​Sa po respektohet ora policore në Mitrovicë? Flasin qytetarët dhe policia

Mitrovica

​Sa po respektohet ora policore në Mitrovicë? Flasin qytetarët dhe policia

Më: 3 prill 2020 Në ora: 14:35
Ilustrim

Ora policore që hyri në fuqi prej datës 22 mars, sipas vlerësimeve të qytetarëve të Mitrovicës, në përgjithësi po respektohet.

Agim Asllani, qytetar nga Mitrovica, ka bërë të ditur se qytetarët gjatë periudhave kohore të ndalesës për lëvizje, nuk janë duke dalë shumë, përveç rasteve emergjente.

Sipas tij, ora policore në këtë qytet po respektohet 90 për qind, ndërsa sa i përket daljes së qytetarëve në grupe dhe në përgjithësi, tha se nuk është gjë e mirë.

Asllani: 90 për qind ora policore po respektohet

(video)

“Besoj se jo ndoshta në tërësi, por 90 për qind ora policore po respektohet. Ndonjë rast emergjent dhe ngjashëm sepse s’janë duke dalë qytetarët shumë…Nuk është mirë me dalë në grupe, përveç ndonjë rast për barëra ose ndonjë artikull ushqimor sepse s’ja vlen me dalë rrugëve. Sepse sa të kemi kujdes, e kemi pë r vete, nëse s’ruhemi, dihet çka na pret”, ka thënë Asllani.

Edhe Ibrahim Mariqani, një mitrovicas tjetër, tha se nuk është në rregull që qytetarët të dalin në këtë situatë.

Ai shtoi se ora policore nga qytetarët po respektohet, por jo sa duhet.

Mariqani: Ora policore po respektohet, por jo sa duhet

(video)

“Ora policore po respektohet deri diku, por sa duhet jo…Nuk është mirë me dalë, nuk është në rregull hic”, theksoi Mariqani.

Bilall Hasani, qytetar, tha se nuk ka dalë asnjëherë gjatë orës policore, andaj edhe nuk e di sa po respektohet ajo.

Hasani: Nuk dalë asnjëherë, andaj nuk e dij sa respektohet

(video)

“Të drejtën me ju thënë, nuk kam dalë dhe nuk kam pa sa po respektohet ora policore, prandaj nuk e di. Dola vetëm me marr disa barëra në barnatore”, tha ai.

Ndërkaq, gjatë 24 orëve të fundit për shkak të mos respektimit të ndalesës për lëvizje gjatë orë s policore, policia në Mitrovicë ka ndaluar dy persona.

Avni Zahiti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës, sqaroi se dy persona janë ndaluar gjatë 24 orëve të fundit, të cilët kanë dalë pa ndonjë arsye gjatë kohës së kufizuar.

Sipas tij, ata pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Zahiti: Dy persona janë ndaluar gjatë 24 orëve të fundit

(video)

“Veprimet policore të orientuara në bazë të planit operativ dhe në fushën e zbatimit të vendimeve për kufizimin e lëvizjes në afatet kohore, është në kondita normale. Në 24 orët e fundit në zonën tonë janë ndaluar dy persona të cilët janë hasur në kohën e kufizuar pa ndonjë arsye për të qarkulluar, të cilët janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt”, theksoi Zahiti.

Ai shtoi se që nga zbatimi I kufizimit të lëvizjes, policia në rajonin e Mitrovicës ka ndaluar gjithsej 25 qytetarë, pr ej të cilëve 17 në Mitrovicë, 6 në Vushtrri, dhe 2 në Skenderaj.

Në anën tjetër, sipas burimeve shëndetësore në qytetin e Mitrovicës, qytetarët aktualisht rekomandohen të respektojnë urdhrat e instancave më të larta.

Doktoresha Luljeta Zhubi, infektologe, thotë se pamjet e numrit të madh të qytetarëve nëpër sheshe, pastaj kolonat e gjata të automjeteve nëpër qytet, pasqyrojnë jo seriozitetin e duhur nga ana e qytetarëve në këtë kohë pandemie.

Ajo ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të respektojnë rekomandimet e instancave më të larta të shtetit, të qëndrojnë në shtëpi, sepse vetëm në këtë mënyrë do ta ruajnë veten, por njëkohësisht edhe punëtorët shëndetësorë nga më e keqja.

Zhubi: Ju lutem qytetarëve që të respektojnë rekomandimet

(video)

“Dje isha dëshmitare e një pamjeje jo të mirë pikërisht në qytet. Sepse në ora 2:00 vlugu i njerëzve në qytet ishte shumë i madh, kolona e automjeteve ishte e gjatë, njerëz nëpër sheshe pothuajse edhe më shumë sesa ishte situata para pandemisë. Kjo jep një pamje të jo seriozitetit. Ju lutem qytetarëve që të respektojnë rekomandimet nga instancat më të larta”, u shpreh Zhubi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat