Eni Vasili rikthehet në ekran, zgjedh “News 24”

Mediale Vip

Eni Vasili rikthehet në ekran, zgjedh “News 24”

Më: 29 shtator 2013 Në ora: 08:40

Edhe pse historia e medias së pas viteve ‘90 mund të konsiderohet relativisht e shkurtër, ashtu sikundër kjo media cilësohet ende e re, disa emra të saj tashmë kanë krijuar profilin dhe identitetin e tyre para publikut, aq sa largimet arrijnë të krijojnë një boshllëk. Kështu ka ndodhur edhe me gazetaren e njohur dhe moderatoren e emisioneve e debateve kryesisht të natyrës politike, Eni Vasili, e cila fillimet e saj i ka diku nga viti 1997 në ekranin e TVSH-së. Më pas, ajo është shfaqur në disa ekrane të tjera, gjithnjë në programin më të rëndësishëm politik, por ka qenë e angazhuar edhe në detyra drejtuese brenda televizionit. Mungesa e Enit është ndier jo thjesht për faktin se ka pak emra të këtij kalibri ekrani shqiptar, por edhe për arsyen se femra ka akoma më pak, por edhe këto jo rrallë varrosin gjithçka femërore që u ka dhënë Zoti dhe mbingarkohen me doza agresiviteti më keq se kolegët e tyre meshkuj. Ndryshe ka ndodhur me Enin. Një vajzë profesioniste, por shumë gjakftohtë, ajo di të mbajë lart nivelin e debatit, por aty ku duhet nivelin e adrenalinës së të ftuarve të saj. Në debate të tilla në ekranet tona shpesh shohim vanitetin dhe protagonizmin e pretenduar të disa individëve, që na kanë zaptuar ekranet, duke mos ofruar asgjë konstruktive dhe duke u kthyer në bezdisës kronikë për audiencën.
Meqë kemi mësuar se Eni Vasili i rikthehet ekranit, kemi bindjen se do të na ofrohet një alternativë e munguar për ndjekësit e këtyre emisioneve. Pas më shumë se një viti mungesë, ajo do të rishfaqet shumë shpejt në ekranin “News 24″, për të rikthyer aty formatin e saj shumë të njohur “Studio e Hapur”. E ardhur nga Milano pasi ndoqi një master komunikimi, Eni zgjodhi ekranin e “News 24″ , e bindur se aty do të ndihet e lirë dhe komode për të bërë si duhet punën e saj. “Pasi bisedova me drejtorin e televizionit, zotin Kasëm Hysenbelli, u binda se stacioni im i radhës duhet të jetë ‘News 24’. U ndjeva entuziaste që në nisje, sepse m’u premtua liria që unë dhe çdo gazetar profesionist e pretendon, si kushtin kryesor për të bërë si duhet punën tonë” – thotë ajo.
Emisioni i saj “Studio e Hapur” është tashmë një “markë” në tregun e televizioneve në Shqipëri, me një histori shtatëvjeçare dhe ruan identitetin e një emisioni me debate shumë të nxehta politike, ndërsa Vasili konsiderohet nga shikuesit si një ndër gazetaret më asnjanëse, në ndryshim nga shumë kolegë të saj, të cilëve jo rrallë iu lexohen qartazi preferencat.
“Drejtuesit e ‘News 24’ me premtuan se do të kujdesen njësoj si unë që emisioni të ruajë paanshmërinë dhe të kthehet në teatrin e debateve, ku të mos mungojë asnjë përfaqësim politik dhe askush të mos ndihet i censuruar”,- tregon Vasili.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat