Elvis Costello zbulon kolonën zanore të jetës së tij, nga kënga që e bëri të dashurohej me muzikën deri tek ajo që dëshiron në funeralin e tij. Kantautori britanik veçon Jimi Hendrix, Georgie Fame, The Clash dhe Louis Armstrong mes artistëve që e kanë shoqëruar ndër vite. Por 72-vjeçari surprizon edhe me një rrëfim: muzika e Pink Floyd i duket tepër e zymtë për ta dëgjuar.
Këngëtari dhe kantautori britanik Elvis Costello ka ndarë një listë personale me këngët që kanë shoqëruar momente të rëndësishme të jetës dhe karrierës së tij, duke zbuluar edhe disa preferenca të pazakonta muzikore.
Costello tregon se kënga që e bëri të dashurohej me muzikën ishte “The Wind Cries Mary” e Jimi Hendrix, e publikuar në vitin 1967, kur ai ishte vetëm 12 vjeç. Sipas tij, krahas fuqisë muzikore të Hendrix-it, ishte pikërisht ana romantike e kësaj kënge që ndikoi në mënyrën e tij të të shkruarit.
Një tjetër figurë e rëndësishme për të është Georgie Fame, nga i cili bleu albumin e parë me paratë që kishte kursyer si fëmijë.
Costello kujton se muzika e Fame e njohu me artistë të mëdhenj si Ray Charles, Louis Jordan, Carole King dhe Willie Dixon, duke e cilësuar këtë si një edukim të jashtëzakonshëm muzikor.
Por lista e tij ka edhe një surprizë: Elvis Costello thotë se nuk mund ta dëgjojë Pink Floyd, pasi muzika e tyre i duket “e zymtë”.
Përjashtim bën vetëm “See Emily Play”, ndërsa sipas tij, pas largimit të Syd Barrett, grupi nuk e ka tërhequr më.
Në mëngjes, Costello zgjedh “Armagideon Time” të The Clash, ndërsa për funeralin e tij do të donte të luhej “Keepin’ Out of Mischief Now” nga Louis Armstrong.
Ndërkohë, albumi “My Aim Is True”, në një edicion special për 49-vjetorin e lancimit, është publikuar së fundmi, duke rikthyer vëmendjen te një prej veprave më të rëndësishme të karrierës së tij.