Serbët e veriut protestojnë kundër bashkimit të Mitrovicës

Mitrovica

Serbët e veriut protestojnë kundër bashkimit të Mitrovicës

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 15:29
Pamje nga protesta

Rreth 3 mijë qytetarë serbë kanë protestuar sot para ndërtesës së EULEX-it në veri të Mitrovicës, kundër bashkimit të qytetit të Mitrovicës.

Ata mbanin në duar flamuj të Serbisë, të Trepçës dhe pankarta me mbishkrimet ‘Veriu bastion i lirisë serbe’, ‘Nuk e japim veriun’, ‘Kundër aneksimit dhe taksës’ dhe të ngjajshme.

Kryetari i Listës serbe, Goran Rakiq, potencoi se qytetarët serbë nuk do të lejojnë okupimin e Mitrovicës dhe të veriut në përgjithësi.

Sipas tij, serbët do të qëndrojnë këtu, sepse kanë marrë garanci të forta për mbështetje nga presidenti Vuçiq dhe shteti i Serbisë.

Rakiq: Nuk do të lejojmë që të udhëheqin me qytetin as me jetët tona

“Dje taksat, sot aneksimi ose okupimi i veriut të Mitrovicës, nesër Zveçanit, pasnesër Leposaviqit, Zubin Potokut, Trepçës. Vëllezër e motra, po duan kinse përmes një Mitrovice të bashkuar të na zhvillojnë ekonomikisht. Zotërinj nga Prishtina, kjo është gënjeshtër. Zotërinj nga Unioni Evropian pse po heshtni, kur e dimë se në jug të Mitrovicës nuk jeton asnjë serb. Këtë e dëshirojnë edhe në veri, duke bashkuar kinse Mitrovicën. Nuk do të lejojmë që të udhëheqin me qytetin tonë dhe as me jetët tona…Do të qëndrojmë këtu në ballë të atdheut tonë. Kemi marr garanci të forta se shteti serb dhe presidenti Vuçiç gjithmonë do të jetë me ne”, ka thënë Rakiq.

Edhe drejtori i spitalit në veri të Mitrovicës, Millan Ivanoviq, duke përsëritur premtimet për mbështetje nga ana e Serbisë, tha se me marrje të Gazivodës dhe Trepçës nga ana e shqiptarëve, po tentohet të ushtrohet gjenocid ekonomik ndaj serbëve të këtushëm.

Ivanoviq: Do të mbrohemi me të gjitha mjetet legjitime

“Do të luftojmë dhe do të mbrohemi me të gjitha mjetet legjitime…Nuk do ta japim Gazivodën, ndërsa veç nesër po përgatiten ta marrin edhe Trepçën. Kjo është një mënyrë e gjenocidit ekonomik…Ajo që na inkurajon është mbështetja e shtetit tonë të Serbisë e cila nuk do të lejojë pastrim etnik, e as dhunë ndaj serbëve”, theksoi Ivanoviq.

Ndërkaq, Rade Gërbiq, rektor i universitetit në veri të Mitrovicës, tha mes tjerash se nëse institucionet shëndetësore, shkollat dhe universiteti në veri nuk funksionojnë nën sistemin arsimor dhe shëndetësor të Republikës së Serbisë, atëherë nuk do të ketë as serbë në Kosovë.

Gërbiq: Na u janë rrezikuar të drejtat elementare

“Jemi tubuar sot që ta përkujtojmë edhe njëherë Bashkësinë Ndërkombëtare se na janë rrezikuar të drejtat elementare. Por, edhe t’ua tërheqim vërejtjen sa i përket deklaratave të fundit të Prishtinës rreth aneksimit të veriut të Mitrovicës. Kjo, përveç të drejtave tona, rrezikon edhe jetesën tonë. Ne dhe shteti i Serbisë nuk do të lejojë një gjë të tillë. Nëse institucionet tona shëndetësore, shkollat dhe universiteti nuk janë nën sistemin arsimor dhe shëndetësor të Republikës së Serbisë, atëherë nuk do të ketë as serbë në Kosovë”, u shpreh ai.

Pas fjalimeve, protestuesit kanë shëtitur përgjatë sheshit ‘Car Llazar’ deri tek ura kryesore mbi Ibër. Protesta ka zgjatur rreth një orë dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa është përcjellur nga forca të shtuara të policisë.

Ndryshe, idenë për bashkimin e qytetit të Mitrovicës e pati nisur kryetari i komunës së jugut të Mitrovicës, Agim Bahtiri, më 27 nëntor të vitit të kaluar, menjëherë pas dorëheqjes së homologut të tij nga veriu, Goran Rakiq.

Me këtë rast, vetëm për pesë ditë mbi 16 mijë qytetarë shqiptarë nga jugu nënshkruan peticionin për bashkimin e qytetit. Ndërsa, deklaratave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se bashkimi i Mitrovicës është proces i pandalshëm, i ishte përgjigjur kryetari i Listës serbe, Goran Rakiq, i cili tha se ‘serbët nuk do të lejojnë një Mitrovicë të bashkuar’.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat