Enxhi Çuku: Ju tregoj për skenat e seksit brenda një bunkeri, në filmin “Internimi” - Bota Sot
Enxhi Çuku: Ju tregoj për skenat e seksit brenda një bunkeri, në filmin “Internimi”

Mediale Vip

Enxhi Çuku: Ju tregoj për skenat e seksit brenda një bunkeri, në filmin “Internimi”

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 14:12
Enxhi Çuku

Për Enxhi Çukun, tabutë nuk ekzistojnë as në jetë dhe as në kinema. Protagoniste në disa filma shumë të njohur shqiptarë, aktoren me pamje të qetë por shpirt luftarak, së shpejti do e shohim në filmin e ri “Internimi”, ku trajtohet historia e ndaluar e dashurisë mes dy të rinjve gjatë kohës së komunizmit.

E veçanta është se në skenat e tij ka seks brenda, pikërisht momenti kur personazhi i saj Frida kryen marrëdhënie seksuale me të dashurin, Arturin. E gjitha një romancë brenda një bunkeri, simboli i kohës së komunizmit… Po ku ndahen dhe bashkohen Enxhi nga Frida në këto skena “hot”, realiteti brenda rolit dhe jeta e aktores si një rol me shumë anë medaljeje, Enxhi na i rrëfen në këtë intervistë të saj për “Panorama Plus”.

Ke realizuar disa foto bardh e zi ku shfaq sensualitetin në mënyrë klasike, jo aq provokuese sa jemi mësuar të shohim sot. Kush janë aktorët e njohura që të frymëzojnë?

Kam shumë aktore që më pëlqejnë, qoftë të rejat dhe më të vjetrat në fushën e aktrimit. Më tërheqin shumë fizikisht dhe si talent aktoret franceze, Juliette Binoche, Marion Cotillard, Isabelle Huppert dhe nga Holliwood-i më së tepërmi veçoj Jennifer Lawrence dhe e preferuara Kate Winslet.

Në një prej fotove pozon si narciziste, duke puthur veten në pasqyrë. Çfarë marrëdhënie ke me veten, je aq konfidente sa të mos ia dish për mendimet e të tjerëve?

Fotot gjithmonë flasin një mijë fjalë dhe kjo mund të interpretohet dhe si foto narciste. Por ka ardhur spontanisht si foto para pasqyrës… Do të doja të sillja më shumë mesazhin “të duash veten”, sesa “të të hipë vetja në qejf”.

Në filmin e ri “Internimi” kthehesh pas në kohë, duke luajtur rolin e një vajze që jetonte në komunizëm. Ku ndryshon ti në atë rol me ti në realitet?

Është vetë koha që bën ndryshimin. Jam në vitin 2018, jam rritur me një frymë tjetër, kam liri, bëj atë që dua, jam femër e pavarur dhe e rëndësishmja zgjedh unë personin që dua të kaloj jetën. Këto, mund të them, janë ndryshimet kryesore, nga një vajzë që jetonte në vitet e komunizmit.

Bunkeri që do të shihet në filmin “Internimi” është kthyer një simbol i asaj kohe. Ti çfarë kujtimesh ruan nga skenat e bunkerit në film?

Frida ka kujtim të bukur dhe të hidhur nga bunkeri. Aty formohet dashuria e saj e pamundur. Ndërsa unë si Enxhi kam kujtim të bukur të gjithë xhirimin e filmit, ku bunkeri ka zënë një hapësire të madhe të xhirimeve të mia.

Nga filmat komedi, horror, dramë e romancë, ti ku e gjen më shumë veten?

Unë jam duke provuar. Kam prekur disa zhanre, pres dhe projekte të tjera për të provuar veten disi më ndryshe. Mendoj se këtë gjë duhet të bëjë aktori, pra, të provojë çdo gjë. Nuk dua ta ndaj veten në një kategori, por si preferencë, mua më pëlqen romanca dhe drama.

Je shprehur se, të luash skena erotike në kinema nuk ka asgjë për t’u konsideruar tabu. Nga eksperienca, ka fije që lidhin lojën me realitetin në ato skena, për shembull shijon puthja në kinema?

Në kinema nuk ka tabu. As në jetën reale, pavarësisht se bëjmë sikur nuk shohim, nuk dëgjojmë dhe i mbajmë gjërat sekrete. Kinemaja është realitet, çdo gjë që sheh në ekran ndodh dhe në jetën reale. Nuk ka asgjë përtej normales ose e pa parë ndonjëherë, kur flasim për zhanrin e romancës dhe marrëdhënieve të paktën. Për mua si Enxh nuk bën ndryshim puthja, sepse përfshihem me ndjesinë që ka roli im ndaj personit që po e kryen këtë akt.

Nëse do të ofrohej roli i kubistes apo prostitutës, mendon se do e realizoje si duhej?

Nëse do më ofroheshin qoftë këto dy role, ose portretizime të tjera, do të thotë që regjisori beson tek unë, dhe më sheh të përshtatshme te ky rol. Unë mendoj se shprehja “Nuk e bëj dot” nuk duhet të ekzistojë në asnjë fushë të jetës, e sidomos në art. Çdo gjë bëhet me dëshirë, talent dhe punë. Në të kundërt, do i lësh vendin dikujt tjetër, i cili do të dijë ta vlerësojë atë që le ti.

Me cilin aktor shqiptar mendon se do të ishe çifti ideal në një film romancë?

Ah, kjo pyetja! Unë e mendoj që kushdo të ishte aktori ose jo aktori që do të luante një skenë me mua, për mua nuk përbën ndryshim. Nuk përfshihem emocionalisht si Enxhi në marrëdhënie me të. Shoh vetëm raportin që ka roli im. Por, sigurisht, më duhet të pranoj që është më mirë kur luan me dikë me të cilin gëzon një kimi të mirë dhe jashtë ekranit. Por dhe kur kjo kimi s’është, prandaj jemi aktore. Mjafton vetëm që ajo që njerëzit shohin në kinema të përcillet e vërtetë.

Aktorët hyjnë nën lëkurën e personazheve të ndryshëm, mendon se kjo punë komplikon psikikën tuaj?

Hmm…, sigurisht po, nëse nuk di kur mbaron roli dhe kur je ti vërtet. Unë mendoj se kjo është punë më vete, përgatitja për një rol, para dhe puna pas për t’iu përkushtuar vetes. Por prandaj jo çdokush mund të bëhet aktor mendoj unë… ka disa gjëra që njerëzit nuk ia dalin dot. Dhe kemi shumë shembuj të aktorëve që kanë arritur majën, ose janë bërë skllevër të roleve, aq sa nuk kanë mundur ta përballojnë dhe kështu shkatërruan jetën dhe karrierën.

Të njihesh në botë si aktore, do e bësh realitet dhe pranë kujt regjisori dhe aktori Hollywood-i dëshiron që Zoti të të çojë?

Pranë çdokujt në Hollywood është fat. E vlerësoj punën e gjithsecilit, se prandaj janë yje dhe janë aty ku janë, jo më kot, domethënë. Qoftë dhe një shans të vogël apo kontakt po dite ta shfrytëzosh, mund të arrish dhe te më të mëdhenjtë. Por nëse do të kisha një shkop magjik… Woody Allen.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...