Sa paguhen këngëtarët shqiptarë në performancat live gjatë verës?

Mediale Vip

Sa paguhen këngëtarët shqiptarë në performancat live gjatë verës?

Më: 4 shtator 2016 Në ora: 10:39
Ilustrim

Në verë, turizmi është më shumë sesa disa çadra në rërë. Biznesi i argëtimit zhvendoset drejt bregdetit. Aty luhet me shijet, me trendet e fundit, me festat me shkumë, lojërat ujore sportive, këngëtarët dhe DJ më “in” të momentit.

Tek e fundit, ato janë “zot” për pak kohë. Por këtë vit bizneset ankohen se ka rënie. Shtohen klientët e huaj.
Agjencitë që merren me sjelljen e këngëtarëve dhe DJ, thonë se tarifat për këto shërbime janë rritur ndjeshëm nga viti në vit.

Këngëtarët shqiptarë paguhen më pak se ata nga Kosova. Ndërsa grupet hyjnë pak në preferencat e diskove verore, e këtu përjashtim bën vetëm legjenda “Elita 5”. Pagesat e tyre llogariten nga 3,000-4,000 euro në natë.

Këngëtarët shqiptarë paguhen mesatarisht 2,000 deri në 5,000 euro në natë për performancat që shpesh janë edhe me “play back”.

Këngëtarë si Ledri apo Noizy mund të paguhen në natë nga 4,000–5,000 euro. Menaxherët japin edhe shifra që kanë shkuar në 7,000 euro në natë për këngëtarë të caktuar.

Më të mirëpaguar janë këngëtarët nga Kosova, tarifat për të cilët shpesh i kalojnë 4,000 euro në natë.

Ghetto Geasy, Capital T, Agon Amiga, Nora Istrefi, Dafina Zeqiri, Genta Ismaili, etj., janë ndër emrat që pëlqehen më shumë. Për shembull: Dafina Zeqiri paguhet 5,000 euro në natë, ndërsa Capital T rreth 4,000.

Panorama ndryshon kur bëhet fjalë për DJ. Ata paguhen më pak se këngëtarët, por janë më të kërkuar në diskot verore dhe tarifat e tyre në krahasim me një vit më parë kanë shënuar rreth 20% rritje.

Menaxheri i “Folie Marine” në Jal thotë se tendenca vazhdon të jetë muzika komerciale. “Tregu shqiptar ka një natyrë të veçantë dhe të kushtëzon në zgjedhje, por ajo që vihet re është po pëlqehet gjithnjë e më shumë muzika shqiptare dhe DJ shqiptarë. Muzika mbahet gjithnjë në nivele të pranueshme. E kjo padyshim na ka ndihmuar shumë”, thotë menaxheri i “Folie Marine”.

“Luajtësit” shqiptarë të disqeve gjatë këtij sezoni, sikundër tregojnë edhe menaxherët, janë paguar nga 300-700 euro. Shifra rritet nëse performohet jashtë Tirane. Për artistët këto janë para që shkojnë direkt në xhepa, pasi të gjitha shpenzimet e tjera, si akomodimi e ushqimi mbulohen nga drejtuesit e subjekteve. Një tjetër avantazh është edhe mospagimi i taksave, edhe pse për artistët, ligji njeh detyrimin për të paguar tatim mbi fitimin.

DJ me famë botërore, si DJ Tiesto, David Guetta në Shqipëri janë paguar nga 50,000 deri në 70,000 euro në një natë, ndërsa një DJ i huaj i nivelit mesatar paguhet deri në 5,000 euro në natë. DJ shqiptar më i paguar në natë fiton 1,000 deri në 1,500 euro.

Nëse performancës do t’i shtohen edhe balerinat, qofshin të huaja apo shqiptare, kostot janë ekstra. Një balerinë e huaj paguhet deri në 500 euro, ndërsa një shqiptare nga 100-150 euro. Të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët: konsumin e alkoolit. Në këto spektakle, shpesh menaxherët përfshijnë edhe mënyra të tjera marketingu e tërheqjeje, si lojëra të ndryshme, performanca me shkumë etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat