Bahtiri ka mbajtur takim virtual me Asamblenë Komunale të Fëmijëve

Mitrovica

Bahtiri ka mbajtur takim virtual me Asamblenë Komunale të Fëmijëve

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 14:18
Agim Bahtiri

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri së bashku me drejtorin e Arsimit, Egzon Jashari, sot kanë mbajtur një takim virtual përmes platformës digjitale “Zoom”, me kryesuesen e asamblesë komunale të fëmijëve, Adea Tahiri, përfaqësuesen e OJQ “Syri i Vizionit”, Teuta Uka, dhe përfaqësueset nga organizata “Save The Children”, Zyra në Kosovë.

Ky takim është realizuar në formë debati, ku kryesuesja e asamblesë komunale të fëmijëve ka parashtruar disa pyetje dhe rekomandime të nxjerra nga ana e fëmijëve asamblistë, lidhur me sfidat e fëmijëve gjatë kësaj kohe të pandemisë në fushën e arsimit, shëndetësisë e sigurisë, si dhe angazhimin e komunës gjatë dhe pas pandemisë.

Fillimisht kryesuesja Tahiri, shpalosi disa nga kërkesat dhe rekomandimet e fëmijëve asamblist, siç u potencuan përmirësimi i infrastrukturës shkollore, shqyrtimi i mundësive buxhetore për pajisjen e nxënësve me mjete teknologjike( laptopë, tabletë), dhe çështje tjera të cilat lidhen me procesin mësimor.

Ndërsa kryetari Bahtiri në fjalën e tij, njoftoi pjesëmarrësit mbi planet e ekzekutivit komunal që ndërlidhen me çështjet e fëmijëve dhe të nxënësve, me theks të veçantë angazhimin e psikologëve kryesisht në shkollat e mesme dhe shkollat me numër të madh të nxënësve, mbulimi me kabinete, krijimi i kushteve më të mira për gjithëpërfshirje të fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe vazhdimin e projekteve në rregullimin e infrastrukturës dhe mjedisit shkollor.

“Edhe në këndin e organizimit të brendshëm dhe të investimeve kapitale, kemi plane konkrete të detajuara mbi funksionimin e shkollave, e po ashtu në bazë të nevojave kemi finalizuar projekte që do përmirësojnë edhe më tutje gjendjen e infrastrukturës dhe mjedisit shkollor, disa nga të cilat veçse kanë filluar së ekzekutuari”, shtoi ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Po ashtu drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Egzon Jashari, shpalosi organizimin dhe funksionimin e drejtorisë dhe shkollave gjatë mbajtjes së mësimit në distancë.

“Ky vit shkollor ka qenë i veçantë sa i përket ngjarjeve me të cilat është ballafaquar jo vetëm personeli arsimor. Mësimi në distancë si alternativa më e mirë, ka sjellë një eksperiencë të re dhe sigurisht që do të vazhdoj së aplikuari edhe në të ardhmen. Gjatë kësaj periudhe, së bashku me shkollat përmes  ‘pikave të kontaktit’ kemi shkëmbyer informacionet dhe rekomandimet mbi rrjedhën e procesit të mësimit në distancë dhe hapat përcjellës”, tha drejtori Jashari.

Takimi i mbajtur është zhvilluar në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e fëmijëve “Detyrimi ynë për të Ardhmen – Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës” i cili zbatohet nga organizata Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children, Zyra në Kosovë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat