Çifti hollivudian bie dakort të pranojë fajësinë lidhur me skandalin e pranimeve në kolegje - Bota Sot
Çifti hollivudian bie dakort të pranojë fajësinë lidhur me skandalin e pranimeve në kolegje

Mediale Vip

Çifti hollivudian bie dakort të pranojë fajësinë lidhur me skandalin e pranimeve në kolegje

Më: 21 maj 2020 Në ora: 21:45
Aktorja e Hollivudit Lori Loughlin dhe bashkëshorti i saj me profesion stilist Mossimo Giannulli

Aktorja e Hollivudit Lori Loughlin dhe bashkëshorti i saj me profesion stilist Mossimo Giannulli, kanë rënë dakord të pranojnë fajësinë në një skandal që lidhet me pranimet në universite, ku çifti i ka paraqitur vajzat e tyre në mënyrë të rreme si kampione në sport.

Lori Loughlin dhe Mossimo Giannulli ranë dakord të pranojnë fajësinë mbi akuza për konspiracion duke siguruar, sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, nëpërmjet procedurash të paligjshme, pranimin e dy fëmijëve të tyre në universitetin e Kalifornisë së Jugut (USC).

Departamenti i Drejtësisë deklaroi se zonja Loughlin ra dakord të kryejë dy muaj burg, të paguajë një gjobë prej 150 mijë dollarësh si dhe do të qëndrojë për dy vjet në liri me kusht ndërsa do të kryejë dhe rreth 100 orë shërbim në komunitet. Zoti Giannulli do të kryejë pesë muaj burg, do të paguajë një gjobë prej 250 mijë dollarësh, do të qëndrojë në liri me kusht për dy vjet e do të kryejë 250 orë shërbim në komunitet.

Zonja Loughlin 55 vjeç dhe zoti Giannulli 56, të dy nga Los Anxhelosi i patën kundështuar për një kohë të gjatë akuzat se ata kishin gënjyer lidhur me aftësitë e vajzave të tyre në kanotazh me qëllimin për të siguruar pranimin në universitetin prestigjioz.

Në fillim të këtij muaji, një gjykatës federal nuk pranoi t'i hedhë poshtë akuzat ndaj çiftit që kishte akuzuar Departamentin e Drejtësisë për falsifikim të provave.

Çifti u akuzua se i kishte paguar 500 mijë dollarë William Rick Singer për ndihmën e tij për t'u siguruar atyre një vend në USC përmes rekrutimit si sportiste. Në një video publikuar në median sociale vajza e tyre Olivia Jade, fliste se ishte futur në universitetin e Kalifornisë së Jugut (USC) për arsye me tepër sociale sesa akademike.

Loughlin dhe Giannulli e çojnë në 24 numrin e prindërve që kanë pranuar fajësinë lidhur me çështjen e pranimeve në kolegjet amerikane.

Në fillim të kësaj jave, një nënë me origjinë kineze e cila jeton në Kanada u dënua për dhënie ryshfeti me qëllimin për të siguruar pranimin e djalit të saj në universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA) duke u rekrutuar si futbollist. Gjatë një seance dëgjimore me videokonferencë përpara gjykatësit amerikan Douglas Woodlock 48 vjeçares Xiaoning Sui iu njohën pesë muajt e kryer në burg si masë dënimi ndërsa do të paguajë një gjobë prej 250 mijë dollarësh përveç konfiskimit të 400 mijë të tjerave që sipas Departamentit të Drejtësisë ajo i ka paguar zotit Singer. Departamenti amerikan i Drejtësisë ka kryer një hetim disa vjeçar e në shumë nivele pjesë e operacionit të koduar me emrin “Varsity Blues”./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat