Kate Middleton flet për mëmësinë dhe fëmijërinë e saj në një intervistë të rrallë

Mediale Vip

Kate Middleton flet për mëmësinë dhe fëmijërinë e saj në një intervistë të rrallë

Nga: Bota sot Më: 15 shkurt 2020 Në ora: 19:10
Kate Middleton

Prej momentit që u bë pjesë e familjes mbretërore, Kate Middleton ka dhënë një numër të vogël intervistash të shkurtra. Ndërsa së fundmi, ajo është treguar e hapur të flasë për më shumë se 30 minuta në një intervistë të sinqertë për mëmësinë, fëmijërinë e saj dhe pasionet e hershme.

Kate u shfaq në një episod special të podcastit të Giovanna Fletcher, “Happy Mum, Happy Baby”. Dukesha foli hapur për rolin e saj si nënë e tre fëmijëve, George-it, Charlotte-s dhe Louis-it. Ajo rrëfeu për gjyshen e saj, edukimin që dëshiron t’u përcjellë fëmijëve dhe dashurinë për të kaluar kohë jashtë.

“Unë kisha një gjyshe të mrekullueshme, e cila na kushtoi shumë kohë. Luante me ne, bënte art dhe punime dore, na çonte në serra, gatuante me ne... Prandaj unë përpiqem të përfshij shumë nga aktivitetet që ajo bënte me ne, në kohën që kaloj me fëmijët e mi”, -shprehet Kate, e cila thekson edhe rëndësinë e vendit dhe njerëzve me të cilët fëmijët kalojnë kohën.

“Ka shumë vende ku mund ta kalosh kohën; një shtëpi e lumtur, një mjedis i sigurt. Në fëmijëri ne kalonim shumë kohë jashtë dhe kjo është diçka të cilën e pëlqej shumë. Mendoj se është diçka shumë e mirë për mirëqenien fizike dhe mendore”, -ka thënë ajo.

Po ashtu, Kate pranoi se ndihet shpesh fajtore kur i duhet të largohet nga fëmijët dhe të udhëtojë për shkak të punëve dhe detyrave të saj. 

Fletcher, e cila e drejton podcastin prej vitit 2017, u shpreh e çuditur nga përgjigjet e dukeshës, duke shtuar se nuk priste që ajo të fliste kaq hapur dhe të ishte kaq e sinqertë në rrëfimet e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat