Këngëtari shqiptar preket nga Covid-19, rrëfen si po e përjeton - Bota Sot
Këngëtari shqiptar preket nga Covid-19, rrëfen si po e përjeton

Mediale Vip

Këngëtari shqiptar preket nga Covid-19, rrëfen si po e përjeton

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 06:51
Ylli Valla

Ndoshta emri Ylli Valla nuk ju thotë gjë, por nëse ju përmendim grupin “Aurora”, me siguri do t’ju vijnë ndër mend këngë të pavdekshme si “Lele kaçurrele”, “Lady” apo “Larg je ti”.

Në një lidhje direkte me emisionin “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus, Ylli ka folur për vitet nostalgjike kur grupi “Aurora” ishte grupi i preferuar i adoleshentëve të fillimit të viteve 2000, por edhe për situatën aktuale në të cilën ndodhemi. Në fakt, Ylli po e përjeton vetë të qenit i infektuar, prej më shumë se një jave.

Ai ka rrëfyer se pas shfaqjes së disa shenjave të Covid-19, shkoi në Klinikën Infektive dhe pas testit u konfirmua se ishte pozitiv. Këngëtari rrëfen se u vetizolua me familjen në shtëpi prej ditës së martë, por shton se është mirë me shëndet, përveç disa shqetësimeve të vogla.

“Nuk kam pasur ethe dhe temperaturë, kam pasur kollë, hundë dhe djersitje. Ndërsa nuhatjen dhe shijimin nuk i ndjej më fare. Ushqehem, por nuk ndjej as shije, as aromë. Është shumë e çuditshme kjo pjesë, por po shpresoj që do të më kthehen”, -tha ai.

I pyetur nëse ka dyshime se ku mund ta ketë marrë virusin, këngëtari është shprehur se mund të ketë ndikuar lehtësimi i masave në Kosovë dhe hapja e aktiviteteve. Por duke qenë se ai punon në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe është në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëz, nuk përjashtohet mundësia ta ketë marrë edhe në punë.

Për sa i përket muzikës, Ylli rrëfen se nuk e ka braktisur, por së bashku me pjesëtarin tjetër të grupit “Aurora” po përgatiten për t’u rikthyer. Ai shtoi se është shumë nostaligjik për vitet kur grupi ishte në kulmin e tij dhe se ndihet krenar që edhe pse kanë kaluar 15 vite nga “Lele kaçurrele”, njerëzit ende nuk e harrojnë.

Për ju që jeni nostalgjikë, shijojeni "Lele kaçurrele".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat