Kujta dhe Meri: “Po të kishim një mundësi të dytë, në një përjetësi prapë jemi të bindur do e zgjedhnim njëri-tjetrin”

Mediale Vip

Kujta dhe Meri: “Po të kishim një mundësi të dytë, në një përjetësi prapë jemi të bindur do e zgjedhnim njëri-tjetrin”

Nga: Maksim Gjokaj Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 14:51
Kujta dhe Meri

Mjafton që të shënosh emrin e Kujta & Meri në kërkimin “Google” dhe shfaqen qindra lajme me plot vlerësime për punën e tyre, dhe shumë e veçantë është se këto shkrime apo video ku tregohet dhe vlerësohet puna e tyre janë shumica në gjuhën angleze apo italiane dhe në mediat e huaja. Ishte kjo një arsye e fortë që ne na drejtoi si gazetë që të takonim ata, një çift jo vetëm shembull por super artistë që siç vetë na tregojnë deri tani kanë dhënë shpirtin me punën e tyre, prandaj dhe vlerësimet më shumë nga të huajt që dinë të vlerësojnë nuk kanë munguar kundrejt tyre. Të qetë në punën e tyre, disenjatorët e njohur deri në botën e Hollywoodit, Kujta dhe Meri rrëfejnë për ne me plot dashuri për punën e tyre, madje kanë me të drejtë edhe pak ankesa ndaj disa mediave që megjithëse bota ka folur për artin e tyre, këta në Kosovë i kanë lënë pak anash, por kurrë që të demoralizohen. Në intervistën tonë është Meri që na përgjigjet çdo kureshtje që ne kemi, madje duke na dhënë jo vetëm urime për fundvit, por ka një lajm i mirë për klientët e tyre besnik.

“Bota sot”:Kujta & Meri një brend tashmë si ka mundësi jeni nga Kosova e njiheni më shumë jashtë?

 -Prezantimet tona të shumta në Kosovë dhe Shqipëri e kanë kënaqësinë e vet, dhe jemi shumë mirënjohës klientëve të brendit tonë Kujta dhe Meri që asnjëherë nuk u larguan nga ne. Patjetër që efekti i numrit te popullsisë së vogël në Kosovë është shkaku që jashtë bëjmë më bujë, sepse atje nuk ka korrupsione nëpër media, flasin, shkruajnë e vlerësojnë të drejtën. Ndërsa në Kosovë ka raste të shumta kur vlera jonë është fshehur (KlanKosova) por nuk ka shanse ndikimi tek ne. Ne jemi tashmë një vulë në vete e punës sonë dhe ndikimet jo dashamirëse te KM na zhgënjejnë, por asnjëherë të dëmshme për neve. Jemi të lumtur që vlerësohemi në vend dhe jashtë nga ata që dinë dhe njohin cilësinë dhe veçantinë e punës sonë. Ne nuk mbështetemi tek asnjë shtëpi kartoni.

“Bota sot”: Çift në jetë por edhe çift në punë do të ishit këtu nëse do të ishit me partnerë të tjerë?

 -Kurrë dhe asnjëherë brendin tim nuk do ta shihja me kaq sukses nëse nuk do e kishim partner vetëm njëri-tjetrin, të dy me shumë pastërti dhe modesti kemi punuar me një përkushtim maksimal dhe dashuri për punën tonë, është reflektuese dhe ka magji në vete. Po të kishim një mundësi të dytë, në një përjetësi prapë jemi të bindur do e zgjidhnim njëri-tjetrin.

“Bota sot”: Nëse ne apo dikush thotë në prezantim jo Kujta dhe Meri por si Meri dhe Kujta duket jo e saktë?

 -Në konceptin e fjalës nuk ka asnjë të keqe nëse do ceket emri i njërit apo tjetrit para, por brendi është bërë i njohur dhe i kapshëm me këtë emër, dhe kështu më pëlqen të jetë.

“Bota sot”: Ka vite që veshjet e juaja fitojnë edhe në eventet më mëdha botërore na i kujtoni disa se ku?

 -Janë aq të shumta personazhe të famshme në botë saqë do më duhet kohë ti cek të gjitha, por unë po i veçoj disa që përmes tyre kam prezantuar në mënyrën më të mirë duke shkëlqyer. Balerina e njohur italiane Lara Montanara në Prima della Scalla me veshjen tonë është shfaqur në të gjitha mediat Italiane si fustani më i veçanti i asaj mbrëmje. Cassidy Bentley në Amc Award Blue Carpet në Los Angeles. Seara Sabrina , Anastassija Makarenko për cover magazine “Victory On'' me Kujta & Meri dress. Emala Paul në koncertin e saj ne Bollywood. Parineeti Chopra aktore Bollywood, po ashtu u vlerësua fustani më i mirë nga Kujta & Meri në Film Fare Aëards Bollyëood, Aracelya Rambula etj.

“Bota sot”: E cila femër ka shkëlqyer me veshjen që i keni bërë ju dhe keni thënë "Uuaaaa nuk e besojmë se e kemi krijuar ne"?

-Ka të shumta pa numër që krenohemi me punën kur i shohim në trupat e klientëve apo personazheve. Janë pa numër këto raste kur na kënaq fakti që kemi krijuar diçka cilësore dhe të qëlluar (eksperienca dhe talenti janë vulë dhe është e padrejtë nëse ja humbas vetes meqenëse e kam dhuratë nga Zoti, e vlerësoj)

“Bota sot”: Sipas jush cila femër më e bukur në botë vishet shumë mirë, po shqiptare?

 -Nuk kam dëshirë të marrë një përgjegjësi të kritikës apo preferencave të mia, në këtë rast për personazhe. Një gjë e kuptoj me shikim të parë kur mundohen të jenë “In”, dhe kur me të vërtetë kanë stil . Sepse një stil, një femër nuk krijohet zonjë brenda një veshje, të ndërtosh zotësinë e veshjes duhen vite ta përvetësosh.

“Bota sot”: Ka shumë stilistë shqiptarë por juve ju quajnë Dolce& Gabbana shqiptare, ju shohin ata si konkurrentë apo jeni miq dhe me ta?

-Stilistë tendencioz bota ka plot, çdo vit mbarojnë miliona njerëz në gjithë globin shkollimet duke pretenduar të jenë stilist apo dizajner, këtu nevojitet talenti në këtë drejtim, shkollimi të mëson disa baza, prandaj komplimentet dhe vlerësimet nga sytë kritikë te artit ndalohen tek krijimet e atyre që kanë dhënë shpirtin e talentit. Takimet me stilistë jashtë vendit ka dallim, ata vlersojnë sepse janë vetë të vlerësuar që moti nga traditat e vendit të tyre, dhe janë të sigurt që janë të sukseshëm me vlerat e tyre, prandaj dhe nuk hezitojnë të japin komplimentin më të sinqertë dhe vlerësimin e duhur.

“Bota sot”: Të zbulojmë diçka në këtë fundvit jeni duke veshur ndonjë emër botëror apo shqiptar që ia vlen ta përmendi emrin?

 -Në këtë fundvit kemi vendosur të hapim zemrat, ti ofrojmë veshjet tona për të gjitha ato adhuruese të dashura që adhurojnë brendin tonë dhe s’kanë pasur mundësi ta kenë, pra me zemër plot do ju ofrojmë për Krishtlindje çmime me 50% zbritje deri në 80%. Është festa që duhet zgjeru zemrën, dhe ne e bëjmë këtë me kënaqësi. Duam t’ju tregojmë mirënjohjen për gjithë këto vite që na kanë qëndruar adhurues dhe besnik. E pastaj si klient i nderojmë me nga një "Gift Cart" KM. Ndërsa viti 2019 sigurisht uroj të jemi mirë me shëndet, që zemra jonë të jetë plot lumturi sepse nevoitet për të ecur më tutje kur shpirti mbushet plot. Do të kemi shumë gjëra me ndihmën e Zotit dhe me shumë kënaqësi do ju ofroj ekskluzivisht juve . Uroj që fundviti dhe Krishtlindjet ti gjejnë të gjithë njerëzit, sidomos popullin tim shqiptar të lumtur dhe me zemrat plot gëzime. Çdo fat i mirë ju trokit në dyert e juaja, dhe ata që ndjejnë mërzi t’ju lehtësohet në këto ditë të bekuara feste. Gëzuar viti i Ri2019!.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat