Ja kur mbahet tubimi i madh parazgjedhor i LDK-së në Mitrovicë - Bota Sot
Ja kur mbahet tubimi i madh parazgjedhor i LDK-së në Mitrovicë

Mitrovica

Ja kur mbahet tubimi i madh parazgjedhor i LDK-së në Mitrovicë

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 19:34
LDK në Mitrovicë

Përgatitjet për procesin zgjedhor të 6 tetorit në Degën e LDK-së janë duke shkuar mirë dhe se deri tash nuk është paraqitur asnjë problem, është konstatuar në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë dhe nëndegëve të LDK-së në Mitrovicë, drejtuar nga kryetari Safet Kamberi.

Gjatë  raportimit të kryetarëve të nëndegëve të LDK-së lidhur me këto përgatitje u tha se kandidimi i Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës nga ana e LDK-së është mirëpritur nga anëtarësia e gjerë dhe se kjo ka bërë që interesimi, angazhimi, mobilizimi dhe përkushtimi i anëtarësisë së gjerë të LDK-së të jetë maksimal, ndërkohë që është shtuar dukshëm edhe interesimi i qytetarëve për t’i dhënë mbështetje kandidates së LDK në këto zgjedhje.

“Bazuar në këtë që dëgjuam këtu nga kryetarët e nëndegëve, mund të themi se fitorja e LDK-së në këto zgjedhje është e sigurt dhe se ndryshimi i pritur nga qytetarët e vendit do të ndodhë. LDK-ja do të qeverisë në mandatin e ardhshëm në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në interes të qytetarëve dhe këtë e mundësojnë kapacitet qeverisëse që LDK-ja ka brenda saj dhe që nuk i kanë partitë tjera”, tha kryetari Kamberi.

Ai në vazhdim i njoftoi pjesëmarrësit në takim se tubimi i madh parazgjedhor në Mitrovicë me pjesëmarrjen e kandidates për kryeministre Vjosa Osmani, do të mbahet të dielën, më 29.09.2019 në ora 17:00.

Kryetari Kamberi, pa marrë parasysh ecurinë e mirë të deritashme të përgatitjeve për këto zgjedhje, kërkoi sërish nga kryetarët e nëndegëve dhe anëtarët e Kryesisë së Degës, që të vazhdojnë angazhimin e tyre edhe më të fuqishëm  për të biseduar me qytetarët e Mitrovicës për t’ua shpjeguar atyre programin dhe synimet e LDK-së dhe për të përfituar mbështetjen e tyre në ditën e votimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat