Iniciativa e Agim Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës po shihet si një veprim populist - Bota Sot
Iniciativa e Agim Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës po shihet si një veprim populist

Mitrovica

Iniciativa e Agim Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës po shihet si një veprim populist

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 14:11
Ura e ibrit

Peticioni i nënshkruar nga qytetarët e Mitrovicës për bashkimin e këtij qyteti është një iniciativ e mirë dhe e drejtë. Por, iniciativën nga kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, analistët e vlerësojnë si një veprim politik.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri, ka thënë se përmes kësaj forme demokratike dëshmohet disponimi i qytetarëve të Mitrovicës dhe Kosovës, të cilët dëshirojnë të jetojnë së bashku e jo të ndarë.

Sipas tij, ky peticion i qytetarëve është presion demokratik mbi strukturat politike të brendshme dhe të jashtme.

“Është një e drejtë dhe vullnet përmes një forme demokratike të nxitet ose të dëshmohet disponimi i qytetarëve të Mitrovicës dhe Kosovës, që dëshirojnë të jetojnë së bashku e jo të ndarë. Duhet parë sa kanë  marr pjesë dhe si është gatishmëria e qytetarëve dhe cka mund të konsiderojnë me këto nënshkrime, dhe se a e përmbush kriterin dhe në veri dhe në jug, nacional, etnik, fetar etj.  Por gjithsesi është një vullnet i mirë, dëshirë e mirë, është një formë demokratike dhe presion demokratik mbi strukturat politike të brendshme dhe të jashtme që për fatin e Mitrovicës të vendosin duke bashkuar e jo duke ndarë”, ka thënë ai.

I pyetur se si e vlerëson përgjigjen e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), për mos mbështetjen e këtij peticioni, Tahiri tha se “janë procedura ligjore se si procedohen nënshkrimet  e qytetarëve. Ky është peticion demokratik, por jo detyrues”.

“Institucionet punojnë në bazë të ligjeve në fuqi dhe në bazë të Kushtetutës dhe jo në bazë të numrit të nënshkrimeve. Se si do të jenë procedurat dhe a do të ndryshohen, dhe a do të ketë referendum lokal apo të përgjithshëm, do të ketë trajtim në institucionet shtetërore, vendoset në bazë të parametrave ligjorë që janë në fuqi”

Ndërsa, analisti Musa Preteni theksoi se iniciativa e marrë nga Komuna e Mitrovicës për bashkimin e dy komunave në një të vetme është një veprim politik kryekëput popullist.

“Iniciativa e marrë nga komuna e Mitrovicës për bashkimin e dy komunave në një të vetme ka qenë një veprim politik kryekëput popullist, në një kohë kur është hapur tema e kufijve si asnjëherë tjetër nga presidentët e të dyja vendeve. Unë konsideroj që çështjet administrative janë shumë pak të rëndësishme në krahasim me atë se çfarë politika mund të bëjë në bashkimin e të dyja pjesëve të Mitrovicës në kuptimin e vërtetë të fjalës duke filluar që nga lëvizja e lirë e njerëzve dhe bashkëpunimi ekonomik, kulturor dhe social”, tha Preteni.

Siç tha ai, përmes kësaj iniciative po luhet me ndjenjat e qytetarëve të Mitrovicës, duke shfrytëzuar dashurinë  dhe nostalgjinë e tyre për qytetin e dikurshëm të bashkuar të Mitrovicës.

Preteni konsideron se hapja e çështjes së kufijve nga vet pala kosovare është e rrezikshme në kohën kur po flitet me të madhe çështja e shkëmbimeve territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe njëherë përmes kësaj iniciative po luhet me ndjenjat e qytetarëve të Mitrovicës, duke shfrytëzuar dashurinë  dhe nostalgjinë e tyre për qytetin e dikurshëm të bashkuar të Mitrovicës. Po ashtu konsideroj që hapja e çështjes së kufijve nga vet pala kosovare është e rrezikshme në kohën kur po flitet me të madhe çështja e shkëmbimeve territorial mes Kosovës dhe Serbisë. Pra në këtë kuptim nëse veç hapet çështja e bashkimit të Mitrovicës në kontekstin administrativ nxit dhe përforcon edhe kërkesën e Serbisë për ndryshime edhe në komunat tjera në veri që i hap rrugë ndryshimeve fatale për Kosovën”, tha Preteni.

Në ligjin për kufijtë administrativ të komunave përkatësisht neni 3 paragrafi 3.5 shpjegohet se nëse komunat nuk janë të kënaqur me vendimin e kufijve administrativ mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

“Komunat mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk janë të kënaqur me vendimin mbi mosmarrëveshjet mbi kufijtë administrativ të komunës”, thuhet në ligj.

Ndërsa në nenin 8 paragrafi 9.2 shpjegohet se nuk mund të ndryshohen kufijtë administrativ pa konsultimin me qytetarët ose komunat që preken nga ai ndryshim.

“Ligji për kufijtë administrativ të komunave, neni 8 paragrafi 9.2 ‘Ndryshimi i kufijve administrativ të komunës nuk mund të bëhet para konsultimit me qytetarët në komunat ose pjesët e komunave të prekura nga ndryshimi’ “.

E në nenin 11, shpjegohet se cilat duhet të jenë dokumentet mbështetëse për propozimin e ndryshimit të kufijve.

“Paragrafi 11.1 Propozimet për ndryshime të kufijve administrativ të komunës të çfarëdo lloji duhet të përfshijnë së paku:

1. a) hartën e territorit apo territoreve, kufijtë administrativ të cilave propozohen të ndryshohen, duke  specifikuar kufijtë administrativ e rijnë të propozuar;

1. b) arsyetimin për nevojën e ndryshimeve të tilla dhe lehtësimin ose vështirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbime të ofruara nga komuna;

1. c) analizën e efekteve të ndryshimit në aspekt të qëndrueshmërisë ekonomike të komunës;

1. d) arsyetimin që ndryshimet janë në pajtueshmëri me parimin e subsidiaritetit dhe ndikojnë pozitivisht në ushtrimin e kompetencave të komunave;

1. e) materialet shpjeguese për formën e likuidimit të borxheve apo kredive të kontraktuara nga secila komunë;

1. f) raporti i cili përmban mënyrat e konsultimit me qytetarët, rezultatin pro dhe kundër nga këshillimi me qytetarët; dhe 1. g) dokumentet tjera të krijuara nga autoritetet përkatëse gjatë procesit”.

Ndryshe, peticioni për bashkimin e Mitrovicës me 16.594 nënshkrime nga qytetarët e Mitrovicës është dorëzuar për herë të parë më 16 janar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mirëpo ky peticion i cili më pas u dorëzua nga Kuvendi në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe nga aty në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), nuk e mori mbështetjen e duhur. Më pas kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri të enjten këtë peticion e dorëzoi tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Bahtiri në një prononcim tha se të njëjtin peticion javën e ardhshme do ta dërgojë edhe tek Grupet Parlamentare (GP), në Kuvendin e Republikës së Kosovës./Telegrafi

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...