Mungesa e dëshmitarëve zvarrit gjykimin për kontrabandë me naftë në Mitrovicë - Bota Sot
Mungesa e dëshmitarëve zvarrit gjykimin për kontrabandë me naftë në Mitrovicë

Mitrovica

Mungesa e dëshmitarëve zvarrit gjykimin për kontrabandë me naftë në Mitrovicë

Më: 6 korrik 2019 Në ora: 06:31
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi ndaj 14 personave të akuzuar për vepra penale si tregti e ndaluar, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe ndihmë për kryerjen e veprës penale

Në mesin e këtyre të akuzuarve janë edhe zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj dhe Bedri Haliti.

Gjatë seancës së sotme u dëgjua dëshmia e dëshmitarit Tahir Tahiri, i cili është propozuar nga ana e prokurorisë.

Dëshmitari Tahiri është pyetur nga prokurori i rastit rreth numrave të telefonit të cilët i kishte shitur dhe ka thënë se nuk e din se kujt i ka shitur apo blerë numra të telefonit, apo që ndonjëri prej blerësve të mund të ketë qenë ndonjëri nga të akuzuarit e ketij rasti.

Para trupit gjykues me kryetar Avni Mehmeti dhe anëtarë Ferki Xhaferi dhe Tomislav Petroviq, dëshmitari ka treguar se në atë kohë ai kishte qenë shitës ambulantor i numrave telefonikë, ndërsa me një leternjoftim kishte pasur mundësi që të blente sa donte numra të telefonit, të cilët me pas i kishte shitur.

Tahiri ishte ftuar të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit, pasi sipas një raporti që ka pranuar gjykata nga operatori i telefonisë mobile, “IPKO” për masat e fshehta të përgjimeve, njëri nga numrat, kishte rezultuar të ishte në pronësi të këtij dëshmitari.

Ai ka shpjeguar se këtë punë e kishte bërë që nga viti 2000 fillimisht me numra të atëhershëm 064 të telekomit serb ndërsa me pas edhe me numra të IPKO-s.

Gjithashtu deshmitari ka shpjeguar se nuk kishte mbajtur shënime se kujt ia kishte shitur numrat e telefonit.

Kurse mbrojtësit e të pandehurve të tjerë nuk patën pyetje dëshmitarin.

Në seancën e sotme ka munguar i pandehuri Etrit Idrizi, për të cilin paraprakisht me pajtimin e të gjitha palëve trupi gjykues ka veçuar procedurën penale.

Kjo është bërë në mënyrë që të mos shkaktohen zvarrijte të procedures pasi që ky i akuzuar gjendet jashtë vendit.

Gjithashtu prokuroria në këtë rast ka propozuar që të dëgjohen edhe të paktën katër dëshmitarë, por prezenca e tyre nuk është siguruar për këtë seancë.

Gjyqtari Mehmeti ka njoftuar se nga fletëkthesat e të njëjtëve janë kthyer si të panjohura, ndërsa dëshmitari Mergim Kajtazi kishte pranuar fletëkthesën për seancën e kaluar, mirëpo nuk ishte paraqitur as në atë seancë.

Andaj meqenëse për këtë seancë nuk ishte e mundur që të sigurohej prania e dëshmitarëve, gjykata ka njoftuar palët prezente se do të kërkojë përmes Policisë së Kosovës që të siguroj adresat e sakta dhe t’ua dërgoj personalisht dëshmitarëe ftesat.

Seancat e ardhshme janë caktuar për muajin shtator.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicë, atëherë zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj, Bedri Haliti akuzohen se gjatë muajve mars dhe prill të vitit 2013 derisa kanë qenë në orarin e punës duke punuar në pika kontrolli të ndryshme, në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si persona zyrtarë.

Sipas aktakuzës, vepra është kryer në atë mënyrë që gjersa i pandehuri Besim Zeqiri me ndihmësit e tij, kanë transportuar mallra pa autorizim, konkretisht derivate të naftës, ata janë njoftuar nga të pandehurit mbi gjendjen në rrugë me qëllim që kur rrugët kanë qenë të lira të bëhet transportimi, duke mos i penguar për kryerjen e veprave penale ashtu si  kanë qenë të detyruar sipas ligjit.

Kjo aktakuzë ngarkon edhe të pandehurit Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, për kryerjen e veprës penale të ndihmës për kryerjen e veprës penale “tregti e ndaluar”.

Po ashtu Jeton Zymeri, Driton Spahija, Gentrit Zymeri dhe Ukë Atashi akuzohen se në bashkëkryerje në fshatin Shupkovc të Mitrovicës në vazhdimësi pa autorizim kanë shitur e blerë apo edhe shkëmbyer derivate të naftës, paraprakisht duke organizuar rrjetin e shitësve-blerësve si dhe të ndërmjetësve, duke realizuar përfitimin i cili kalon shumën 15.000 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...