Klaudia Pepa flet për koreografinë e Eurovisionit dhe për ‘gojët e liga’ pas performancës

Mediale Vip

Klaudia Pepa flet për koreografinë e Eurovisionit dhe për ‘gojët e liga’ pas performancës

Më: 23 maj 2022 Në ora: 06:24
Klaudia Pepa

Koreografia e Ronela Hajatit në Eurovision është komentuar gjatë në rrjet, madje edhe Klaudia Pepa, si pjesë e saj, nuk është anashkaluar. Megjithatë, përtej zhurmës së rrjetit, edhe Klaudia e ka thënë fjalën e saj pas pjesëmarrjes në Eurosong. Pjesë e grupit përfaqësues në Eurovision, Klaudia është ndier dyfish e emocionuar. E ftuar pasditen e sotme në “E diell” në Top Channel, balerina e njohur tha se të kërcente në Itali duke përfaqësuar Shqipërinë ishte diçka e veçantë: “Jam shumë entuziaste për këtë eksperiencë. Jam dyfish e emocionuar, sepse kërceja në Itali, performoja në Itali, por përfaqësoja Shqipërinë, kështu që ishte diçka shumë speciale” – tha Klaudia duke shtuar se e gjithë skuadra ka pasur një energji shumë të mirë.

Po pse u zgjodh ajo koreografi?

“Zgjedhja nis nga kërkesat e Ronelës si këngëtare dhe unë, si koreografe, kam mësuar kërkesat e saj. Kjo është detyra jonë. Koreografia është energjike, është sensuale dhe është një bombë. Për mua është kështu” – tha Klaudia.

Ama ‘gojët e liga’, ndoshta nuk mendojnë njëlloj, përkundrazi kanë sulmuar jo pak në rrjet. Për këtë kategori, Klaudia nuk shqetësohet: “Atyre do u themi ‘të mblidhemi të gjithë dhe t’i vendosim në një levë dhe të bëjmë një ‘plié’ ose një ‘fondu’ (lëvizje që përshkruan ulje të ngadaltë të trupit, duke përkulur gjunjët) që t’i zbusim të gjithë”.

Nga ana tjetër, Klaudia është ndier pak e fyer, e tradhtuar, nga Italia, e cila nuk i dha Shqipërisë asnjë pikë: “Pak po, është e vërtetë. Zero pikë është pak fyese për çdokënd, por që nuk është në dorën tonë si individë, nuk na takon ne...” – tha ajo duke dashur ta mbyllë një herë e mirë të gjithë këtë diskutim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat