Vihet gurthemeli i ‘Shtëpisë Muze’ në Mitrovicë

Mitrovica

Vihet gurthemeli i ‘Shtëpisë Muze’ në Mitrovicë

Më: 15 prill 2019 Në ora: 16:41
Vihet gurthemeli i ‘Shtëpisë Muze’ në Mitrovicë

Nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe në bashkëpunim me OJQ “Zëri i Prindërve”, sot në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës u bë hedhja e gurrthemelit të ‘Shtëpisë Muze’, vendin ku para dy dekadash forcat serbe vranë 23 qytetarë shqiptarë të pafajshëm të kësaj lagje.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme lokale e qendrore, familjarë të viktimave, si dhe shumë qytetarë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se muaji prill ka qenë çdoherë muaj i përkujtimeve më të vështira për Kosovën.

Bahtiri: Ua kemi borxh këtyre njerëzve

“Sot e çdoherë do t’i kujtojmë njerëzit të cilët me të vërtetë kanë qenë njerëzit më të devotshëm të këtij vendi, duke falënderuar UÇK-në dhe njerëzit të cilët na kanë ndihmuar që sot të jemi të lirë këtu në Kosovën të cilën e kemi paguar shumë herë më shumë sesa ka pasur nevojë. Ky muaj ka qenë çdoherë muaj i përkujtimeve më të vështira të vendit tonë… Ne sot do të bëjmë edhe fillimin e muzeut ku unë kam premtuar se do të jetë kjo pjesë këtu për arsye se ua kemi borxh këtyre njerëzve që të vinë dhe të tjerët të shohin këtë makabër e cila ka ndodhur duke iu falënderuar edhe qeverisë së Kosovës”, ka thënë Bahtiri.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit për personat e pagjetur, ka bërë të ditur se premtimi për ndërtimin e Shtëpisë Muze u realizua, ndonëse me vonesa për shkaqe administrative.

Sipas tij, kjo Shtëpi do të ndërtohet shumë shpejt, dhe do të marrë pamje ashtu siç e meritojnë të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit.

Lluka: Një muze çfarë na ka hije

“Ne kemi premtuar se këtu do të restaurojmë një muze çfarë na ka hije neve si qytetarë dhe Kosovë. Nuk kemi arritur që me kohë t’i kryejmë punët për shkaqe administrative kemi shkuar shkurt me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Haradinaj, mjetet janë ndarë siç e tha kryetari i Mitrovicës dhe unë po shpresoj që shumë shpejt  kjo gjithçka do të ndryshojë dhe do ta marr formën siç na ka hije dhe siç e meritojnë të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit…Jemi të gatshëm çdo moment të jemi me ju për të gjitha problemet e juaja …Mbajuni krenarë, e keni mbështetjen e Qeverisë së Kosovës”, theksoi Lluka.

Ndërkaq, Bajram Çerkini, kryetar i Shoqatës të të pagjeturve në Mitrovicë, tha se lotët e këtij vendi këtu janë të veçantë, derisa u shpreh i pakënaqur me drejtësinë për mos kapjen e autorëve të këtij krimi.

Çerkini: Kriminelët sillen nëpër Mitrovicë

“Lotët e këtij vendi janë të veçantë në Kosovë, sepse të shohim ku janë kriminelët, ata kësajde sillen, këtu janë, na shikojnë për dritare, qeshin me neve, ndërsa ne çka kemi bërë”, sqaroi Çerkini.

Në anën tjetër, ideatori i ‘Shtëpisë Muze’ dhe banor i lagjes së ‘boshnjakëve’, Fevzi Beqiri, duke kërkuar nga qeveria përkujdesje më të madhe për veriun, ka ftuar prokurorinë që të hulumtoj këtë rast dhe të arrestoj kriminelët.

Beqiri: Qeveria e Kosovës ta kthej kokën nga veriu

“Ftoj prokurorin e shtetit që të zgjohet nga gjumi dhe ta gjurmojë këtë rast të gjenocidit serbomadh në këtë pjesë të atdheut që ende nuk është i lirë…Ftoj Qeverinë e Kosovës ta kthej kokën nga veriu dhe të ndanë mjete të veçanta për veri”

Ndryshe, në ditën e sotme para 20 viteve, në shtëpinë e Mustafë Sahitit, vendi në të cilin ndodhi masakra që pas luftës u shndërrua në Shtëpi Muze, forcat serbe pasi kishin mbledhur rreth 80 civilë shqiptarë, kishin nisur torturimin, duke vrarë 23 prej tyre në gjithë lagjen.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat