Në Mitrovicë gjendën eshtra - dyshohet për varrezë masive - Bota Sot
Në Mitrovicë gjendën eshtra - dyshohet për varrezë masive

Mitrovica

Në Mitrovicë gjendën eshtra - dyshohet për varrezë masive

Nga: F. B. Më: 19 maj 2020 Në ora: 18:10
Bajram Qerkini

Burime të Policisë kanë kontaktuar sot pasdite shoqatën “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë se gjatë punimeve që po kryente në kompani në hapësirën prapa Entit Social janë lokalizuar eshtra të njerëzve, policia ka dal bë vendin e ngjarjes dhe ka ndërprerë punimet duke siguruar hapësirën.

Lajmi për gjetjen e eshtrave përkatësisht dyshimin se mund të bëhet fjalë për varrezë masive në këtë pjesë brenda qytetit  është konfirmuar për "Bota Sot" nga kryetari i OJQ “Zëri i prindërve” Bajram Qerkini.

“Para pak minutave policia nga stacioni policor në Mitrovicë më ka kontaktuar dhe njoftuar se në hapësirën prapa Entit Social në qendër të Mitrovicës, gjatë kohës kur një kompani po kryente punime për Entin social, punonjësit e saj kanë lokalizuar eshtra të personave” ka thënë Qerkini.

Qerkini ka theksuar se do të njoftoj urgjentisht Mjekësinë Ligjore në Prishtinë dhe do kërkoj prani të tyre për të hulumtuar këtë hapësirë dhe për të konfirmuar se cilës periudhë i takojnë, a janë këta eshtra të personave nga lufta e fundit, apo të ndonjë periudhe më të vjetër.

Nuk ka njoftime lidhur me numrin apo sasinë e mbetjeve mortore të gjetur në këtë vend, mirëpo është konfirmuar prania e tyre dhe vetëm hulumtimi nga ekspertët do të konfirmoj periudhën të cilës i takojnë sikurse edhe numrin  e tyre.

Duke ditur se tash është pasdite e vonë sikurse edhe faktin se sot është Natë e madhe – Dita e Kadrit që në fenë myslimane është ditë që ka vlerë sa një mijë muaj, ekzaminimi përkatësisht dalja në vendin e ngjarjes është pothuajse e pamundur, ka thënë Qerkini, duke besuar se ekspertët mjeko-ligjor duhet nesër që në mëngjes të dalin  në vendin e ngjarjes.

Siç dihet “Zëri i prindërve” është shoqata ndër më aktivet në vendin tonë që fokus të punës dhe aktiviteteve ka hulumtimin dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në vendin tonë, përderisa në gjithë vendin në listën e të pagjeturve ndodhen emrat e 1 mijë e 650 personave, qyteti i Mitrovicës ende pret zbardhjen e fatit të 116 familjarëve të pagjetur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat