Eliza Hoxha sjell albumin retro me këngë të viteve ’80/ ’90: Një dhuratë për ju

Mediale Vip

Eliza Hoxha sjell albumin retro me këngë të viteve ’80/ ’90: Një dhuratë për ju

Më: 25 prill 2020 Në ora: 14:16
Eliza Hoxha

Ishte fillimi i viteve 2000 kur kënga “Me ritëm do vallëzoj” u bë hit i kohës, por kjo ishte vetëm një pikënisje e këngëtares nga Prishtina, Eliza Hoxhës e cila më vonë u bë zëri më i veçantë dhe i dashur për publikun.

Muzika nuk ishte e vetmja rrugë që Eliza ndoqi. Ajo gjithashtu iu përkushtua profesionit të saj arkitekturës e së fundmi edhe politikës.

Por, muzika është në qelizat e saj dhe jo lehtë mund ti ndahet. Këtë e dëshmoi me projektin e fundit të cilin për herë të parë e shpalosi mbrëmë përmes një video të përmbledhur. Eliza e ka befasuar publikun në këtë kohë pandemie duke u rikthyer me një album retro që përmes zërit të saj të veçantë sjell këngë të këngëtarëve të viteve ’80 / ’90 për të cilët Eliza pohon që kanë qenë inspirim për të si e vogël.

Deniza Begolli, Vizionet e thyera, Ilirjana Riza, Fillimi i fundit, Telex, Dukagjin Lipa/Oda, BB Poqi/Babilon, janë disa nga artistët, këngët e të cilëve Eliza ka vendosur t’i sjell në ngjyrë e ton të ri me interpretimin e saj.

Eliza ka njoftuar që shumë shpejt këngët do të vijnë veç e veç në YouTube.

“Të dashur miq, po e ndaj me ju këtë projekt që është punuar e përfunduar para disa viteve dhe asnjëherë nuk e pa dritën për shkak të angazhimeve të mia të tjera… Studimet e doktoratës në Graz, Austri dhe më pas angazhimi në politikë e lanë në prapaskenë. Por, meqenëse si audio format është i kryer dhe tash në këto rrethana nuk po kam mundësi t’i kushtohem më tepër muzikës vendosa ta ndaj me ju në këtë formë”, ka shkruar Eliza e cila tutje ka falënderuar edhe bashkëpunëtorët për realizimin e këtij projekti.

“E falënderoj Florent Boshnjakun për punën fantastike dhe përkushtimin e tij në ri-orkestrimin dhe përpunimin e këngëve të realizuara në Dream House Studio, Prishtinë. Bashkëpunëtorët: Armend Xhaferi në kitarë, Valon Gashi në kitarë, Dardan Gjinolli në saksofon.”

Krejt për fund, Eliza uron dhe shpreson që ky album të ju ndryshoj disponimin në këtë kohë izolimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat