Mbyllen qendrat e votimit në Mitrovicë

Mitrovica

Mbyllen qendrat e votimit në Mitrovicë

Më: 6 tetor 2019 Në ora: 19:30
Foto ilustrim

Janë mbyllur pothuajse të gjitha qendrat e votimit sonte në ora 19:00 në qytetin e Mitrovicës, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Një rrahje në qendrën e votimit në fshatin Kçiq, me ç’rast tre persona janë arrestuar, votime me asistencë në numër më të theksuar se sa më parë, shumë raste të qytetarëve të cilët kanë humbur kohë duke kërkuar vendvotimet e tyre, janë kryesisht ngjarjet që kanë përshkuar sot ditën e zgjedhjeve në këtë komunë.

Sipas Florije Ademit, përfaqësuese e DNV-së për rajonin e Mitrovicës, dalja e qytetarëve në votime deri në ora 18:00 ka qenë rreth 35 për qind, ndërsa jo zyrtarisht mësohet se dalja e përgjithshme e mitrovicasve deri në mbyllje të qendrave është mbi 40 për qind.

KosovaPress-i mëson se në një qendër edhe pse janë mbyllur dyert, vazhdohet të votohet brenda tyre për shkak të numrit të madh të votuesve të cilët kanë dalë në orët e vona të mbrëmjes.

Ndryshe, në 28 qendra të votimit të kësaj komune, me gjithsej 104 vendvotime, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote ka qenë 80 mijë e 606.

Në anën tjetër, Dushan Radakoviq nga DNV ka konfirmuar për KosovaPress se edhe në veri të Kosovës, qendrat e votimit janë mbyllur të gjitha me kohë, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve deri në ora 18:00 ka qenë rreth 40 për qind.

Sipas tij, procesi i zgjedhjeve ka shkuar shumë mirë, në përjashtim të dy incidenteve, një në veri të Mitrovicës dhe tjetri në komunën e Leposaviqit.

“Në qendrën ‘Sveti Sava’ në veri të Mitrovicës, dy persona janë shoqëruar në polici për shkak të parregullsisë gjatë procesit zgjedhor, pastaj dy komisionarë të dy partive të ndryshme në fshatin Vraçar të Leposaviqit kanë dhënë deklaratë në prokurori pas një zënke mes vete, ndërsa pothuajse në të gjitha komunat veriore të vendit, shumë qytetarë nuk janë lejuar të votojnë me letërnjoftime të Serbisë apo të UNMIK-ut”, ka thënë Tadakoviq.

Në 44 qendra të votimit në katër komunat veriore, Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, numri i qytetarëve me të drejtë vote ka qenë 58 mijë e 187.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat