Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka bërë një veprim të rrallë në praktikën gjyqësore.
Kjo gjykatë, në korrik të vitit 2018, e kishte liruar nga akuza Nezir Aliun, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pavarësisht që ai e kishte pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por, rasti ndaj tij, më pas ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, derisa të enjten është mbajtur për herë të dytë, seanca gjyqësore ndaj tij.
Ai akuzohej se si zyrtar i gjendjes civile në fshatin Bistricë të Leposaviqit, në kundërshtim me udhëzimin administrativ, ka lëshuar certifikatën e martesës për S.Gj, me kopje të dokumenteve të pavërtetuara.
I akuzuari Aliu, edhe në seancën e së enjtes, sërish e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën përballet.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Njazi Rexha, i akuzuari Nezir Aliu deklaroi se ka kuptuar aktakuzën dhe veprën me të cilën ngarkohet, duke thënë se e pranon fajësinë.
Lidhur me këtë ai tha se ka gabuar duke mos mohuar se ka lëshuar certifikatën e martesës për S.Gj.
Prokurori i rastit, Njazi Rexha, lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Aliu, tha se i propozon gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë nga i akuzuari, pasi që ai sipas tij, këtë e ka bërë vullnetarisht dhe në mbështetje me provat që gjenden ne shkresat e lëndës.
Me vendim të trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Tomisllav Petroviq, u aprovua pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Nezir Aliu.
Ne fjalën e tij përfundimtare, prokurori Rexha, ka thënë se nuk është kontestuese se i akuzuari në fjalë t’i ketë kryer veprimet e përshkruara si në aktakuzë, fakt për të cilin tha se e pranon edhe vet i akuzuari.
Prokurori Rexha kërkoi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe me rastin e shqiptimit të llojit dhe lartësisë së dënimit të ketë parasysh rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese.
Ndërkaq, në fjalën e tij përfundimtare, i akuzuari Nezir Aliu, deklaroi se sipas tij, ka besuar që t’i ndihmojë asaj gruaje pa ditur problemet e saj.
“Ndihem i penduar dhe e lus gjykatën për mirëkuptim maksimal”, ka thënë i akuzuari.
Me këtë gjykatësi Petroviq, njoftoi palët se shqyrtimi i kësaj çështje penale ka përfunduar në tërësi dhe se shpallja e aktgjykimit do të bëhet po në këtë ditë, në ora 13:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 4 prill 2018, Nezir Aliu, akuzohet se më 12 qershor 2014, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në fshatin Bistricë, Komuna e Leposaviqit, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që tjetrit t’i sjellë dobi pasurore.
Bazuar në aktakuzë, këtë vepër penale i akuzuari e ka kryer në atë mënyrë që në kundërshtim me udhëzimin administrativ nr.03/12 neni 4 paragrafi 2, ka lëshuar certifikatën e martesës për S.Gj me kopje të dokumenteve të pavërtetuara.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, i akuzuari Nezir Aliu për këtë rast, përmes aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, më 20 korrik 2018 ishte liruar nga akuza edhe pse në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 19 korrik 2018, ai e kishte pranuar fajësinë.
Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, thuhet se Gjykata ka shqyrtuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit dhe se ka gjetur se janë përmbushur kushtet ligjore për pranim të fajësisë, ndonëse më pas i njëjti është liruar nga kjo akuzë.
Por, më pas Gjykata e Apelit, më 9 nëntor 2018, pas aprovimit të ankesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, rastin e ka kthyer në rigjykim me pretendimet se ekzistojnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke kërkuar anulimin e aktgjykimit dhe që çështja të kthehet në rigjykim.
Në aktvendimin e Apelit thuhet se kolegji i kësaj Gjykate, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka gjetur se pretendimet e Prokurorisë janë të bazuara dhe se aktgjykimi i atakuar përmban shkelje të dispozitave të procedurës penale duke e konsideruar të njëjtin kundërthënës dhe juridikisht të paqëndrueshëm.
Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, në pjesën e arsyetimit thuhet se nga procesverbali i shqyrtimit fillestar, rezulton qartë se Gjykata ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari, mirëpo thuhet se nuk është e qartë se mbi cilën bazë ligjore e ka liruar atë nga akuza, duke cekur më pas se këto kundërthënie dhe paqartësi sipas kësaj Gjykate, janë evidente edhe në arsyetimin e aktgjykimit.
Apeli ka vlerësuar se në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, kundërthëniet dhe paqartësitë janë aq të theksuara sa që e bëjnë atë të paqartë dhe konfuz.