Befasi e hidhur për Bertan Asllanin dhe fansat e tij! Seriali turk “Mercan Kosk”, ku aktori dhe këngëtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut është pjesë e kastit, do t’i japë fund aventurës televizive pas vetëm 7 episodeve.
Produksioni i ATV-së, i cili kishte ngjallur interes të madh që para premierës, nuk ka arritur të sigurojë audiencën e pritshme. Për këtë arsye, është marrë vendimi që historia të mbyllet shumë më shpejt nga sa ishte planifikuar.
Në “Mercan Kosk”, Bertan Asllani shfaqet krah emrave të njohur të kinematografisë turke, mes tyre Kubilay Aka dhe Hafsanur Sancaktutan, duke sjellë në ekran një histori të mbushur me mistere, konflikte familjare dhe një dashuri të pamundur.
Seriali e nisi transmetimin më 5 shtator dhe premtoi një histori intriguese të vendosur në Tarsus. Në qendër është Cemre, e cila përballet me një dramë të madhe pasi bashkëshorti i saj zhduket në mënyrë misterioze menjëherë pas martesës.
Në kërkim të së vërtetës, ajo mbërrin në Mercan Kosk, ku takohet me Arasin. Ky takim e përfshin në konfliktin e vjetër mes dy familjeve armike, ndërsa sekretet e së kaluarës dhe afrimi mes personazheve e bëjnë historinë edhe më të ndërlikuar.
Por, pavarësisht kastit të fuqishëm dhe historisë premtuese, “Mercan Kosk” nuk arriti të bindë audiencën.
Vendimi për mbylljen e serialit vjen në një sezon jo fort të favorshëm për disa produksione turke. Pas “A.B.İ.” dhe “Ask ve Taht”, tashmë edhe projekti ku luan Bertan Asllani i jep lamtumirën ekranit shumë më herët nga sa pritej.
Tashmë kanë mbetur vetëm dy episode deri në finalen e “Mercan Kosk”, ndërsa fansat e Bertan Asllanit do të presin me interes për të parë se si do të përfundojë historia dhe cili do të jetë projekti i tij i radhës në ekranin turk.