Faleminderit Amerikë për lartësimin e flamurit të kombit tim…! - Bota Sot
Faleminderit Amerikë për lartësimin e flamurit të kombit tim…!

Opinione

Faleminderit Amerikë për lartësimin e flamurit të kombit tim…!

Nga: Ramiz Lushaj Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 10:50
Eliot Engel dhe Harry Bajraktari

1. 111 vjet ma herët, më 1907, shqiptarët e Bostonit në Amerikë banë nji paradë në udhët e këtij qyteti, pranë Stars and Stripes, duke mbajtur në ballë Flamurin Kombëtar Shqiptar. Siç e përshkruan dhe “Dielli” (28 nëntor 1930) “ për të parën herë në mënyrë legale, në kohën moderne, Flamuri i Skënderbeut” u ngrit e valvit zyrtarisht në Amerikë. Kësokohe Porta e Lartë e ndalonte në të pesë vilajetet e tokës etnike shqiptare, me kryeqëndra në Shkup e Shkodër, në Janinë, Manastir e Selanik. Amerika e njihte, e pranonte dhe e përkrahte Flamurin e Skënderbeut dhe Lirinë e Pavarësinë në Vendin e Shqipeve, siç e dëshmuan Presidenti Amerikan Woodrow Willson e ish Presidenti Amerikan Theodore Roosevelt në mbrojtje të Pavarësisë e moscopëtimit të Shqipërisë nga fqinjtë e saj sllavë e helenë.

2. Shqiptarët e Amerikës nuk e ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar vetëm në qytetet, sheshet e shtëpijat e tyne, por deri  edhe në Hanë. E kjo ka ndodh dy herë në historinë amerikane, shqiptare e botërore:

Shqiptaro-amerikani Alan Bartlett Shepard Jr., Zëvendës-Admiral i Flotës së Shteteve të Bashkuara, delegat në Sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, i pari kozmonaut amerikan që ka fluturuar në Kozmos dhe i pesti që shkeli në Hënë nga 31 nga 31 janari deri më 9 shkurt 1971. Aty, në vendin e quajtun Fra Mauro të Hanës, e vnoi Flamurin Kombëtar Shqiptar.

Kjo dëshmohet dhe nga një foto e anijes kozmike “Apollo 14” (pjesa Antares) e Flamurit tonë në hapësirën e Hanës (kopje e saj ndodhet dhe në arkivat shqiptare) të kompozuara prej tij në një fletë kartoni katërkëndëshe, me shenjimin shkrimor me dorë e bojë të zezë: “With the compliments of the astronauts of the United States. Alan Shepard. 02.10.1971”,e cila e shqipëruar do të thotë: “Me fjalët më të mira të austronautëve të Shteteve të Bashkuara. Alan Shepard. 2 Tetor 1971”. Aty kanë nënshkruar dhe kozmanautë të tjerë amerikanë.

Astronauti shqiptaro-amerikan Alan B. Shepard Jr. është mirëpritur në Shtëpinë e Bardhë nga presidentët amerikën Kenedi, Xhonson e Nikson, të cilët e kanë falenderuar për misionet e tij në Kozmos.

Image
Në fotot: Kozmanauti shqiptaro-amerikan Alan Bartlett Shepard Jr. dhe nji faksimile e dokumentit të tij arkivor.

3. Një tjetër shqiptaro-amerikan, astronauti dr. William G. Gregory–i origjinës nga Korça, i lindur në New York (1957), në fluturimin e tij të parë në Hapësirë Shuttle STS-67 e ndërmori nga Qendra “Kenedy” nga 2 deri më 18 mars 1995 dhe në këtë udhëtim, si drejtues i anijes kozmike, e mbante me vete edhe Flamurin Kombëtar Shqiptar, krahas  atij Amerikan,

Ai, para nisjes për në Hënë, do të shkruante: “Besoj se shqiptarët do të ndihen krenarë me sukseset që do të arrijë në hapësirat e largëta”.

Shqiptaro-amerikani William G. Gregory ka vendosur rekord në fluturimet në hapësirat kozmike dhe është shqiptari i dytë e hera e dytë në historinë e Amerikës dhe të Shqipërisë, që 23 vite ma herët e vnoi Flamurin Kombëtar Shqiptar në Hanë.

Kjo dhe nji dëshmi tjetër ma shumë se me Amerikën jemi të bashkuar jo vetëm në Tokë, por dhe në Hanë, siç e kam thanë shprehimisht dhe në librin tim “Elementët tërësorë të Pavarësisë së Kosovës” (2007),

Image
Në foto: Astronauti amerikan me origjinë shqiptare William G. Gregory, që e ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar në Hënë në mars 1995.

4. Flamuri Kombëtar Shqiptar u valvit me krenarinë e tij historike dhe pas Rënies së Murit të Berlinit, Perdes së Hekurt, ku Shqiptarët në Ballkan patën përkrahje të jashtëzakonshme nga Amerika e Reganit, e Dy Bushëve, e Dy Klintonëve, e Obamës dhe e Donald Trump, veçmas me Luftën, Lirinë e Pavarësinë dhe zhvillimet e gjithanshme të Kosovës, me Demokracinë në Shqipëri, për Liritë e të Drejtat e Shqiptarëve në Maqedoni e në Malin e Zi, etj.

Shqipëria në të gjitha hapësinat e veta etnike nuk është e vogël kur ka miq të tillë të mëdhenj si Amerika, kur ka një Flamur të saj Kombëtar kaq të lashtë, të drejtë, të vërtetë, me Shqiponjën në sfondin e saj Kuq e Zi, që tashma është kthye në një simbol tregues dhe nga personalitete të larta amerikane, si miku i kahershëm e përhershëm i Shqiptarëve, kongresmeni amerikan Eliot Engëll – kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan.

Image

Në këtë Ditë të Bekuar të Flamurit Kombëtar Shqiptar, në të 106-tin përvjetor të Pavarësisë Shqiptare, dhe njiherë tjetër, si gjithmonë, si gjithnji,  mirënjohja shkon për Amerikën, miken tonë të madhe, me falenderimet për gjithçka ka bá në këta dy shekujt e fundit për shenjtërinë e lartësimit të Flamurit Kombëtar Shqiptar në Tokën e vet Iliro-Arbnore-Shqiptare, në Amerikë e deri në Hanë, në të gjithë historinë tonë kombëtare, shqiptaro-amerikane.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...