Bahtiri: Ta mbrojmë Trepçën dhe Mitrovicën

Mitrovica

Bahtiri: Ta mbrojmë Trepçën dhe Mitrovicën

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 16:50
Agim Bahtiri

(E plotësuar) - Manifestimi tradicional ‘Java e Minatorëve’ ka përfunduar sot me zbulimin e pllakës ‘Epopeja e minatorëve të Trepçës” në qendër të qytetit të Mitrovicës, ku janë shënuar emrat e të gjithë pjesëmarrësve të grevës së para 30 vjetësh, e cila pati bërë lëvizje të rëndësishme politike të asaj kohe.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë tubimit përmbyllës ka përsëritur qëndrimin e tij për bashkimin e qytetit të Mitrovicës. Sipas tij, është koha kur duhet të mbrohet qyteti dhe Trepça me të gjitha resurset e saj, ndërsa potencoi se planet për një Mitrovicë me status special nuk do të jenë të pranueshme për qytetarët kurrë.

Ai tha se do të mbrohet çdo pëllëmbë e territorit të Republikës së Kosovës.

Bahtiri: Duhet ta mbrojmë Trepçën dhe Mitrovicën

“Sot kemi ardhur në kohën kur duhet të mbrohet Mitrovica. Duhet të mbrohet miniera jonë dhe të gjitha resurset e Trepçës. Planet të cilat po shpërndahen çdo ditë për një Mitrovicë speciale nuk do të dorëzohem asnjëherë, as unë dhe as ju. Do të jemi së bashku për t’i çuar proceset përpara. Bashkimi I qytetit do të ndodhë, por jo me status special. Nuk kemi marr rrugë për status special, por për të mbrojtur çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës, e posaçërisht Mitrovicës që padrejtësisht dhe pa e pyetur askënd e kanë ndarë dhe Mitrovica do të jetë e bashkuar me ndihmën e Zotit dhe tuajën”, ka thënë Bahtiri.

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së minatorëve, duke falënderuar të gjithë minatorët, tha se ata kanë dhënë një kontribut të veçantë në grevën historike të vitit 89, kur edhe filluan themelet e shtetit të Republikës së Kosovës në Stantërg.

Kryesindikalisti i minatorëve nga Britania e Madhe, Robert Myers, tha se personaliteti i minatorëve të asaj kohe vazhdon që edhe pas kaq vitesh të mbajë gjallë ndjenjën e rezistencës në mesin e tyre.

Myers: Personaliteti i minatorëve të asaj kohe të mbajë shpirtin e rezistencës

“Shpresoj që personaliteti i minatorëve të asaj kohe do të mbajë shpirtin e rezistencës, i cili do të jetojë edhe shumë vite me ju dhe mes jush”, theksoi Majers.

Ndërkaq, në emër të ish-14 të akuzuarve politikë, Burhan Kavaja, ka bërë të ditur se sa i vështirë ka qenë organizimi i grevës në atë kohë.

Kavaja: Minatorët i bënë rezistencë euforisë serbomadhe

“Sot është shumë e lehtë të flitet dhe të veprohet, por në rrethanat kur ishim të rrethuar me rrjetet informative e kundërinformative të organizohet një marsh protestues dhe një grevë, ka qenë diçka pothuajse e pamundur. Mirëpo, duke falënderuar sloganit që e pata thënë edhe më herët ‘një për të gjithë dhe të gjithë për një’ arritëm solidaritetin, qëndresën dhe me shëndetin tonë, arritëm që t’i bëjmë rezistencë një euforie serbomadhe kundër një Kosove, punëtorëve dhe kundër minatorëve”, sqaroi Kavaja.

Përmbyllet me sukses “Java e Minatorëve”

Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë lumit Ibër, është mbajtur tubimi përmbyllës i aktiviteteve të “Javës së Minatorëve” me rastin e 30 vjetorit të grevës së tyre.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, zv. ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gjergj Beka, zv. ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Rrustem Musa, kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, ish drejtori i Trepçës, njëherësh edhe organizator kryesor i grevës së minatorëve, Burhan Kavaja, minatorë, familjarë dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se organizimi i protestave dhe i grevave në atë kohë ishte shumë i vështirë dhe i rrezikshëm, pasi që UDB-ja, kishte informatorët e vetë kudo.

“Mirëpo, minatorët falë sakrificës dhe përkushtimit të tyre arritën të sensibilizojnë çështjen e Kosovës dhe shqiptarëve në tërë botën. Marshet dhe grevat e tyre patën jehonë të madhe në tërë botën. Slogani i tyre “të gjithë për një dhe një për të gjithë”, që aso kohe funksioni me shumë sukses është i nevojshëm edhe sot që të mbrojmë Trepçën, të mbrojmë Mitrovicën dhe Kosovën që të mos ndahen”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, e vlerësoi si shumë të suksesshëm javën e minatorëve ku tha se janë zhvilluar një sërë aktivitetesh të ndryshme kulturore dhe sportive  tjera si dhe falënderoi edhe kryetarin Bahtiri për rregullimin e pllakës përkujtimore të minatorëve.

Drejtori i Minierës së Trepçës në kohën e grevës, e që është organizatori kryesor i saj, Burhan Kavaja, fillimisht falënderoi kryetarin e komunës, Agim Bahtiri, për kujdesin që po tregon ndaj minatorëve grevistë dhe më pastaj shtoi se minatorët nuk kursyen asgjë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, institucionet e Kosovës dhe Trepçën nga okupatori serb i cili në mënyrë të pamëshirshme po i shkatërronte të gjitha. 

Pastaj kryetari Bahtiri së bashku me të pranishmit kanë vazhduar në sheshin e qytetit, ku është zbuluar edhe pllaka përkujtimore "Epopeja e Trepçës" me emrat e minatorëve grevistë, të cilët me këngë e valle e përmbyllën suksesshëm “Javën e Minatorëve”.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat