DnV: Qytetarëve u është lejuar të votojnë me dokumente të Serbisë

Mitrovica

DnV: Qytetarëve u është lejuar të votojnë me dokumente të Serbisë

Më: 19 maj 2019 Në ora: 14:06
Ilustrim

Deri në orën 12:00, në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, 21 për qind e qytetarëve kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës. E parregullsitë më të shpeshta deri në këtë kohë, kanë qenë identifikimi i vëzhguesve dhe votimi me dokumente të Serbisë, që si proces është lejuar në disa raste nga ana e komisionarëve.

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, në një konferencë për media ka njoftuar se sa për qind e qytetarëve, kanë votuar në katër komunat veriore të Kosovës.

Cakolli: 21 për qind e qytetarëve kanë dalur për të votuar deri në orën 12:00

“Deri në orën 12:00 në bazë të të dhënave që kemi marrë  nga vëzhguesit tanë nga terreni 21 për qind  e qytetarëve të katër komunave veriore të Kosovës kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës dhe në këtë përqindje prin komuna e Leposaviqit me 24 përqind të pjesëmarrjes, pasuar nga komuna e Zveqanit me 21 përqind, nga komuna e Mitrovicës së Veriut me 20 përqind, si dhe komuna e  Zubin Potokut që ka përqindjen më të ultë të pjesëmarrjes me vetëm 18 përqind”, tha Cakolli.

Pavarësisht se Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka evidentuar ndonjë parregullsi për këto zgjedhje të jashtëzakonshme, DnV thotë se ka pasur raste të tilla.

Cakolli: Ka votues që kanë votuar me dokumente të Serbisë

“Parregullsitë më të shpeshta të cilat e kanë karakterizuar këtë proces zgjedhor deri në orën 12:00 kur  ne kemi marrë të dhënat nga vëzhguesit tanë, është identifikimi i vëzhguesve dhe votimi me dokumente të Serbisë, që si proces është lejuar në disa raste nga ana e komisionarëve. Votuesit të cilët kanë qenë në listën e votuesve dhe kanë prezantuar dokumente të identifikimit të Serbisë, u është lejuar të votojnë. Një nga fenomenet tjera të cilat e kanë karakterizuar këtë proces deri më tani është edhe vështirësia e votuesve për të gjetur emrin e tyre në listën e votuesve. Ankesa në lidhje me këtë problem ka pasur në tri vendvotime, dy të cilat janë në Mitrovicën e Veriut, ndërsa një tjetër në komunën e  Leposaviqit”, tha ai.

 Ai thotë se parregullsi tjetër ka qenë edhe votimi familjar, i cili është evidentuar edhe në 15 votime, prej të cilave Mitrovica e Veriut me gjithsej shtatë raste. Madje ka pasur edhe raste kur është votuar jashtë kabinave të votimit.

Cakolli: Në tri vendvotime është votuar jashtë kabinave të votimit

“Sa i përket rasteve kur është votuar jashtë kabinave të votimit që si problem është i rregulluar edhe me aktet e KQZ-së, ky fenomen është shfaqur në gjithsej tri vendvotime në komunën e Leposaviqit, ndërsa në komunat tjera nuk është evidentuar ndonjë rast i tillë. Sa i përket tentativës për të votuar më shumë se një herë, pra votimi i dyfishtë, si problem është identifikuar vetëm në një rast, përkatësisht në qendrën e votimit 3803B, përkatësisht në shkollën ‘Aziz Sylejmani’ në Mitrovicën e Veriut, në vendvotimin 01R, tha ai.

Demokracia në Veprim ka ftuar qytetarët që të dalin në votime dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes.

I pyetur se sa mund të ndikojë tek qytetarët shqiptarë prezenca  e flamurit të Serbisë në disa vend votime, Cakolli tha se nuk është evidentuar asnjë rast që ky flamur ka penguar qytetarët të komunitetit shqiptar apo të komuniteteve tjera, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat