U nxorën mbetjet mortore të dy personave, por edhe pjesë nga trupa të tjerë nga varrezat myslimane në veri të Mitrovicës - Bota Sot
U nxorën mbetjet mortore të dy personave, por edhe pjesë nga trupa të tjerë nga varrezat myslimane në veri të Mitrovicës

Mitrovica

U nxorën mbetjet mortore të dy personave, por edhe pjesë nga trupa të tjerë nga varrezat myslimane në veri të Mitrovicës

Nga: F.B Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 18:32
Varrezat

Sot ekipi i mjekësisë Ligjore në bashkëpunim me institucionet tjera përkatëse kanë punuar gjatë gjithë ditës në varrezat myslimane në veri të Mitrovicës, ku kanë hapur dy vendndodhje të mundshme të mbetjeve të trupave nga lufta e 99-të, bazuar edhe në skicat e varrimit të tyre nga institucionet serbe të policisë dhe mbrojtjes territoriale.

Gjatë gjithë ditës në këtë vendngjarje ka qëndruar edhe kreu i shoqatës së personave të pagjetur “Zëri i prindërve”, Bajram Qerkinaj, i cili tash e 6 vite në vazhdimësi ka ngritur çështjen e hulumtimit të varrezave myslimane dhe hulumtimin e këtij vendi, pasi kishte siguruar edhe skica të varrimit të tyre nga mbrojtja territoriale.

“Bazua në deklaratat e dëshmitarëve por edhe familjarëve por edhe pas përputhjes me skicat edhe emrat me iniciale të personave sipas mbrojtjes se atëhershme territoriale, trupat që sot janë nxjerr besohet se janë të Vehbi Zaselles dhe Ahmet Strana, por gjatë hulumtimit janë konstatuar edhe gjetur edhe pjesë nga trupa tjerë, që duhet te analizohen përmes ADN-së për të vërtetuar këtë që po themi” ka thënë Qerkinaj.

Siç dihet në qytetin e Mitrovicës në përfundimin e konfliktit të armatosur dhe hyrjen e trupave shumëkombëshe të KFOR-it, ishin mbi 630 viktima përfshirë këtu edhe dëshmorët, 335 persona të pagjetur, prej të cilëve ende nuk dihet fati i 116 personave, për çka Qerkinaj është i zëshëm edhe shumë i angazhuar në zbardhjen e fatit të tyre.

 Qerkinaj përmend edhe disa vende të dyshimta  ku mund të jenë lokacione me varreza masive  nga viti 1999, gjë që duhen sa më parë të hulumtohen edhe të lirohen familjarët nga ankthi dhembja edhe mungesa qoftë edhe e një varri për personat e tyre.

Ai veçanërisht ka ngritur zërin për neglizhencën dhe mos veprimin e të gjitha strukturave qendrore e lokale, por edhe organizmave ndërkombëtar në hetimin, hulumtimin dhe zbardhjen e rastit të intelektualëve të qytetit të Mitrovicës, të cilët me 20 prill janë kapur nga forcat militare dhe janë dorëzuar tek forcat policore, që i kanë vrarë edhe varrosur në Dreth, por që sot e kësaj dite nuk është punuar në gjetjen e atyre trupave dhe nderimin e varrosjen me nder të tyre.

Qerkinaj ka kërkuar nga institucionet tona , që nga prokuroria, policia, mjekësia ligjore, strukturat ndërkombëtare që të punojnë në drejtim të detyrimit të organeve të Serbisë që të japin informatat për personat e pagjetur, pasi ata i kanë ato, ndërsa strukturat ndërkombëtare të punojnë përmes xhirimeve satelitore për zbulimin e varrezave ku janë mbetjet mortore të personave të rrëmbyer edhe kidnapuar nga forcat paramilitare edhe policore serbe.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat