Pas ndarjes nga miliarderi, Angela Martini planifikon rikthimin në Shqipëri. Ja me kë është karantinuar modelja

Mediale Vip

Pas ndarjes nga miliarderi, Angela Martini planifikon rikthimin në Shqipëri. Ja me kë është karantinuar modelja

Më: 24 maj 2020 Në ora: 06:44
Angela Martini

Prej kohësh, martesa e ish-modeles Angela Martini dhe miliarderit rumun, Dragos Savulescu, ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave pas thashethemeve se çifti i kishte dhënë fund martesës mes tyre.

Dragos ka probleme me drejtësinë dhe për këtë arsye nuk ishin shfaqur bashkë, madje më 10 shkurt, mediat e shtetit rumun raportuan sërish për urdhërarrestin ndërkombëtar të lëshuar për Savulescun për të vuajtur dënimin prej 5 vitesh. Ndërkohë, gjatë karantinës Angela ishte shumë aktive në rrjetin social “Instagram”, ku bënte live me një mikeshën e saj, Alina.

Në shtëpinë e saj, ato u përgjigjeshin pyetjeve të ndjekësve, ku nuk munguan edhe pyetjet se ku e kishte burrin që ishte karantinuar me shoqen. Ndërsa në një lidhje tjetër live me një revistë, Angela u përpoq ta shmangte këtë pyetje, duke u shprehur se po mendonte rikthimin në Shqipëri për të jetuar tani e tutje, pasi po i dukej i vetmi vend i sigurt në botë.

Me pak fjalë, ajo u shpreh se çështja e bashkëshortit me drejtësinë e ka bërë të mësojë rreth shumë prapaskenave që ndodhin në botë, por pa dhënë asnjë detaj se ata janë ende bashkë, pra duke lënë të kuptohet se ata mund të jenë ndarë.

Kujtojmë që bashkëshorti i Angela Martinit është në kërkim, pasi akuzohet se është përfshirë në një grup kriminal (30 anëtarë), i cili përllogaritet ta ketë dëmtuar shtetin rumun me 114 milionë euro, për sa u përket disa pronave në Constatta dhe Mamaia. Siç raportohet nga website-t rumune, bashkëshorti i Martinit ka mundur të sigurojë ilegalisht disa toka që gjendeshin nën pronësinë e një të moshuari, Ivonne Aline Buzescu-Movila.

Së bashku me dikë tjetër, mbiemri i të cilit është Giurgiucanu, biznesmeni i ka marrë pronësitë falë ndihmës së një noteri. Më pas, këto toka u janë shitur të afërmve apo miqve me një çmim shumë të ulët.

Hera e fundit që u shfaqën bashkë ishte Shën Valentini, datë që nuk e mbajti dot larg Dragosin nga bashkëshortja e tij, Angela Martini. Kjo e fundit publikoi një video në “Instagram”, ku shfaqeshin dy duart e tyre, në një skenë tepër romantike, pa dhënë detaje për vendodhjen, pasi ai ishte në arrati dhe rrezikon 5 vite burg.

Në këtë situatë të vështirë, Angela ka menduar të tjera mënyra për të fituar para, gjithmonë sipas këshillave të partnerit miliarder, i cili është një producent filmash. Karriera e saj nisi si modele, ndërsa sot Angela Martini është autore e librit të saj të parë, me titull “Dashuri, Shpresë, Dritë”.

Së fundmi, ajo ka qenë e ftuar në kanalin e njohur amerikan “KTLA 5”, për të folur mbi librin e saj dhe planet e së ardhmes. Ishmodelja shqiptare nuk ka hezituar të flasë edhe për Shqipërinë, që e quan një vend të bukur dhe tregon se është mjaft e dashuruar me të. Më pas, Angela zbuloi fillimet e saj të karrierës si modele.

“Kur jetoja në Zvicër, sepse atje jam rritur, shikoja reality show për modelet në Miami dhe një javë me vonë i thashë vetes ‘wow, unë duhet ta bëj këtë’. Pastaj prenotova një biletë me një drejtim dhe të nesërmen u paraqita në agjenci dhe u thashë ‘ja ku jam’. Atëherë isha 21 vjeçe dhe mendoja se isha e paprekshme. Pastaj u zhvendosa në New York dhe aty vijova me karrierën e modelimit. Më vonë përfundova në ‘Miss Universe’, ku përfaqësoja Shqipërinë dhe aty takova edhe Donald Trump”, u shpreh Angela.

Ndër të tjera, ajo ka zbuluar edhe disa nga planet që ka për të ardhmen, nga të cilat pret të fitojë dhe para.

“Do të merrem me prodhimin e filmave të shkurtër dhe një dokumentar që do të dalë së shpejti! Shpresojmë që do të dalin në NETFLIX. Për dokumentarin nuk mund të flas ndërsa filmi i shkurtër flet për sumerët që janë ndër qytetërimet e para”, zbuloi ishmodelja, e cila direkt pas martesës me miliarderin vendosi të hiqte dorë nga karriera si modele, pasi ai i premtoi një martesë të lumtur pa e vrarë mendjen për paratë, vetëm për qejfin.

Por siç dihet, në këtë jetë asgjë s’është e sigurt, kështu që Angela po mendon si t’i bëjë paratë vetë, tani që bashkëshorti është përballur me sekuestrot dhe rrezikun për t’u burgosur dhe që për më tepër, për shkak të kësaj vështirësie ata mund të jenë ndarë. Ata u celebruan gjatë një ceremonie luksoze private në SHBA, ku Angela u shfaq si nusja me fustan të zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat