Serbët në veri ende nuk paguajnë faturat e rrymës, KMDLNj fton qytetarët të protestojnë

Mitrovica

Serbët në veri ende nuk paguajnë faturat e rrymës, KMDLNj fton qytetarët të protestojnë

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 14:46
Ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka rikujtuar se për më shumë se 17 vjet, qytetarët e Kosovës kanë paguar shpenzimet e energjisë elektrike për serbët e veriut. Ka rikujtuar edhe premtimin e Qeverisë se këta qytetarë, 93 % e të cilëve janë shqiptarë do të kompensohen, por se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

KMDLNj thotë se edhe tani, serbët refuzojnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe kjo dëmton buxhetin e Kosovës për 12 milionë euro në vit.

“Pas reagimeve të shumta të qytetarëve të plaçkitur , të KMDLNj –së dhe të Avokatit të Popullit , Gjykata e Apelit mori vendim që të ndërpritet kjo lloj abuzimi dhe hajnie institucionale ndërkaq qeveria e Kosovës premtoi se do të kompensohen qytetarët e dëmtuar për më shumë se 17 vite e që deri më tani nuk janë kompensuar. Serbët e veriut të Kosovës edhe më tutje refuzojnë të paguajnë faturat për rrymë dhe shërbime tjera ndonëse buxheti i Kosovës dëmtohet për më shumë se 12 milionë euro në vit. Shteti i Kosovës nuk vepron në veri në ndërkohë që edhe për borxhin më të vogël të faturës për rrymë të shpenzuar , KEDS-i përmes përmbaruesve ua bllokon llogaritë bankare edhe kategorive sociale”, thekson KMDLNj.

KMDLNj thekson se ligjet e Kosovës si dhe Kushtetuta e saj garantojnë barazi dhe trajtim jodiskriminues për të gjithë qytetarët e saj e që në rastin konkret diskriminimi është aq flagrant e që nuk ndodhë në asnjë vend të botës.

“Për shpenzimet e bëra duhet të vlejnë standardet e njëjta , atë që shpenzoni , duhet edhe të paguani pa bërë dallime në baza etnike , fetare , gjinore , moshore , racore , bindjeve politike etj. Pse shqiptarët dhe joserbët duhet të paguajnë ndërsa serbët nuk paguajnë kurrë dhe asgjë në ndërkohë që ndaj tyre nuk vlen orari i reduktimeve ?!”, thekson KMDLNj.

Ky këshill u ka bërë thirrje  qytetarëve që të protestojnë për të kundërshtuar këtë diskriminim.

“ Qytetarët e Kosovës , në mënyrë të organizuar duhet të kundërshtojnë këtë diskriminim dhe vendosje të standardeve të dyfishta duke protestuar dhe duke kërkuar trajtim të barabartë. Institucionet e Kosovës duhet të dëshmojnë se janë shtet dhe se nuk pranojnë që serbët të sillen në këtë mënyrë. Ndryshe , eskalimi i situatës në Kosovë , fillimisht i natyrës sociale duhet dhe  do të jetë i pashmangshëm e që pastaj do të përcillet me destabilizim politik dhe situatës së sigurisë:, thuhet në fund të komunikatës së KMDLNj-së.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat