Claudia Schiffer 30 vjet mbretërim!

Mediale Vip

Claudia Schiffer 30 vjet mbretërim!

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 06:43
Claudia Schiffer

Supermodelja e viteve ’90-të feston 30 vite në pasarela. Një reflektim mbi karrierën dhe planet e saj për të ardhmen, familja dhe një rikujtesë mbi të shkuarën e pesë vajzave më të famshme të modës

Pamja nga dritarja e kuzhinës së Claudia Schiffer është e bollshme dhe e gjelbër. Diku larg duken dritat e qytezës ku ajo jeton me burrin dhe tre fëmijët. Kjo ndoshta nuk është aspak ashtu si mund ta imagjinoni jetën e një supermodeleje, por fundja në prag të 50-vjetorit të saj, Claudia Schiffer preferon të zbulojë jo një aspekt misterioz dhe të qetë, por të vërtetën, ndryshe nga ajo që dimë nga zhurma e viteve ’90-të.

Asokohe gjithçka kishte kuptim, nuk shkeltë rastësisht mbi tapetin e kuq, blicet si shkëndija e ndiqnin në çdo hap, bëntë një jetë intensive me evente mode, reklama dhe videoklipe pa u merakosur si sot për klikimet në internet. E pra, këto janë disa gjëra që ndoshta sot Claudia Schiffer nuk i do në jetën e saj.

Dikur ajo ishte një ndër pesë supermodelet: Linda, Christy, Cindy, Naomi dhe Claudia dhe ndryshe nga ato, jeta e saj ka marrë një tjetër rrjedhë të qetë dhe pa bujë. ‘Asnjëherë nuk kam pasur dëshirë të jem në qendër të vëmendjes,” thotë ajo, teksa ulemi në dy karrige prej lëkure në dhomën e ndenjes, ku ndihesh sikur je në një galeri arti. Është mëngjes dhe dielli derdhet në dritare nga dyshemeja, në tavan e pastaj mbi kanavacat e pikturave mbi mure. “Kur fillova modelimin, nuk shkova në një agjenci sepse qëllimi im ishte të isha aty ku ndihesha mirë, jo doemos në krye”. Historia e saj nisi kur ishte 17-vjeçare në një klub nate në Düsseldorf. Me një trup të gjatë, elegante dhe flokët bishtkali, një agjent i kërkoi të bëhej modele. Pas pak javësh, kur gjithçka i kishte ardhur në majë të hundës me kursin e frengjishtes, një kusht asokohe për të gjitha modelet, mori një telefonatë që i ndryshoi jetën. Fotografia Ellen von Unwerth e zgjodhi për fushatën e Guess dhe duket se qëlloi në shenjë që herën e parë. Takoi Karl Lagerfeld dhe që nga ajo ditë Claudia u kthye në muzën e stilistit, duke e përfshirë në katalogun e modelëve më të paguara.

Kanë kaluar 30 vjet mbretërimi si supermodele. Për pak ditë, me 25 Gusht 2020, ajo mbush plot 50 vjeç dhe historia e saj ngjan si një nga ato pikturat e varura në mur në dhomën e saj të ndenjës. Nëse para shumë vitesh të ishe pesëdhjetë vjeç ishte epoka kur bota e një grua pushonte së ekzistuari, sot ndodh e kundërta. Kur thua ‘ajo është 50 vjeç” mjafton të gërvishtësh në memorie imazhin e një gruaje sensuale si Claudia. Ajo është ende pjesë e fushatave publicitare, duke i mbetur besnike Chanel.

Nuk kalon shumë kohë duke u marrë me sporte, por kërcimi dhe tenisi janë pjesë e agjendës së saj, ndërsa kur e pyet për dietat, pranon se nuk ndjek asnjë. “Filozofia imë është se nuk është e nevojshme të quhesh e bukur gjatë gjithë jetës. Rinia është një kujtim i bukur dhe kur vjen brezi tjetër duhet të dorëzohesh. Nuk ka një pilulë magjike që të bën të dukesh përsëri 20 vjeç.”- rrëfen supermodelja.

Jeta e saj tani është më e plotë, më pak e lodhshme. Ajo është e martuar me regjisorin Matthew Vaughn dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon me familjen, e përbërë edhe nga tre fëmijët, më të cilët jeton në rrethinat e Oksfordshire. Së fundmi po punon për një koleksion bluzash frymëzuar nga Être Cécile dhe prej një viti krijon piktura për kompaninë portugeze të qeramikës Bordallo Pinheiro. Intervistat në shtëpinë e saj janë një gjë e rrallë, sepse nuk bën më asnjë kopertinë reviste. Sepse ajo nuk ka më nevojë, i ka bërë të gjitha.

Ndryshe nga supermodelet e tjera, si Cindy e cila kërceu në MTV, apo Naomi që u shfaq sensuale në rritmet e muzikës së Mick Jagger dhe Eric Clapton, Claudia ka qenë ndryshe. “Në krahasim me vajzat e tjera, isha ndryshe. Mendonin se isha mendjemadhe, e ftohtë si një gjermane, por e vërteta është se nuk më pëlqen të dukem”. Pranon se i ka mbetur peng videoja e George Michael, e cila ishte menduar që të kishte të pesta supermodelet, por Claudia refuzoi dhe u zëvendësua nga Patitz. “Mendova, po punoj me marka të nivelit të lartë dhe kjo nuk përshtatet me strategjinë time. Sot them që ishte një budallallëk”.

Schiffer ndihet e fortë dhe e sigurt kur flet për botën e modës, e sidomos ngacmimet seksuale sepse është një terren që e njeh shumë mirë. “Sigurisht që kam parë shumë. Është një profesion ku ngacmimet jnë të shumta, ndaj zgjodha të ushtroja pushtetin tim. Fotot që realizonin fotografët ishin shumë të bukura, por ama jo të gjithë ata ishin të shkëlqyer. Thoja ‘Jo’ nëse e dija që dikush të ngacmonte gjatë sesionit fotografi”. Sot, ajo është krenare për mënyrën sesi supermodelet përdorën fuqinë e tyre për të bojkotuar industrinë e modës për lojëra të gabuara. E ndërsa intervista përfundoi, mendoj se Claudia është një figurë e butë, por shumë e ashpër, e bukur dhe inteliegjente, nga të paktat modele me këmbë në tokë…!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat