Mumajesi dhe Rexhepagiqi shkelin betimin, pas hatërmbetjeve rikthehen te “Kënga Magjike”

Mediale Vip

Mumajesi dhe Rexhepagiqi shkelin betimin, pas hatërmbetjeve rikthehen te “Kënga Magjike”

Më: 29 shtator 2013 Në ora: 09:05

Flori Mumajesi dhe Armend Rexhepagiq janë dy kantautorët me emër të cilët do t’i rikthehen festivalit “Kënga Magjike” këtë edicion, pasi ishin betuar që nuk do të merrnin pjesë më në këtë garë. Dy muzikantët e njohur kanë lënë pas hatërmbetjet e dikurshme, duke u ofruar vetë si konkurrentë në këtë garë, që këtë vit parashikohet të jetë shumë e fortë, pasi do të ngjiten në skenë këngëtarë vërtet shumë të mirë të karrierës dhe ndeshja do të jetë mes big-ëve. Dy prej tyre janë Rovena Dilo, e cila konkurron me një kompozim të Rexhepagiq dhe Manjola Nallbani me krijim të Flori Mumajesit. Nuk dihet se cilat kanë qenë arsyet pse Flori dhe Armendi u patën betuar se nuk do të merrnin më pjesë te “Kënga Magjike” as si kompozitorë dhe as si këngëtarë. Në fakt, Armendi një vit e ka fituar çmimin e parë si këngëtar dhe autor, ndërsa Flori Mumajesi ka fituar po çmimin e parë me këngën e kënduar nga Aurela Gaçe, “Hape veten”. Thuhet se Flori ishte i pakënaqur se në festival sillte shumë këngë, por vendi më i mirë që ai zinte, ishte gjithnjë i dyti, duke mos e kapur më të parin. Tashmë ata janë rikthyer dhe ne shpresojmë që prurjet e tyre të jenë cilësore, pasi kënga është ajo që mbetet, ndërsa pakënaqësitë janë gjëra kalimtare. Intersant na duket bashkëpunimi i këngëtares Manjola Nallbani me Florin, pasi këngëtarja duket se ka ruajtur gjatë karrierës së saj një stil tradicional të kënduari, ndërkohë që Flori është shquar për tendencat e reja që sjell në muzikë. Ne kemi bindjen që bashkëpunimi mes tyre do të jetë diçka shumë e bukur. Gara e këngës tashmë ka filluar të dielave me prezantimin e këngëve të para, çdo javë gjatë programit “E diela Shqiptare” në tv “Klan”. Vetë producenti dhe moderatori i festivalit, Ardit Gjebrea, sinjalizoi për një festival me këngë të bukura dhe artistë të rinj me pretendime, deri në netët finale që do të mbahen në fund të muajit nëntor. Është kthyer në traditë tashmë që këngët e këtij festivali të prezantohen të dielave në tv “Klan”, duke kaluar kështu në një fazë përzgjedhëse për tri netët finale që mbahen në “Pallatin e Kongreseve”. Edicionin e kaluar, gara e konsideruar e fortë mes emrave të njohur dhe artistëve të rinj u fitua nga Alban Skënderaj me baladën e tij “Refuzoj”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat