Veseli: Taksa varet nga sjelljet e Serbisë - Bota Sot
Veseli: Taksa varet nga sjelljet e Serbisë

Mitrovica

Veseli: Taksa varet nga sjelljet e Serbisë

Më: 23 janar 2019 Në ora: 17:07
Kadri Veseli

Isa Boletini ka qenë jo vetëm pjesëmarrës kryesor në ngjarjet më të rëndësishme historike, por ka ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën e tyre, me grykën e pushkës në shumë kryengritje dhe me fuqinë e fjalës në shumë kuvende historike.

Kështu u tha sot në Mitrovicë gjatë Akademisë Përkujtimore me rastin e 103 vjetorit të rënies së heroit kombëtar Isa Boletini, që u organizua nën patronatin e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Në këtë akademi morën pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Financave Bedri Hamza, kryetarët e komunave të Mitrovicës dhe Skenderajt, Agim Bahtiri e Bekim Jashari, kryetari i OVL së UÇK-së Hysni Gucati, fafamiljarë të heroit, si dhe qytetarë.

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, duke kritikuar pjesëmarrjen e vogël të pranishmëve në këtë akademi, tha se duhet më shumë respekt dhe përulje ndaj këtij tribuni i cili ka dhënë shumë për kombin.

Sipas tij, Mitrovica dhe Kosova i kanë shumë borxh Isa Boletinit, sepse ai është emblemë dhe garanci e sovranitetit të shtetit të Kosovës së sotme.

Veseli: Mitrovica dhe Kosova i ka shumë borxh Isa Boletinit

“Mitrovica dhe Kosova i ka shumë borxh Isa Boletinit…Isa Boletini është emblemë dhe garanci e sovranitetit të shtetit tonë sot… Duhet të kemi më shumë respekt dhe përulje ndaj këtij tribuni i cili ka dhënë shumë për kombin e vet… Janari çdoherë është i rëndë për kombin tonë, sepse në janar vdiq Skënderbeu, ka ndodhur Reçaku, në janar u vranë figura të mëdha të kombit, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, na u vranë ikonat e UÇK-së Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu. Në të njëjtën kohë këta janë krenaria dhe mesazhi se Kosova nuk ndalet, por ecën edhe më fuqishëm përpara. Kosova është shtet i lirë, i pavarur e sovran dhe se Kosova do të jetë anëtare e OKB-së, BE-së dhe e NATO-s, për arsye se për këtë janë garancë sakrificat si të këtij burri, komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë burrav e e burrneshave të mëdha të kombit tonë… Nuk ka kuptim Kosova pa qenë Mitrovica e bashkuar dhe pa Mitrovicë nuk ka Kosovë”, ka thënë Veseli.

Ai, duke bërë thirrje për unitet para marrëveshjes finale me Serbinë, tha se epilogu i kësaj marrëveshje ka kuptim vetëm kur Kosova arrinë të jetë anëtare në OKB.

Veseli: Taksa varet nga sjelljet e Serbisë

“E kemi një proces nga i cili SHBA-të dhe BE-ja po kërkojnë nga ti të jemi të bashkuar, në mënyrë që të ballafaqohemi përfundimisht për një marrëveshje finale me Serbinë e cila ka vetëm një kuptim, që Kosova të ketë ulëse në OKB. Duhet të jemi bashkarisht për faktin se sa më bashkë jemi do të jemi më të fuqishëm…Taksat dhe vendimet e reciprocitetit kanë me vazhdu dhe do të varen nga vetë sjellja e Serbisë… Taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e respekton njëjtë Republikën e Kosovës, ndërmarrësit dhe mallrat e Kosovës, nuk do të hiqet asnjëherë”, theksoi Veseli.

Ai premtoi rindërtimin e shtëpive të secilit shqiptar në veri, të cilat janë djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha mes tjerash se përkulet para burrave si Isa Boletini dhe shumë të tjerë, që kapën armët në duar për mbrojtje të atdheut.

Bahtiri: Këta njerëz nuk duhet t’i harrojmë asnjëherë

“Për njerëz të tillë si Isa dhe shumë njerëz të cilët kapën pushkën për t’i dalë zot atdheut, çdoherë përkulem deri në tokë, edhe nëse asnjëherë s’kanë shkrepur me atë pushkë…Këta njerëz nuk duhet t’i harrojmë asnjëherë”, u shpreh ai.

E dhe Bahtiri bëri thirrje për unitet të të gjithëve pavarësisht përkatësisë politike, vetëm për të mirën e vendit.

Ndërkaq, nipi i heroit kombëtar, Gazmend Boletini, përshkroi vuajtjet dhe sakrificat e mëdha të familjes, vetëm që në trojet shqiptare të flitet shqip.

Boletini: Historinë e kam mësuar fillimisht në shtëpinë tonë

“Si nip i Isa Boletinit historinë e kam mësuar fillimisht në shtëpinë tonë si i vogël, pranë asaj familje e cila ka dhënë kontribut dhe ka vuajtur historikisht. Si një familje që në këto beteja ka hyrë e pasur ndërsa ka mbetur e varfër, vetëm që në këtë vend, duke filluar nga Mitrovica dhe nëpër të gjitha trojet shqiptare të flitet shqip”, tha ai.

Në anën tjetër, prof. Dr. Xheladin Shala nga Instituti Albanologjik i Kosovës, foli në detaje për burimet serbe rreth Isa Boletinit gjatë viteve 1913 – 1916, ndërsa potencoi se ai është figurë madhore, i cili qëndron  në ballë të personaliteteve më të admiruara të kombit shqiptar.

Shala: Boletini është figurë madhore

“Si çdo popull që krenohet me patriotët e vërtetë, edhe populli ynë ka mjaft burra të shquar me të cilët krenohet dhe gjithmonë me pietet do t’i përkujtojmë … Pa dyshim, një figurë madhore, i cili qëndron  në ballë të personaliteteve më të admiruara të kombit shqiptar është Isa Boletini”, sqaroi Shala.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...