Edhe në Mitrovicë shënohet Dita e Fëmijëve

Mitrovica

Edhe në Mitrovicë shënohet Dita e Fëmijëve

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 13:55
Vesel Abdurrahmani

Shumë fëmijë të institucioneve të ndryshme parashkollore dhe shkollore të komunës së Mitrovicës, kanë shënuar sot 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, duke zhvilluar aktivitete të shumta të shoqëruara me balet, këngë, valle, recitale dhe aktivitete të ndryshme kulturore.

Vesel Abdurrahmani, përfaqësues nga shoqata kulturo-artistike “AD Libitum”, një nga organizatorët e programit, ka bërë të ditur për kp se për nder të kësaj dite janë organizuar aktivitete të shumta.

Abdurrahmani: Realizuam program festiv për fëmijët e qytetit

“Sot meqë shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, ne në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës, jemi munduar të realizojmë një program artistik, argëtues dhe festiv për të gjithë fëmijët e qytetit”, ka thënë Abdurrahmani.

Fitim Rama, koordinator i Njësisë për të drejtat e fëmijëve në kuadër të Komunës së Mitrovicës, tha se janë bërë organizime të shumta për këtë ditë, ndërsa janë ftuar edhe nxënës pothuajse të të gjitha shkollave, për të shijuar këtë organizim të shkëlqyeshëm.

Rama: Kemi ftuar të gjithë nxënësit mitrovicas

“Kemi pasur disa aktivitete të cilat janë duke u shfaqur para fëmijëve të qytetit të Mitrovicës. Po ashtu në këto aktivitete kanë qenë të ftuara të gjitha shkollat e mesme të ulëta të komunës së Mitrovicës, që nxënësit e tyre të vinë të shohin shfaqjet në kuadër të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve”, theksoi Rama. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat