror. A do të ndahej ndonjë bamirësi, biznes apo punësim tjetër në të ardhmen nga imazhi dhe privilegji i tij? Emri i tij është mbi çdo vlerë tjetër.

Markle, një grua "self made" në kuptimin që ajo ndërtoi karrierën e saj të aktrimit për shumë vite dhe e mbështeti veten me punë të pavarur midis punëve të aktrimit, para se të pushohej në dramën "Suits"! Ka më shumë një pretendim për një identitet të pavarur nga mbretëria megjithatë, pasi puna e saj është gërshetuar tanimë me atë të bashkëshortit.

Ekziston edhe çështja e financimit të taksapaguesve. Çifti thotë se ata "nuk do të marrin më fonde përmes Grantit Sovran", që është mekanizmi me të cilin mbretërorët financohen publikisht për shpenzimet e tyre zyrtare. Megjithatë, çdo vizitë zyrtare e ardhshme jashtë shtetit (për të cilën ata ende planifikojnë të bëjnë) do të paguhet nga ky financim, dhe ata gjithashtu do të vazhdojnë të jetojnë në vendbanimin e tyre në Windsor në vilën Frogmore, rinovimi i së cilës i kushtoi tatimpaguesit 2.4 milionë paund, qershorin e kaluar.

Sipas faqes së tyre të internetit, 95% e "shpenzimeve të tyre për zyra" janë nga Dukati i Cornwall-it, pronë private e Princit Charles që financon "aktivitetet e tij publike, bamirëse dhe private dhe ato të familjes së tij". Në faqen e tyre të internetit nuk ka ndonjë njoftim që ata nuk do të marrin më fonde nga kjo pasuri, pasi ata klasifikohen si “njerëz të mbrojtur ndërkombëtarisht"!

Atëherë, si do të munden ata që në mënyrë krejt private të ndërtojnë financat e tyre? Kjo mbetet për t'u parë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat