Hygerta Sako: Si arrita të humb 10 kg brenda një viti dhe çfarë është një partner ideal për mua

Mediale Vip

Hygerta Sako: Si arrita të humb 10 kg brenda një viti dhe çfarë është një partner ideal për mua

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 07:31
Hygerta Sako

Ajo është një tifoze e hershme e Italisë, por që artikuloi Francën si fituese të Kampionatit Botëror të Futbollit këtë verë. Për Hygerta Sakon, gazetaren dhe moderatoren e programit të saj sportiv “Magjia 21” në RTSH, edhe vetë jeta duhet marrë me sportivitet. Miss-i i ’95-s, tashmë nëna e vajzës Anais, na rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus” jetën larg kamerave si një femër në karrierë, rikthimin në super formë fizike brenda një viti, pushimet në Turqi me Erjona Sulejmanin, pse është kundër ndërhyrjeve estetike dhe bukurinë e vërtetë tani në moshën e pjekurisë.

Shijove një sezon intensiv televiziv me ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit. Dole e kënaqur me fituesen e kupës, Francën?

Sinqerisht, e kam shijuar shumë këtë Botëror. Jo shumë si tifoze, sepse unë jam që fëmijë tifoze e Italisë dhe ajo nuk ishte pjesë e Botërorit, por si gazetare kam kaluar një eksperiencë të paharrueshme. Kemi punuar shumë për të sjellë një program të bukur për gjithë familjen dhe ndihem e lumtur që ia dolëm. Edhe sot e kësaj dite njerëzit më shprehin kënaqësinë që kanë marrë nga “Magjia 21” dhe se u mungon ai program. Sa për Francën si fituese të Botërorit, nuk përjetova as emocion pozitiv e as negativ, edhe pse duhet thënë që isha me Kroacinë në finale, por Franca e meritoi plotësisht këtë kupë bote.

Tashmë identifikohesh me futbollin, si moderatore. Nëse do të flisnim për ty, çfarë merr me sportivitet në jetë?

Gjithçka. Jeta është shumë e shkurtër për t’u mërzitur për gjëra pa rëndësi. E vetmja gjë që s’mund të marr me sportivitet është shëndeti, që, për mua, është më i rëndësishmi. Përsa u përket të tjerave, i hedh pas krahëve dhe mendoj veç pozitivisht. Jam optimiste e pandreqshme.

Kalove pushimet në Turqi. Me kë dhe si u argëtove?

Isha me mikeshën time Erjona Sulejmanin dhe fëmijët tanë. Gjatë Botërorit krijuam një miqësi shumë të bukur, por edhe pushimet na rezultuan të tilla. Ishim në një resort vërtet fantastik, ku kemi kaluar ditë vërtet të mrekullueshme dhe mbi të gjitha fëmijët u kënaqën, sepse për dy nëna kjo është më e rëndësishmja. Përsa i përket argëtimit, kemi shijuar gjithçka na ofronte resorti sepse pushimet familjare nuk të lënë vend për lëvizje të mëdha.

Na bën përshtypje me fizikun super në formë. Si arrin të kesh linjat elegante dhe të kuruara?

Nuk ka qenë e lehtë. Fiziku im merr shpejt peshë dhe unë kam vuajtur gjithmonë nga kjo gjë, duke qenë se e shijoj shumë ushqimin. Vendosa të mendoj pak më shumë për linjat, sepse me kalimin e moshës është më e vështirë të biesh në peshë. Kam një vit që pak nga pak me durim ushqehem me kujdes e me ushqime të shëndetshme, që i bëjnë mirë organizmit tim. Ecja në këmbë nga Liqeni më ka ndihmuar shumë. Dhe jam shumë e kënaqur që pas një viti jam 10 kg më pak. Nuk ka gjë që nuk arrihet me vullnet. Dhe nuk kam ndërmend të toleroj më. Nga shtatori do të filloj dhe aktivitetin fizik seriozisht për ta skalitur akoma më shumë trupin e për të qenë gjithmonë në super formë.

Mund të na tregosh regjimin për të pasur një trup vërtet të bukur për plazh?

Ushqimi i shëndetshëm dhe sporti, çfarëdolloj aktiviteti fizik. Tani që isha në Turqi përsëri nuk abuzova për shembull. ( Ok, të tregohem e sinqertë, një copë të vogël bakllavaje nuk ia kurseja vetes). Konsumova vetëm ato ushqime që më bënin mirë pa mbajtur dieta të kota, luajta volejboll, bëra not dhe ecje në këmbë dhe rezultati ishte që u ktheva nga pushimet në të njëjtën peshë që u nisa.

Si një Miss me kurorë, si ndihesh sot në raport me pamjen. Me kalimin e viteve ke fituar më shumë siguri në bukurinë që zotëron apo e ke humbur atë?

Të tregohem e sinqertë mua më pëlqen më shumë vetja tani sesa kur kam qenë e re. Duke qenë se bukuria për mua është thjesht një ambalazh i këndshëm i aftësive të tjera që vlejnë shumë më shumë, ndihem çdo ditë e më e sigurtë për atë që përfaqësoj. Bukuria nuk njeh moshë, për sa kohë njerëzit të vlerësojnë edhe për ato vlera të tjera që ke dhe sigurisht edhe nëse nuk abuzon me bukurinë që të ka falur Zoti.

Në këtë trend të bukurisë plastike si ndihesh dhe do provoje të bëje ndonjë ndërhyrje?

Deri tani nuk kam dashur të ndryshoj asgjë te vetja. Edhe me ato dy rrudha më shumë, ndjehem mirë sepse fundja janë të natyrshme. Shoh vajza të reja që janë bërë copy-paste të njëra-tjetrës dhe sinqerisht nuk arrij ta kuptoj pse duhet ta shëmtojnë veten në atë mënyrë. Njeriu mund të ndryshojë një difekt madhor, s’jam aspak kundër, por të ndryshosh tiparet, aq sa të mos njohësh veten në pasqyrë, sinqerisht, nuk e kuptoj dhe nuk e dua atë lloj bukurie. Mbase, kur të shkoj 50 vjeçe e të mbushem me rrudha do të dua dhe unë të kem një fytyrë më të tendosur (ama veç kaq). Por deri atëherë, nuk kam ndërmend të prek asgjë te vetja.

Je nëna e një vajze, por si e përjeton rritjen e saj dhe ke filluar ta orientosh në ndonjë drejtim që mund të marrë në jetë?

Vajza është rritur aq shumë sa tani na marrin për motra. Jam munduar t’i shpjegoj çdo gjë e t’i jem shoqe në rradhë të parë, e pastaj nënë. Dhe deri tani jam e lumtur sepse është një vajzë e mbarë, e kulturuar dhe e dashur. Përsa i përket drejtimit, është ende herët, por ajo ka një shpirt e sy artistik të jashtëzakonshëm. Është ajo fotografja ime personale dhe sinqerisht më habit me fotot që realizon. Ndoshta arkitektura do të ishte një profesion i bukur për të, por, siç e thashë, është ende herët për të folur. Unë do respektoj dëshirat e saj.

E realizuar dhe e pavarur. Është kjo arritja e vërtetë e femrës së kohëve moderne, apo i duhet një partner në krah për ta plotësuar? Ti çfarë synon për veten?

Një femre të realizuar e të pavarur i duhet një partner që ta ketë shok, në radhë të parë dhe t’i kuptojë me symbyllur prioritetet e saj. Nuk jam dakord me faktin që një femër moderne nuk ka nevojë për një partner. Edhe pse mund të jetë një femër e fortë dhe e suksesshme, përsëri është femër dhe në thellësi është e brishtë. Dhe sigurisht ka nevojë, që përveç suksesit në profesion dhe pavarësisë, të ndjejë edhe dashurinë dhe përkushtimin që të jep një partner. Por ama jam edhe e mendimit “më mirë vetëm se sa e keqshoqëruar”. Unë këtë kërkoj nga vetja, të jem e plotësuar në të gjitha aspektet.

Beson te dashuria dhe çfarë konsideron lumturi për veten?

Sigurisht që besoj te dashuria. Çdo njeri e ka të shkruar momentin e tij dhe do e provojë patjetër një dashuri të madhe në jetë. Por lumturia ime më e madhe është ai, përqafimi i vajzës sime, batutat e zgjuara kur bisedojmë, ta shoh se si rritet dhe sa krenare jam për të. Pjesa tjetër është thjesht garniturë. Pjesë të vogla që bëjnë një të tërë. Por lumturia ime e ka një emër dhe ky emër është Anais.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat