Ministri Lluka edhe Kryetari Bahtiri përkrahin kërkesat e minatorëve grevist

Mitrovica

Ministri Lluka edhe Kryetari Bahtiri përkrahin kërkesat e minatorëve grevist

Nga: F.B Më: 9 janar 2019 Në ora: 16:05
Agim Bahtiri dhe Valdrin Lluka

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim pune ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, me të cilin ka biseduar më gjerësisht lidhur me gjendjen  aktuale të grevës së minatorëve si dhe për përpjekjet për ti ndihmuar ata.

Kryetari Bahtiri i shoqëruar nga ministri Lluka kanë vizituar minatorët e Stantërgut, të cilët nga dita e enjte kanë hyrë sërish në grevë të përgjithshme për shkak të pakënaqësisë me menaxhmentin dhe bordin drejtues si dhe për shkak të pagave të ulëta duke kërkuar kështu rritje prej 20 % të pagës për të gjithë minatorët.

Minatorët grevistë e kanë mirëpritur vizitën e kryetarit Bahtiri dhe të ministrit Lluka, me ç’rast i kanë treguar shkaqet që i kanë detyruar ata për të hyrë sërish në grevë të përgjithshme duke thënë se janë të vendosur se pa realizimin e këtyre kërkesave nuk do të pranojnë asnjë marrëveshje.

“Kërkesat kanë qenë që të rriten pagat prej 20%. Kërkesa e dytë ka qenë që të mos bëhen punësime në Trepçë pa konkurse. Kërkesa e tretë ka qenë që bordi i Trepçës të vjen para minatorëve grevistë dhe të jap një raport pune për tetë muajt e fundit dhe të përballen me kërkesat e minatorëve. Kërkesa e katërt ka qenë që kërkesat e minatorëve nga greva e pezulluar e korrikut të plotësohen, pasi fatkeqësisht deri tani nuk janë plotësuar”, ka thënë ndër të tjerash kryetari i Sindikatës së Pavarur të minatorëve, Shyqyri Sadiku.

Ndërsa, ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se prej ardhjes së tij si ministër vazhdimisht ka shprehur interesim për minatorët dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes “Trepça” si dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në këtë ndërmarrje.

“Kërkesat tuaja janë pjesë e Draft-statusit për të cilin janë kryer të gjitha procedurat dhe në mbledhjen e parë të Kuvendit të Kosovës, presim që të shqyrtohet dhe të votohet nga deputetët e Kuvendit”, ka thënë ministri Lluka.

Pas bisedës me drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Stantërgut dhe Këshillin e grevistëve të Minatorëve, kryetari Bahtiri ka vazhduar bisedën e drejtpërdrejtë dhe miqësore me minatorët grevistë në hapësirat e restaurantit të minatorëve.

Kryetari Bahtiri ju tha minatorëve, por edhe drejtuesve të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Stantërgut, se e kupton shqetësimin e tyre për fatin e Trepçës, si dhe ka mirëkuptim për kërkesat e bëra.

“Minatorët e Stantërgut në të gjitha fazat e zhvillimit të Minierës kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Mitrovicën dhe Kosovën. Kur ka qenë e nevojshme, minatorët e Stantërgut ju kanë prirë proceseve politike për liri e pavarësi. Greva e famshme e tyre në vitin 1989, ishte bazament për të gjitha proceset e mëvonshme që çuan deri lirinë dhe pavarësinë e vendit. Prandaj, edhe kërkesat e tashme të arsyeshme të minatorëve duhet të  mbështeten nga institucionet e vendit”, tha para minatorëve të Stantërgut kryetari Bahtiri.

Në vazhdim kryetari Bahtiri iu premtoi minatorëve se do të angazhohet tek Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera më të larta të vendit, që kërkesat e minatorëve t’i shqyrtojnë seriozisht dhe që sa më parë ato të zgjidhen me marrëveshje dhe në interes të të gjithëve.

Me hyrjen në grevë të përgjithshme, minatorët kanë ndërpre të gjitha punët në Trepçë, përveç në vendet kyçe ku është cekur se do të mbahet kujdestari që të mos rrezikohet miniera. Ata i patën paralajmëruar qeveritarët se pa u plotësuar kërkesat e tyre nuk do të punojnë, por do të hyjnë në grevë, gjë të cilën edhe e realizuan.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat