Prokuroria në Mitrovicë ngritë aktakuzë ndaj personit që ka vdekur në vitin 2010, pushohet procedura ndaj tij - Bota Sot
Prokuroria në Mitrovicë ngritë aktakuzë ndaj personit që ka vdekur në vitin 2010, pushohet procedura ndaj tij

Mitrovica

Prokuroria në Mitrovicë ngritë aktakuzë ndaj personit që ka vdekur në vitin 2010, pushohet procedura ndaj tij

Më: 12 prill 2019 Në ora: 14:15
Ilustrim

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në nëntor të vitit 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj J.D, duke e ngarkuar se gjatë vitit 2017, ka kryer veprën penale të vjedhjes së rrymës.

Por, sipas dokumenteve zyrtare të gjendjes civile, është konstatuar se ai ka vdekur në dhjetor  të vitit 2010, rreth tetë vjet para se të ngrihej aktakuza ndaj tij.

Duke u bazuar në këto dokumente, Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, të premten, ka bërë të ditur se do ta pushojë procedurën penale ndaj të akuzuarit për vjedhje të rrymës, J.D.

Një vendim të tillë, ka thënë se do ta merr gjykatësi i rastit, Agron Maxhuni, pasi ka deklaruar është vërtetuar se i pandehuri kishte ndërruar jetë në vitin 2010.

I ndjeri J.D, akuzohet se me 29 maj 2017, në Vushtrri, me qëllim që vetit t`i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore ka vjedhur rrymën.

Pasi që ai nuk ishte paraqitur në seancën e shqyrtimit fillestar, sipas gjykatësit Maxhuni, nga fletëkthesa e 25 marsit 2019, ishte konstatuar se ai kishte vdekur.

Me qëllim të konstatimit të vdekjes së tij, gjykata, të premten, me 12 prill 2019, i ka kërkuar zyrës së gjendjes civile të Komunës së Vushtrrisë, të bëjë verifikimin nëse i pandehuri ka vdekur, me ç’ rast në përgjigjen e saj dërguar gjykatës, përmes email-it, thuhet se ai ka vdekur me 3 dhjetor 2010.

Në këto rrethana, gjykatësi Maxhuni ka bërë të ditur se jashtë seancës gjyqësore do të vendosë  për hedhjen e aktakuzës dhe pushimin e procedurës penale ndaj tani të ndjerit, duke vepruar sipas nenit 253 par 1 pika 1.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.Ndryshe, Kompania për Dsitribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), më 5 mars 2018, kishte paraqitur kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ndaj J.D.

Ndërsa, më 21 nëntor 2018, prokurorja Natasha Taniq, kishte përpiluar aktakuzën ndaj tij.

Sipas aktakuzës, i pandehuri  J.D, në periudhën e pacaktuar e deri me 29 maj 2017, në shtëpinë e tij, në Vushtrri, kishte kryqëzuar hyrjen dhe daljen në njehsorin elektrik dhe kishte furnizuar tërë shtëpinë jashtë njehsorit, me ç` rast i kishte shkaktuar dëm kompanisë KEDS, në shumën prej 276.13 euro.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ky nuk është rasti i vetëm që Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kishte ngritur aktakuza ndaj personave që kishin vdekur vite më parë.

Për një rast të ngjashëm, kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, edhe gjatë vitit 2018, në të cilin kjo prokurori më 25 prill 2018, kishte ngritur aktakuzë kundër B.F, duke e ngarkuar me veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale”.

Aktakuza e ngarkonte atë se veprën penale e ka kryer në qershor të vitit 2017.

Por, nga dokumentet zyrtare, kishte rezultuar se personi ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, ka vdekur në vitin 2005.

Policia e Kosovës, përmes një shkrese e kishte njoftuar Gjykatën Themelore në Mitrovicë, se i akuzuari në fjalë ka ndërruar jetë më 17 maj të vitit 2005, me ç’rast të njëjtit njoftim i kishin bashkëngjitur edhe certifikatën e vdekjes.

Gjithashtu një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në Prokurorinë Themelore në Gjilan.

“Betimi për Drejtësi”, ka raportuar në mars të vitit 2019, se kjo prokurori më 2 tetor 2017,  kishte ngritur aktakuzë për vjedhje rryme, ndaj B.T, që kishte vdekur më 26 nëntor të vitit 2010.

Pasi ishte vërtetuar një gjë e tillë, Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e kishte pushuar procedurën penale ndaj tij.

Ai akuzohej se nga koha e pavërtetuar e deri më 12 korrik 2017, në shtëpinë e tij, në fshatin Bolec të Kamenicës, në mënyrë të vazhdueshme dhe të paautorizuar ka shfrytëzuar rrjetin elektrik.

Në aktakuzë thuhej se i akuzuari është lidhur drejtpërdrejtë në rrjet elektrik jashtë njehsorit, ka shpenzuar energji elektrike pa u regjistruar ajo askund si shpenzim, me ç’rast kompaninë KEDS, e ka dëmtuar në shumë prej 239,31 eurosh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...