Serbët shfrytëzojnë situatën dhe vazhdojnë kolonizimin dhe ndërtimet e larta në veriun e Mitrovicës

Mitrovica

Serbët shfrytëzojnë situatën dhe vazhdojnë kolonizimin dhe ndërtimet e larta në veriun e Mitrovicës

Nga: F.B Më: 1 maj 2020 Në ora: 17:57
Mitrovicë

Edhe 21 vjet pas luftës dhe hyrjes së forcave ndërkombëtare në vendin tonë, shumë mitrovicas vazhdojnë të jetojnë me qira në pjesën këtej ibrit dhe nuk mund të kthehen në pronat dhe banesat e tyre në veri, prej nga u dëbuan me forcë nga paramilitarët dhe strukturat paralele serbe.

Përderisa pak shqiptar përkundër rrezikut janë kthyer në banesat e tyre, shumë tjerë ende jetojnë me shpresë dhe besim se institucionet lokale e qendrore do krijojnë kushte për kthim në banesat e shtëpitë ku janë rritur e ku nuk po mund të kthehen edhe 12 vjet pas pavarësimit të Kosovës.

Për më keq derisa ata nuk mund të gëzojnë të drejtën e pronës së vetë, strukturat paralele edhe ato që udhëheqin aktualisht pushtetin në Mitrovicë, në heshtje në gjendjen e krizës së virusit korona lejojnë punime ne përfundimin e ndërtesave në ndërtim, por edhe vendosin themele për ndërtime të reja, siç po ndodhë këtyre ditëve në lagjen e boshnjakëve.

Image

Këshilli i kësaj lagje ka ngritur zërin dhe ka apeluar tek institucionet lokale e qendrore që të hetohen rastet e ndërtimeve të larta që po bëhen tek pjesa ku ishte vendosur kampi i komuniteteve por edhe në vetë lagjen ku ditë më parë është pastruar terreni dhe është vënë gur themeli i një tjetër ndërtese.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, institucione lokale e qendrore dhe subjekte politike – gjendja aktuale në veri të Mitrovicës është alarmante për shkak se shqiptarët janë dhe vazhdojnë të anashkalohen nga pushteti lokal i komunës në veri por edhe është harruar nga institucionet qendrore. Edhe në kohën e krizës së pandemisë jemi mbetur pa asnjë mbështetje qoftë morale, politike ekonomike apo sociale, por ajo që na mundon është vazhdimi i shitblerjes së pronave edhe ndërtimet e larta, që synim kanë ndryshimin e strukturës etnike të lagjes” thuhet ndër tjera në një reagim të Këshillit të lagjes së boshnjakëve.

Në kohën ku mijëra prona e rreth 500 banesa ende mbeten të uzurpuara edhe të shfrytëzuara nga serbët dhe kur nuk po bëhet thuajse asgjë në krijimin e kushteve për kthim të tyre në veri të Mitrovicës, Serbia përmes strukturave të saja vazhdon ndërtimet e larta dhe popullimin e kësaj pjese të vendit tonë, në sy të institucioneve tona dhe me “bekimin” e tyre të heshtur kontribuojnë në këtë situatë alarmante.

Këshilli potencon problemet me të cilat ballafaqohen shumë familje që nuk mund të kthehen në pronat e tyre dhe jetojnë qira në qytetin e vetë në kushte mjerimi, ndërkohë që pronat e tyre të paluajtshme shfrytëzohen nga ardhacak serb nga ish-zonat e luftës por edhe ardhacak nga qytetet e tjera të Kosovës.

Kolonizimi i heshtur i lagjes së boshnjakëve dhe veriut

Image

Në lagjen e boshnjakëve që nga përfundimi i luftës qeveria serbe vazhdimisht ka tentuar blerjen e pronave në hapësirat e caktuara duke ofruar çmime të larta për ata që kanë rezistuar dhe duke i “detyruar” në forma të ndryshme ata me prona më të vogla me qëllim kolonizimin përkatësisht ndërrimin e strukturës etnike, gjë që ngadalë po sigurt po e arrijnë fal heshtjes së institucioneve tona qendrore thonë në Këshillin e lagjes.

Janë mbi 30 objekte kolektive banimi që janë ndërtuar vetëm në lagjen e boshnjakëve, në të cilat janë vendosur tashmë qytetarë të ardhur nga vatrat e luftës në Kroaci edhe në Bosnje, por edhe qytetarë të zhvendosur në Mitrovicës nga qytetet tjera të Kosovës.

“Institucionet tona po heshtin dhe nuk ndërmarrin asgjë në pengesat që dalin nga serbët për rindërtimin e shtëpive të djegura dhe kthimin e shqiptarëve në pronat e veta, dhe këtë po e shfrytëzojnë më së miri strukturat paralele që jo vetëm po përfundojnë ndërtesat por po nisin edhe të reja siç ndodhi para ca dite” thotë këshilli.

“Këto ndërtime shkaktojnë telashe banorëve jo serbë që jetojnë në lagje, pasi mbetën të banojnë edhe pse në shtëpitë e tyre mes ndërtesave të larta, gjë ka shkaktuar edhe frikë edhe panik jo të vogël thotë Fevzi Beqiri nga Këshilli i lagjes edhe aktivist në lagjen e boshnjakëve që apelon për veprime të shpejta të institucioneve para se të bëhet vonë dhe të ndërrohet komplet struktura e kësaj pjese.

Beqiri përkujton se para luftës përqindja e banorëve në lagje ka qenë rreth 80 për qind shqiptarë dhe komunitete jo serbe, ndërsa pjesa tjetër me serb, po kjo tash është e kundërta dhe vazhdon të thellohet akoma më shumë.

Ai shpreson se ky reagim i Këshillit do të analizohet dhe merret parasysh para se të bëhet vonë, siç ndodhi me të ashtuquajturën luginën e diellit te Zveçani që pati tentime të kinse ndalimit ndërsa ajo është në përfundim, kështu mund ndodhë edhe me lagjen e boshnjakëve nëse nuk veprohet shpejtë edhe me masa konkrete.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat