Avril Lavigne rikthehet me këngë të re pas pauzës pesëvjeçare

Mediale Vip

Avril Lavigne rikthehet me këngë të re pas pauzës pesëvjeçare

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 18:58
Avril Lavigne

Këngëtarja e famshme kanadeze, Avril Lavigne, është rikthyer në skenën muzikore me këngën “Head Above Water”.

Kënga e saj e re do të jetë pjesë e albumit të gjashtë me radhë, i cili do të publikohet në vitin e ardhshëm.

Projektin e ri muzikor, Lavigne e ka shoqëruar me videoklip, regjinë e të cilit e ka bërë Elliott Lester.

“Head Above Water” flet për luftën e këngëtares me sëmundjen Lyme, e cila kishte bërë që karriera e saj muzikore të ngecë.

Kujtojmë që në një letër të hapur drejtuar fansave, 34-vjeçarja kishte thënë se i ka kaluar vitet më të këqija dhe e ka zhvilluar luftën më të vështirë në jetë.

Albumin e fundit, këngëtarja e kishte lansuar në vitin 2013, ndërsa vetëm dy vite më pas u diagnostikua me sëmundjen Lyme.

“Kam kaluar vite duke luftuar ndaj kësaj sëmundjeje të ligë. Në një moment më është dashur ta pranoja vdekjen dhe mundja ta ndjeja sikur më shuhej trupi”.

“Dukej sikur po mbytem, po fundosem dhe më duhej të dilja në sipërfaqe dhe të merrja ajër. Sikur të isha në një lumë dhe rryma më tërhiqte teposhtë, ndërsa aq shumë kisha nevojë për frymëmarrje”, kanë qenë fjalët e saj.

Njëherësh, përmes letrës, këngëtarja ka dashur që ta ngrejë edhe vetëdijen e njerëzve për këtë sëmundje të rëndë.

“Një pickim i thjeshtë i një insekti mund t’jua shkatërrojë jetën. Njerëzit nuk e kuptojnë se kjo sëmundje duhet të mjekohet menjëherë”, ka thënë Lavigne.

Sëmundja Lyme, e cila njihet edhe si Borreliosa Lyme, është një sëmundje infektive e shkaktuar nga llojet e bakterit Borrelia (Borrelia burgdorferi, Borrelia afzelii e Borrelia garinii) që bartet me anë të rriqrave. Shenja më e shpeshtë e infeksionit është një zonë e gjerë e skuqur e lëkurës që quhet ‘erythema migrans’, e cila paraqitet përreth vendit të pickimit nga rriqrat. Sëmundja mund të shkaktojë një sërë problemesh fizike dhe mendorë nëse nuk mjekohet me kojë. Mjekohet kryesisht me antibiotikë, ndërsa shërimi mund të zgjasë disa muaj, por edhe vite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat