Paraburgim për të dyshuarit e rastit tragjik në Mitrovicë

Mitrovica

Paraburgim për të dyshuarit e rastit tragjik në Mitrovicë

Më: 24 prill 2019 Në ora: 22:25
Mitrovicë

Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës u ka caktuar 30 ditë paraburgim Afrim Hotit dhe Qamil Hajrizajt, të dyshuar në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Visar Behramit, i cili humbi jetën të hënën nga shembja e një pjese të hotelit “Adriatik” në Mitrovicë.

Dosja e Prokurorisë thotë se të pandehurit Hoti e Hajrizaj janë qiramarrës të hotelit, pronar i të cilit është Ismet Osmani.

Prokuroria thotë se në rastin e hotelit, Afrim Hoti ka qenë punëdhënës ndërsa Qamil Hajrizaj punëkryes.

Dosja e Prokurorisë gjithashtu thotë se punimet në këtë ndërtesë në qendër të Mitrovicës ishin bërë pa konsultimin e ekspertit për rrënimin e objekteve ndërsa nuk ishte vepruar sipas rregullave teknike mbi masat mbrojtëse “edhe pse kanë qenë të obliguar”.

Sipas Prokurorisë, në bazë të një marrëveshjeje gojore, i pandehuri Qamil Hajrizaj kishte filluar të kryejë punët në objektin ndërtimor duke i prerë shtyllat e katit të parë të objektit.

Tre dëshmitarë kishin qenë duke pastruar objektin në katin e parë, ndërsa tani i ndjeri Visar Behrami kishte hipur në skele dhe po prente shtyllën e katërt me radhë të katit të parë të objektit.

Dëshmitarët, sipas Prokurorisë, kur kishin vërejtur se po shembet një pjesë e objektit, filluan të ikin në drejtim të derës së hyrjes, duke i bërtitur viktimës Visar Behrami të ikë nga vendi ku po qëndronte, pasi që kishin vërejtur se po shembej një pjesë e betonit e cila e kishte zënë atë.

Prokuroria thekson se me këtë rast, të pandehurit dyshohet të kenë kryer veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Prokuroria e Mitrovicës me 23 prill 2019 ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të dyshuarve.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat