MIMI - Miriami sjell në jetë 'fëmijën e tretë'

Mediale Vip

MIMI - Miriami sjell në jetë 'fëmijën e tretë'

Më: 20 nëntor 2020 Në ora: 18:46
Miriam Cani me vajzen

Vlerësohet si një nga zërat më të mirë të muzikës shqiptare, por kur bie fjala te Miriam Cani nuk mund të mjaftohesh me kaq. Qetësia që të fal teksa bisedon me të, thjeshtësia që e karakterizon dhe sinqeriteti që shoqëron çdo përgjigje të saj, janë pa dyshim gjërat që e bëjnë atë kaq të dashur nga njerëzit. Shumë e mbajnë mend që në fillimet e saj, si pjesëtare e grupit “Preluders”, me të cilin preku skena të mëdha. Një nga vajzat e grupit që fiksoi adoleshentë e të rritur në Gjermani e më gjerë, ishte pikërisht Miriam Cani, asokohe me flokët gështenjë, veshjet ekstravagante, por shumë simpatike dhe e talentuar.

Duket se Gjermania ishte vendi i parë që e spikati talentin e Miriamit, jo vetëm në këngë, por edhe në moderim. Madje, një nga intervistat më të famshme dhe më të bukura që ka bërë, ka qenë ajo me Alban Skënderajn, tanimë bashkëshorti i saj, ndërsa në atë kohë, siç ka thënë Miriami, “bënin sikur nuk njiheshin”. Teksa në atë intervistë të dyve u shiheshin shkëndijat në sy, askujt nuk mund t’ia merrte mendja që një ditë do të ishin një nga çiftet më jetëgjatë e të konsoliduar. 13 vite së bashku nuk janë pak, por për këtë duket se nuk ka një formulë magjike. Janë thjesht sfidat e jetës që ose e thyejnë, ose e bëjnë të bëjnë të palëkundur një marrëdhënie në çift, duke u dhënë forcën të përballojnë çdo stuhi kur janë bashkë… dhe në rastin e Albanit dhe Miriamit ka ndodhur kjo e fundit. Ndërsa bekimi i tyre me një vajzë, Amelinë, 5 vite më parë dhe me Duamin në fillim të këtij viti, e ka plotësuar tablonë familjare, që tani duket më perfekte se kurrë.

Ajo që nuk dinim, ishte se Albani dhe Miriami na kanë mbajtur një sekret – “bebushin” e tretë për të cilin ata kanë punuar gjatë dhe që, më në fund, mund ta ndajnë me publikun. Bëhet fjalë për brandin e tyre të parë, që mban emrin MIMI. Një linjë veshjesh për fëmijë, të cilët janë muza e frymëzimit të Miriamit. Një frymëzim që ka jetuar tek ajo që nga fëmijëria, por që u zgjua kur u bë nënë. Një projekt për të cilin janë dashur muaj të tërë punë e pandalshme, por i ndërtuar me shumë dashuri dhe përkushtim. Një flakë që lindi kur Mimi e vogël jetonte në një botë përrallash dhe i pikturonte vetë fustanet e princeshave, dhe u materializua tani që Mimin e njohim si Miriam – një vajzë me këmbë në tokë, por që nuk hoqi kurrë dorë nga ëndrrat.

Me gjithë glamin që karakterizon kategorinë Couture dhe butësinë e kategorisë Home dhe Organic, Mimi nuk është një linjë e zakonshme veshjesh për fëmijë, por është një linjë 100 për qind organike, e pastër dhe e padëmshme për fëmijët dhe bebat. Materialet janë të gjitha të certifikuara sipas standardit GOTS (Global Organic Textile Standard), miqësore me mjedisin dhe me bebat. Kjo është ajo që e bën këtë markë kaq të veçantë.

Miriami e solli në jetë këtë linjë, sepse i mungon tregut shqiptar, u mungon prindërve që kërkojnë siguri në gjithçka që rrethon fëmijët dhe i ka munguar vetë asaj në rritjen e fëmijëve.

Në këtë intervistë ekskluzive për revistën Class, Miriam Cani flet për herë të parë për “MIMI-n”, zbulon detajet e këtij projekti të madh, të cilin ajo e quan fëmijën e saj të tretë. Rrëfen për mënyrën si e ka ndryshuar mëmësia, si po e përjeton situatën e pazakontë në të cilën po jetojmë të gjithë, si e kaloi karantinën dhe cilat janë planet e së ardhmes.

Miriam, si ka qenë kjo periudhë për ty?

Kjo periudhë ka qenë dhe është e vështirë për të gjithë. Më shumë sesa pjesa ekonomike, besoj se pasojat psikologjike do jenë më të rënda për njerëzimin. Ndiej shumë keqardhje, sidomos për fëmijët. Gjëja për të cilën ata kanë nevojë është të jenë të lirë, të lumtur dhe të socializohen. Kjo pjesë ka stopuar në jetën e tyre dhe ndonjëherë është e vështirë t’ua shpjegosh dhe të pretendosh që ata të kuptojnë. Të mos harrojmë që 6 muaj për një fëmijë, janë si 6 vite për një të rritur. Tek ata zhvillimi është dinamik dhe i shpejtë, siç është edhe regresi.

Po periudhën e karantinës si do ta përshkruaje?

Në jetën time nuk është se ndryshoi shumë, pasi unë sapo kisha lindur Duamin dhe në shtëpi do e kisha kaluar atë periudhë, gjithsesi. U jam përkushtuar fëmijëve dhe familjes plotësisht dhe ashtu do kisha bërë edhe nëse gjithçka do kishte qenë si më parë. Kuptohet që izolimi total, gjendja që u krijua ndikoi dhe psikologjikisht, por isha e fokusuar, pasi djali sapo kishte lindur, siç thashë.

Ndërkohë që bota e ka ndalur ritmin, duket se ti ke bërë të kundërtën. Çfarë të frymëzon në këtë periudhë të vazhdosh punën?

Më kanë frymëzuar shumë fëmijët. Eksperienca me ta në këto vite, nevojat që kam pasur për ta dhe që shpesh më kanë munguar t’i gjej në treg. Bota e fëmijëve ka qenë gjithmonë frymëzim për mua dhe një ëndërr që flinte brenda meje, por që u zgjua me ardhjen në jetë të Amelisë dhe me lindjen e Duamit u përforcua akoma më shumë.

Zgjedh që të vish me një projekt të ri, që nuk ka lidhje me muzikën dhe TV. Si lindi ideja?

Bota e fëmijëve është e magjishme dhe mua më dhuron shumë lumturi. Fëmijët më frymëzojnë. Mendoj se tregu ka ende nevojë për shumë gjëra të reja dhe, pse jo, akoma më afër natyrës, organikës dhe së thjeshtës. Në këtë botë me ritme kaq të shpejta, kaq shumë llojshmëri që na serviret dhe shpeshherë duke anashkaluar pjesën esenciale. Është bukur të fillosh të përqafosh sërish të thjeshtën, të pastrën, natyralen dhe organiken, atë që është më e shëndetshmja dhe më e sigurta për fëmijët tanë.

Ke zbuluar se e ke quajtur markën Mimi, pse kjo zgjedhje?

Brandi që kemi krijuar quhet MIMI. Kështu më thërrisnin kur isha e vogël. Atë ndjesi që të japin kujtimet e fëmijërisë, atë pastërti, atë pafajësi dhe butësi jemi munduar të përkthejmë në dizajnet e veshjeve që kemi krijuar. Por këtu dizajni nuk është aq thelbësor sa është produkti. Flasim për një produkt që për herë të pare është 100% prodhim organik i certifikuar ndërkombëtarisht që nga pambuku deri te bojërat, printimet, kopsat, punimet me dorë e shumë detaje të tjera.

Si e kujton Mimin (veten të vogël)?

Veten e kujtoj si një fëmijë me shumë energji. Kam qenë e dashuruar me natyrën, me fëmijët që më rrethonin dhe pa dyshim me botën e artit. Më pëlqente të këndoja, të kërceja dhe të aktroja. Kam qenë fëmijë me shumë guxim dhe më pëlqente të eksploroja gjithçka të re. Prindërit e mi e kishin gjithmonë shumë të vështirë të më mbanin në shtëpi, pasi e gjithë kënaqësia dhe lumturia ime ishte të rrija dhe të luaja me miqtë e mi në natyrë. Fëmijërinë e kam shumë të lidhur me natyrën, ndaj dhe frymëzimin e kam të tillë.

Çfarë veshjesh përfshin brandi?

Image

Mimi është ndarë në 3 kategori.

Mimi Organic, që do sjellë për herë të parë në Shqipëri një linjë veshjesh për beba totalisht organike, të certifikuar sipas standardit GOTS (Global Organic Textile Standard), që ka pafund benefite për shëndetin, lëkurën dhe sigurinë e fëmijëve. Një produkt pa kimikate, pesticide e lëndë të dëmshme për fëmijët, jo toksik, antialergjik e shumë shumë benefite të tjera.

Mimi Home, që do përmbushë të gjitha nevojat e bebit që i nevojitet një nëne të re për rehatinë maksimale të ëngjëjve të vegjël; siç janë batanije handmade, tapeta për beba, sete çarçafësh, napa organike handmade, aksesorë për dhomat e tyre, kukulla organike handmade etj.

Mimi Couture – është magjia jonë – linja e fustaneve për vajzat e vogla që do jetë shumë e limituar dhe e kuruar deri në detaj. Shumica e materialeve janë copa franceze dhe të punuara me dorë në mënyrë artizanale. Është bërë një punë fantastike dhe jam shumë e dashuruar me secilin prej atyre krijimeve.

Çfarë ka Mimi ndryshe nga linjat e tjera për fëmijë?

Duke qenë se jam bërë nënë e dy fëmijëve, eksperienca dhe praktika e këtyre 5 viteve të fundit më ka mësuar shumë. Po ashtu edhe më ka treguar se çfarë më ka munguar dhe do kisha patur dëshirë të kisha për fëmijët e mi që në lindjen e tyre. Unë jam shumë e lidhur me natyrën dhe e apasionuar pas produkteve bio dhe organike, si në ushqim, ashtu dhe në kozmetikë apo tekstil. Gjërat që më kanë munguar në tregun tonë më kanë dhënë shtysë dhe frymëzuar t’i krijoj vetë. Kështu lindi ideja e Mimit, fillimisht si një nevojë pastaj si një pasion i madh.

Mimi Organic është një brand, i cili është i gjithë 100% organik dhe i certifikuar sipas standartit GOTS. Ka qenë një sfidë dhe punë e jashtëzakonshme për ta krijuar nga 0, duke punuar mbi çdo tekstil deri në detaj. Është punuar me shumë dashuri dhe përkushtim.

Sa e rëndësishme është që fëmijët të vishen me materiale organike?

Në kohët që jetojmë është shumë e rëndësishme, pasi kemi plot ndikime të dëmshme që na vijnë nga mjedisi apo ushqimi që konsumojmë. Është e rëndësishme që të zgjedhim gjithmonë natyrën aty ku e kemi vetë në dorë. Sidomos për foshnjat këshillohet kujdesi maksimal pasi janë të brishta dhe organizmi i tyre është i ndjeshëm nga gjithçka. Veshjet jo organike kanë në përmbajtje pesticide që dëmtojnë trurin e fetusit dhe foshnjës përgjatë zhvillimit të tij. Për shkak se ne, si MIMI, e duam natyrën dhe planetin, jemi krenarë të themi që produktet tona janë miqësore ndaj ambientit, por mbi të gjitha ndaj fëmijës. Te veshjet Mimi çdo nënë do të gjejë sigurinë dhe rehatinë maksimale për fëmijën e vet.

Ku mund t’ju gjejnë njerëzit që duan të bëjnë të tyre veshjet e Mimit?

Për momentin, do jemi vetëm online. Por mund të porositet nga e gjithë bota pa asnjë problem.

Kush të ka mbështetur më shumë në këtë projekt të ri?

Natyrisht si fillim familja, duke filluar nga Albani. Por në këtë rrugëtim nuk jam vetëm, jam bashkë me mikeshën dhe partneren time të ngushtë Eda Gilani, e cila ka qenë dhe është një forcë dhe mbështetje e jashtëzakonshme për mua. Jemi bashkë në çdo krijim dhe çdo vendim. Ndihem shumë me fat që e kam pranë, bashkë me familjen e saj, sepse përveç anës profesionale, mbi të gjitha, janë njerëz të mrekullueshëm.

Si është të jesh nënë e dy fëmijëve?

Është bekim. Lumturi. Frymëzim. Nuk besoj se ka arritje më të madhe për një njeri sesa të krijojë një familje të shëndetshme në çdo aspekt. Shpeshherë, kur i shoh të dy fëmijët bashkë, nuk më besohet që i kam lindur unë. Falënderoj Zotin në çdo moment. Sidomos në kohët që po jetojmë, gjithçka për çfarë i lutem Zotit është shëndeti i tyre. Asgjë tjetër nuk ka vlerë më shumë. Ndihem e bekuar me familjen që kam!

Si e ka ndryshuar jetën tuaj ardhja e Duamit?

Duami është një dashuri. Pasi linda Amelinë, nuk e imagjinoja dot kurrë që do mund të doja një fëmijë tjetër po aq shumë sa doja Amelinë. Por zemra e nënës qenka një univers më vete. Dashuri që nuk përshkruhet dot me fjalë. Dashuria për Duamin, duke qenë se është djalë, është disi ndryshe nga ajo që ndjej për Amelinë, por njëlloj e fuqishme dhe drithëruese. Duami është princi i mamit!

Është Ameli një motër xheloze? Si e përjetoi ndarjen e vëmendjes në familje?

Ameli e do shumë Duamin. Natyrisht që herë pas here ndihet xhelozia si te çdo fëmijë tjetër. Sidomos në momentet kur ne i shprehim Duamit dashurinë tonë. Por janë shumë të shkurtra ato momente. Shumicën e kohës ata kalojnë shumë mirë bashkë.

Është në planet tuaja të së ardhmes një bebush tjetër?

Bebushi im i tretë quhet “MIMI“! Për momentin jam shumë e lumtur dhe e plotësuar me këta “3 fëmijë”.

Ke dikë që të ndihmon me fëmijët dhe shtëpinë?

Kam ndihmë nga dadot e fëmijëve. I duam shumë dhe jam e lumtur që i kam. U dhurojnë fëmijëve të mi shumë dashuri dhe ngrohtësi dhe kjo më bën të jem e qetë edhe kur jam në punë. Por mundohem të jem një nënë sa më shumë prezente dhe një grua me disa dimensione.

Të pëlqen të jesh një mama me kohë të plotë?

Mendoj që asgjë e tepërt nuk është e shëndetshme. Duhet gjetur gjithmonë një balancë midis familjes dhe punës, fëmijëve, bashkëshortit dhe karrierës. Natyrisht që rolin e prindit nuk e zëvendëson dot askush dhe asgjë, ndaj koha që kalojmë me fëmijët është esenciale.

Duam të dimë sekretin e marrëdhënies jetëgjatë me Albanin!

Kemi ngulur themele shumë të forta bashkë në këto 13 vite. Kemi kaluar sfida të mëdha bashkë dhe këto na kanë lidhur shumë me njëri-tjetrin. Ardhja e dy fëmijëve në jetën tonë na ka ridimensionuar, lidhur dhe frymëzuar për të qenë akoma më të fokusuar tek e ardhmja dhe lumturia brenda familjes sonë.

Dukeni si çifti perfekt që është gjithmonë në harmoni, a është kështu vërtet?

Jemi një çift i zakonshëm si gjithë të tjerët. Perfeksioni nuk ekziston. Qeshim, qajmë, duhemi dhe grindemi si çdo çift tjetër. Dhe është mirë kështu, sepse këto momente e mbajnë një lidhje gjallë.

Për çfarë grindeni më shpesh?

Natyrisht për fëmijët. (qesh)

Nga muzika ke marrë një pauzë. Planifikon të rikthehesh tani afër?

Patjetër që po. Muzika mbetet gjithmonë dashuria ime e parë.

Po një bashkëpunim tjetër me Albanin do të ketë?

Po do ketë... Kemi krijuar ide shumë të bukura këto kohë, por kur t’u vijë radha.

Mund të na zbulosh diçka për planet e tua? Do jesh e pranishme në TV dhe ku do të të shohim?

Për mometin jo. Jam shumë e lumtur që sollëm në jetë projektin MIMI. I gjithë përqëndrimi dhe energjia ime do jetë te familja dhe ky projekt për momentin, që t’i ofroj tregut, nënave dhe fëmijëve atë që gjithmonë u ka munguar.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat