Kuvendi i Komunës së Mitrovicës nderoi Latif Berishën e Agim Hajrizin

Mitrovica

Kuvendi i Komunës së Mitrovicës nderoi Latif Berishën e Agim Hajrizin

Nga: Hysni Syla Më: 24 mars 2019 Në ora: 16:41
Pamje nga mbledhja

Me një mbledhje solemne, të thirrur nga kryesuesi Safet Kamberi, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës ka nderuar dhe përkujtuar dy nga personalitetet më emblematike të qyteit të Mitrovicës, Latif Berishën e Agim Hajrizin, të cilët ishin shpirti i Lëvizjes për liri e demokraci jo vetëm në Mitrovicë, por edhe më gjerë, që mizorisht u ekzekutuan në natën e 24 marsit të vitit 1999 nga policia fashiste serbe.  

Në mbledhje morën pjesë edhe  deputetët e Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri, njëherësh sekretar i LDK-së dhe Anton Çuni, zëvendësministri në MMPH, Gjergj Beka  dhe ai i Zhvillimit ekonomik, Sami Zeka, përfaqësues të institucioneve tjera qendrore e lokale,veprimtarë të shumtë të çështjes kombëtare, personalitete të shumta të jetës politike kulturore etj.

Në fjalën e tij kryesore, të paraqitur para pjesëmarrësve. Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, njëherësh edhe kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, tha Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, ishin atdhetarë të devotshëm, intelektualë të shquar, veprimtarë të palodhur e të paharruar, familjarë shumë të dashur, bashkëpunëtorë të ngushtë e besnikë të sa e sa kolegëve dhe miqve të tyre.

“Njëzet vjet më parë Kosova dhe populli i saj po përjetonin gjenocid të paparë shtetëror serb. Bota progresive ndërkombëtare, NATO u angazhuan dhe nuk lejuan që të thellohet edhe më tej kjo tragjedi, prandaj vendosën ta ndëshkonin Serbinë, duke i bombarduar caqet ushtarake e policore të saj. Natën e 24 marsit, kur filluan bombardimet, kriminelët serbë ekzekutuan në mënyrën më mizore në shtëpitë e tyre dy nga personalitetet më emblematike të qytetit të Mitrovicës, Latif Berishën e Agim Hajrizin që deri në ato çaste ishin shpirti lëvizjes për liri dhe demokraci jo vetëm në Mitrovicë, por edhe më gjerë. Kështu, këta intelektualë e veprimtarë të devotshëm të qytetit tonë dhe të mbarë shqiptarisë shkuan nga kjo botë pa e pritur agimin e lirisë...”, tha ndër të tjera Kamberi.

Nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, duke folur për atdhetarët Berisha e Hajrizi, tha ndër të tjera se puna e tyre me përkushtim, ideali i lartë patriotik dhe kombëtar, mbeten gjithmonë në zemrat e popullit tonë dhe se ata në këtë fushë dhe shumë të tjera ishin  fanar i ndriçimit atdhetar, në të gjitha hapësirat

Ndërkaq, Ismet Beqiri, sekretar i LDK-së, u shpreh i privilegjuar për shkak se siç tha ai, kishte pasur rastin t’i njoh nga afër shumë mirë të dy këta patriotë, për të cilët tha se ishin figura shumë të çmuara dhe kontributdhënëse për lirinë të cilën populli i Kosovës e gëzon sot.

Në emër të familjarëve të pranishmit i falënderuan e bija e profesor Berishës, Fatmirja dhe motra e Agim Hajrizit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat